Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (2)

  • E.K /
  • 23 June 2022 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (2)

Koha fluturonte, e ëndrrat për futbollistin profesionist mu realizuan. Kur një klub i huaj shfaqi interesim për mua, që të gjithë ma parashikonin një karrierë të shkëlqyeshme. E pranova kontratën e ofruar, u shpërngula me prindërit jashtë vendit. Për një vit fitova më shumë sesa që im atë kishte fituar gjatë tërë jetës së tij. Si lojtar profesionist kisha disa obligime ndaj sponsorëve, shkoja në evenimentet shoqërore, ku gjithmonë kishte vajza të bukura. Ato thjesht më ngjiteshin për trupi, prandaj ndodhi që të dorëzohesha para sharmit të një manekineje ruse. Bionde, e gjatë, me flokë të dendura dhe me sy të mrekullueshëm të kaltër, me një trup elegant, thjesht i bënte të gjithë meshkujt që ta kthenin kokën për ta shikuar sa më gjatë.

E, këtë ndikim e pati edhe te unë. Kaluam vetëm disa muaj, para se të më thoshte se donte të martoheshim. Ende nuk isha i gatshëm për të marrë obligime mbi veten time, por ajo ma bëri të qartë se, nëse nuk do të martoheshim, ajo do të më linte. Bënte be në dashurinë ndaj meje dhe mundohej që të më bindte se nuk ishte njëra ndër ato femrat, që duan vetëm paratë e burrit të pasur. Ajo insistonte se ishte e ndershme dhe se donte të krijonim familje. Prindërit në fillim nuk pranuan.

Ku bash nga Rusia? A nuk pati ndonjë vend tjetër, a? Por, kur e panë bukurinë e saj, edhe ata lëshuan pe. Kështu, u martova! Muajt e parë të jetës sonë të përbashkët ishin të mrekullueshëm. Por, më pas ajo filloi që të fliste vetëm për të bërë fëmijë. Kjo temë më bënte të çmendesha. Jo se nuk do të doja, por e dija se nuk mundja. Isha steril. Në moshë të adoleshencës kisha vuajtur nga parotiti dhe, si pasojë e tij, kisha mbetur steril. Në atë moshë kjo nuk donte të thoshte asgjë për mua, por kur i bëra të gjitha analizat rreth transferimit në futboll, mora vesh se isha steril, se nuk mund të kem fëmijë.

Kur as pas katër vjetësh gruaja nuk ngeli shtatzënë, një ditë më tha se i kishte bërë të gjitha analizat te mjeku, të cilat i kishin dalë mirë. Nuk më mbeti asgjë tjetër, pos t'ia tregoja të vërtetën. Më shikonte me habi, sikur të më shihte për herë të parë. - E ke ditur se je steril dhe nuk më ke treguar? Unë që në fillim të kam thënë se ëndrra ime është ta kem një familje të madhe, të lumtur. E ke ditur se dua të kem fëmijë, e ma ke fshehur një fakt kaq të rëndësishëm? - bërtiste plot zemërim.

 E dashur, mundohu që të më kuptosh. Asnjë mashkull nuk e ka të lehtë që ta pranojë një gjë të tillë. jemi duke bërë një jetë të lumtur, mund të birësojmë sa të duash fëmijë. Fundja, një gjë e tillë tani është në modë edhe te të famshmit. - Birësim? A kurrë të mos e provoj magjinë e të qenit shtatzënë, a? Dua që të mbes shtatzënë, të ndiej se si është ta mbash fëmijën në bark, dua të kem fëmijë të mi, e jo të huaj - fliste ajo me zemërim. Provova ta qetësoja, i bëra propozime tjera, por çdo gjë ishte e kotë. Vazhdimisht përsëriste se si jam rrenacak dhe se me mashtrim e kisha bërë që të martohej me mua.

Mendoja që, pas një kohe, do t'i kalonte zemërimi, por jo. - Me mashtrim më detyrove që të martoheshim. Isha e sinqertë ndaj teje, e ti më ke gënjyer me vetëdije. Ne të dy më nuk kemi asgjë të përbashkët. Dua që të bëhem nënë, por ti nuk mund të ma mundësosh një gjë të tillë. Dua që të shkurorëzohemi sa më parë. Ora ime biologjike është duke rrahur me të shpejtë dhe nuk dua që të humb kohë me ty - më tha një mëngjes duke pirë kafe. - Ora jote biologjike? E, çka ndodhi me dashurinë ndaj meje, në të cilën bëje be? Kur dy persona martohen, ata përbetohen se do ta mbështesin njëri-tjetrin në të mirë dhe të keqe. As që ke pyetur a ka mundësi që unë të shërohem... (vijon)

(Kosova Sot Online)