Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (1)

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 15:57
Ngjarje e vërtetë: E desha pa asnjë kusht (1)

- Nora, mos më thuaj se e bëre përsëri! - toni dramatik me të cilin Kaltrina, kolegia ime e punës dhe shoqja ime më e mirë, shprehte habinë e saj, pjesërisht më argëtonte, e pjesërisht më nervozonte. - Pse? - u bëra kinse nuk kuptoja për çka e kishte fjalën ajo, edhe pse isha e sigurt se kishte parë bisedën e shkurtër midis Sinanit dhe meje, e cila ishte zhvilluar në afërsi të zyrës së pranimit në repartin spitalit, ku punonim të gjithë ne. - Mos u shtir e marrë! E di shumë mirë çka dua të them.

Duhet të jesh çmendur që ta refuzosh një rast të tillë, sikur që është mjeku ynë më i dashur dhe më i pashëm, e përpos kësaj edhe i pamartuar. Njeriu do të mendonte se ti di ndonjë sekret të errët për të, gjë që të pengon që t'iu dorëzohesh tentimeve të tij që të ta mbushë mendjen qoftë edhe për vetëm një takim, por nuk ke guxim, apo dëshirë që ta ndash me të tjerët. Çka nuk është në rregull me të? Apo, ndoshta ti ke ndonjë problem? Hajde, të lutem, më trego! Pse vazhdimisht e lëshon të të ikë rasti jetësor, për të cilin shumica e femrave të tjera do të ishin të gatshme që të vrisnin. Kaltrina, sikur që bënte shpesh, e kishte tepruar edhe kësaj here.

Bëra me dorë në drejtim të saj dhe buzëqesha, meqë ajo vazhdimisht më bënte të buzëqeshja me komentet e saj të zjarrta për çdo temë. E, raporti im me meshkujt, e sidomos me doktorin e pashëm Sinan, ishte njëra nga temat të cilat e nervozonin atë pa masë. Që nga dita e parë në shkollën e mesme të mjekësisë, kur rastësisht u gjetëm në bankë të njëjtë, ne të dyja kishim zhvilluar një miqësi të thellë dhe të afërt, e cila kishte shkaktuar habinë e të gjithë atyre që na njihnin. Edhe ne shpesh habiteshim si kishim arritur ta krijonim një miqësi aq të ngushtë, përkundër dallimeve të mëdha që kishim midis veti.

E, ato dallime ishin me të vërtetë të mëdha dhe gjithëpërfshirëse, duke filluar nga pamja jonë, prejardhja, shprehitë dhe qëndrimet, e deri te tiparet më fine të personalitetit. Thënë shkurt, Kaltrina vinte nga një familje e pasur e doktorëve, ku, thënë shkarazi, prindërit i kishte dëshpëruar tej mase kur kishte vendosur që të mbetej "vetëm" infermiere, në vend që ta vazhdonte traditën, të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë dhe të vendoste të merrte ndonjë specializim prestigjioz. Në vendimin e saj, Kaltrina nuk kishte hasur në mbështetje të askujt. Unë e kisha të qartë se ajo nuk kishte mungesë të aftësive intelektuale, e nuk i mungonte as vullneti për të mësuar.

Nuk bëhej fjalë as për rebelim ndaj autoritetit prindëror, por për sistemin e vlerave të vet Kaltrinës, i cili ishte i ndryshëm nga ai i rrethinës së saj. Por, bëhej fjalë edhe për vetëdijen e cila ajo e kishte ndërtuar, e cila dallonte nga vetëdija e njerëzve të tjerë. Vetëm unë, po aq e dashuruar në punën e infermieres, mund ta kuptoja atë. Për dallim prej saj, unë rridhja nga një familje thuajse e varfër. Prindërit më vdiqën shumë herët; babai në një fatkeqësi në punë, për të cilën askush nuk kishte dhënë llogari, edhe pse dihej se kush ishte fajtori; e nëna më vdiq dy vjet më vonë, nga një kancer, i cili ia kishte thithur tërë energjinë. Kisha vetëm shtatë vjet kur përkujdesjen ndaj meje e mori gjyshja, nëna e babit tim, një vejushë trime dhe krenare, e cila punonte në spital si infermiere. (vijon)

(Kosova Sot Online)