Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (1)

  • E.K /
  • 22 June 2022 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (1)

Me t'u kthyer nga ullishta, shkoj drejt në dhomë të fëmijëve. Maliqja qëndronte e ulur në dysheme, me kukull në dorë. Me të është edhe vajza jonë katërvjeçare, Era. Luajnë me kukulla dhe, derisa i shikoj ashtu, të dyja, mendoj se si të gjithë ne, pa marrë parasysh moshën, diku thellë në vetvete, jemi fëmijë. Maliqja luan me një kënaqësi të tillë, saqë thjesht është e pamundur që të përshkruhet me fjalë. Era e përcjell, përsëritë gjestet dhe fjalët e saj, por atë gëzim, i cili është aq evident në fytyrën e Maliqes, nuk mund ta arrijë. Nga biseda me të, e di se ajo gjithmonë kishte preferuar që të luante me kukulla, por kur e sheh kështu direkt, është një përjetim krejt tjetër. Më kaplon një gëzim me të vërtetë i madh derisa i shikoj duke lozur. Sapo desha që t'iu bashkohesha, Era ma hodhi shikimin. Me nxitim e lëshoi kukullën, duke vrapuar që të më përqafonte. U përkula kah ajo dhe duart e saj të vogla mu hodhën në qafë. Më shtrëngoi fort, sikur të mos donte kurrë të më lëshonte nga përqafimi.

E putha në faqet e kuqe, e ajo ma ktheu me puthje të sinqerta, më të bukurat në botë. Më buzëqeshë, më shikon me sy të mrekullueshëm. - Babi, ti je njeriu më i dashur në botë për mua. Të dua pakufi - më thotë me sinqeritetin fëmijëror. - Edhe unë të dua pakufi. Era, pasi që të rritesh edhe pak, do ta ndryshosh mendimin dhe, me gjasë, nuk do të jem më mashkulli më i dashur për ty. Këtë rol do ta marrë ndonjë djalosh, i cili do të ta vjedh zemrën - bëj shaka unë. - Kurrë askënd nuk do ta dua më shumë sesa ty. Ti gjithmonë do të mbetesh numër një për mua - thotë ajo. Fjalët e saj menjëherë ma ngrohin zemrën. Duart e saj të vockla, fytyra e saj, respekti dhe dashuria, kanë rëndësi shumë të madhe për mua. Kjo është dhurata më e mirë që kam marrë ndonjëherë. Pasi që e lëshova Erën nga përqafimi, mu afrua gruaja, që edhe ajo të më përqafonte dhe puthte. Në atë moment isha përsëri shumë i lumtur që egoja nuk ma shkatërroi këtë shenjtëri, këtë familje të mrekullueshme që e kam. Këto janë dashuritë e mia dhe kjo është tërë ajo që ka rëndësi.

Nëse ia vlen që të sakrifikohesh për ndonjë gjë në jetë, atëherë çdo sakrificë arsyetohet për dashuri. Maliqja ishte dashuria ime e parë. E njihja që nga fëmijëria e hershme, nga fqinjësia. Dy vjet më e madhe se unë, asokohe as që më shihte. Për të isha një fëmijë i mërzitshëm, i cili nuk i shqitej se nuk i shqitej. Që nga fëmijëria, kur dëshiroja ndonjë gjë, isha këmbëngulës derisa që ta merrja atë. E, Maliqja ma kishte vjedhur zemrën që në fëmijëri. Për herë të parë zbulova se isha i dashuruar në të kur një pasditeje verore, e pashë atë të veshur me një fustan të bardhë, valëvitës, në livadh. Flokët e gjata ngjyrë ari i binin supeve, e derisa kërcente në ndjekje të një fluture, më dukej sikur kurrë në jetë nuk kisha parë diçka aq të bukur dhe magjepsëse.

Që nga ai moment, ajo u bë aktorja kryesore e të gjitha ëndrrave të mia dhe, sa më i madh që bëhesha, e ëndërroja gjithnjë e më shpesh, duke dashur që ta kem pranë. Isha në klasë të pestë kur e ftova për herë të parë që të shkonim në kinema. Më refuzoi pa hezituar. Sa më shumë që rritesha, aq më shumë bija në dashuri me të. Pak ditë më pas, e thirra në një shfaqje në teatri. Është lehtë ta dini, edhe tani më refuzoi. Vendosa ta ndryshoja taktikën. Bleva një çokollatë, ia dhurova në shkollë, gjatë pushimit të gjatë në shkollë. Ajo atëherë ishte njëra ndër vajzat më të popullarizuara në klasën e shtatë, e unë isha një axhami nga klasa e pestë. Si qeshi kur ia dhashë çokollatën, për të ikur më pas si e pakokë, në klasën e vet.

(Kosova Sot Online)