Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (2)

  • E.K /
  • 06 July 2022 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (2)

- Ju keni lindur pranë detit? - Jo, shtëpia ime është larg detit. Kam lindur në një shtëpi fshati pranë lumit. Në një fshat ku gjysma e banorëve as që kanë dëgjuar për detin. Pas përfundimit të shkollës së mesme, "u zhduka" në botën e largët. Në fshatin tim lufta ka lënë gjurmë të thella, qëllimi dhe dëshira ishin ikja. Doja të ikja sa më larg nga fshati i lindjes. Sot kaq shumë më mungon. - Ngjashëm dhe unë … dëshira, uria. - I njoh këto ndjenja. Fytyrën jo, por zërin thuajse e kam dëgjuar diku. Një zë shumë i njohur. Po, mos keni studiuar në Prishtinë? - Jo, jo … Ekonominë e kam përfunduar në Berlin.

Kam përfunduar sipas mënyrës së vjetër. Kam diplomuar në moshën 30 vjeçe. Pas të mesmes isha ushtar, e më pas kam ikur në perëndim. - Nuk po mundem të besoj! - Muharrem, Muharrem, Muharrem, po ky je ti … E përse nuk po tregon. Vitet të kanë ndryshuar, më duhet ta them, por zërin e ke të njëjtin. Ka mbetur ai qëndrim, buzët dhe goja, hunda … Linjat e fytyrës kanë fituar forma tjera por hunda, buzët, janë të njëjtat. Sa e vogël që është bota. - Më ke njohur? - Po, po, aiii, po ky je ti. Përse nuk ma the. Po ku je ti, ku jeton? - Në Berlin, kam shtëpi, firmë … - E, fshati? - Dhjetë vite, dhjetë vite të plota! - Jemi të ngjashëm. - E, Lulja ime?

Drenusha mori frymë thellë, uli shikimin dhe lëshoi lot. Derisa po kërkonte një leckë nëpër çantën e madhe, te unë pasoi një ofshamë. Kam menduar në vitet e kaluara, në ato se ku ishte tani Lulja. Ku? - Tregim i vështirë, Muharremi im kjo është tregim i vështirë. Nëse e hapim atë temë do të vonohemi në të gjithë aeroplanët e botës. - Drenushë, fluturojmë bashkë, për Berlin. - Kur përmendet Lulja, humb toruan në kokë. Në 17:15 niset fluturimi. Drenusha qëndron ulur pranë meje. E di çfarë pason. Do më flasë për Lulen time. Pason heshtja. Heshtje që dhemb. Unë e ndërpres.

 Ti si je Drenusha? Burri, fëmijët, puna? - Në Berlin kam djalin dhe vajzën, burrin, shtëpinë e bukur. Kemi një klinikë. Ai është kirurg e unë jam stomatologe. Sikur të shkoja sipas marrëveshjes me ty dhe Lulen, kush e di ku do të isha. Pas të mesmes kam shkuar në Prishtinë, kam regjistruar stomatologjinë. Kam diplomuar, por jam nisur në Berlin. Kam mësuar gjuhën gjermane e Gjermania kërkonte mjek. Po ashtu kemi dhe një klinikë private. Jetojmë mirë, fëmijët, puna, shtëpia. E ti? - Jetoj në Berlin. Jam martuar dy vite pas ardhjes në Gjermani. Më pas kam regjistruar fakultetin, jam shkolluar, erdhën fëmijët. Kam djalë dhe vajzë, grua të mirë, firmë për prodhimin e mobilieve. Jetojmë bukur.

Mund të them se kam realizuar ëndrrën rinore. - Të dy kemi pasur sukses. Kush do ta thoshte? A të kujtohet kur vraponim nëpër livadhet e fshatit? Në dorë me një mollë, dardhë... - Ehh, kush i harron këto. Kurrë nuk e harroj këtë. Na shiko tani. Më thuaj Drenushë, më fol për Lulen. Përsëri uli shikimin. - Lulja ime. Kemi lindur me një ditë në mes. Bashkë kemi kaluar fëmijërinë, ditët shkollore, rininë e hershme. Për një ditë nisëm shkollën, ishim në të njëjtën bankë. Kemi ndarë sekretet e para. Bashkë ishim në shkollë ët mesme. Më kujtohet kur jemi njohur me ty. Me qëllim e kam lënë vetë. Sa e lumtur isha kur e ke ftuar të shëtisni pranë lumit. Muharrem, sa shumë të ka dashur. A ishe i vetëdijshëm për këtë? (vijon)

(Kosova Sot Online)