Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (1)

  • E.K /
  • 22 April 2022 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Më tradhtonte sa herë i jepej mundësia (1)

- Shko në pushim na odmor - më këshillonte shoqja ime Gjyla. Bëra një grimasë. Edhe vetë isha e vetëdijshme se pushimi më ishte më se i nevojshëm. Isha e sfilitur në tërësi, e lodhur dhe e pikëlluar. - Do të vij edhe unë me ty - tha me një qetësi të madhe. E shikova me falënderim. Askush nuk sillej aq mirë me mua, sikur ajo. Përkujdesej për mua, për ndjenjat e mia, mundohej që të më nxirrte nga baltovina në të cilën kisha hyrë vullnetarisht, por nuk mundte. - E Roberti? - e pyeta, duke e shikuar me sytë plot lot. - Çka Roberti? - shpërtheu Gjyla. - Pashë Zotin, pse do të vinte ai me ty? - nuk mund ta fshihte zemërimin. Kishte arsye që të zemërohej. Që të dyja e dinim të vërtetën, bile edhe unë, gruaja e tij.

Ai të mashtron ku mundet e ku s'mundet. Kur do ta kuptosh se ai kurrë nuk do të ndalet - më shikonte dhe ma kapi dorën. Tundi kokën duke mos mundur të besonte. - Ti je një grua që duhet adhuruar, e cila di si ta kthejë dashurinë. E, çka bën ti? E do atë që ta shkelë dashurinë, i cili të poshtëron në mënyrën më të keqe të mundshme. Më beso, do ta kesh më mirë pa të - tha Gjyla. Ajo nuk kuptonte pse e doja. Asgjë nuk kishte rëndësi për mua, përpos faktit që ai të ishte afër meje dhe që të kthehej në shtëpinë time, në shtratin tim. - Më i mirë është ferri të cilit i shihet fundi, sesa atij që nuk ka fund. Si mund ta lejosh tërë këtë? Shikoje veten - u ngrit dhe e mori pasqyrën. - Nëse sheh atë që shoh unë, atëherë do t'i kuptosh fjalët e mia. Jam e shqetësuar për ty. Pa marrë parasysh sa mundohesh të jesh e fortë, ti nuk je e tillë. Askush nuk mund ta durojë situatën tënde. E shikova veten në pasqyrë. Kisha 35 vjet por ato nuk shiheshin aq shumë në fytyrën time. Po, nuk ishte se isha krejt pa rrudha, por asgjë për t'u shqetësuar. Në fytyrën time mbretëronin sytë në formë bajameje. Flokët i kisha të bujshme dhe të errëta. Buzët e plota dhe teni i porcelanit ma jepnin një pamje rinore. Trupin e kisha vital dhe të formësuar në palestër.

 Çka po sheh? - më pyeti dhe u përgjigj vetë: - Një grua të bukur dhe të mirëmbajtur, të mençur dhe të butë. Nëse Roberti nuk di ta vlerësojë këtë, atëherë gjeje dikë tjetër që e di. Ai rri me ty vetëm për interes. Merrja kartelat, mos i jep para, nëse dëshiron që ta kuptosh kush është ai dhe sa është dashuria e tij. E lash pasqyrën. Ofshava. Isha e vetëdijshme për gjithçka, por kundër zemrës nuk mund të punoja. - Të shkojmë në pushim? - më pyeti. - Puna… - u mundova ta gjeja një arsyetim, por ajo bëri me dorë. - Nuk do të dështojë. Do të të ndihmojë babai. Pushimin e ke merituar. Ke nevojë për të. Mos e shtyj. Të duhet qetësia, vetmia dhe një vend ku do të jesh larg nga gjithçka, nga përditshmëria. Më duhet të shkoj. Mendo rreth të gjithave - më luti. Natyrisht Gjyla kishte të drejtë. Krejt çka thoshte ishte e vërtetë. Edhe unë e dija këtë, por zemra, zemra ime e mallkuar sikur të ishte ndarë nga trupi dhe nuk donte të dëgjonte. Gjyla kishte të drejtë. Duhej të kthjellesha, por si? Robertin e doja verbërisht, e doja më së shumti në botë. Më ishte i nevojshëm sikur ajri të cilin e thithja. (vijon)

(Kosova Sot Online)