Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (3)

  • E.K /
  • 07 July 2022 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (3)

- Po, por doja më shumë. Doja kuajt e zi, që vraponin në livadh... doja që ta merrja botën në sy, që të arrija diçka më shumë. Që nga fillimi gjithmonë kisha menduar që Lulja do të vinte tek unë, se do t'ia nisnim një jete të re. Megjithatë, dritat e qytetit të madh më bënë për vete. U njoftova me gruan, e cila sikur më bëri magji. Nuk kisha zemër t'ia thosha të gjitha. Vetëm heshtja, sikur peshk. Tani pendohem! - Ajo të ka pritur. Të ka pritur derisa nëna jote nuk i thirri gratë për kafe, me rastin e martesës tënde dhe lindjes së djalit. Atëherë erdhi me lot në sy dhe më tha se do të shkonte.

E luta që të qëndronte në fshat. Nuk e kishte të lehtë. Ishte nga një familje e varfër. Pasi mbaroi shkollën e mesme, nuk u regjistrua në fakultet. Ditët i kalonin duke pritur që të të shihte në derë. Ti nuk erdhe, por edhe, pse të vije, kur e kishe gruan. Kjo shkaktonte dhembje, Muharrem. Çdo lot të saj e kam përjetuar bashkë me të, çdo ofshamë e kemi përjetuar bashkë. Edhe unë ndjeja dhembje. Sikur atëherë ta kisha numrin tënd të telefonit, do të të thërrisja dhe do t'i tregoja të gjitha Familjarët e qaj qanin, ishin të shqetësuar për Lulen. E ajo? Ajo asgjë. Vetëm ti dhe ti. Gjatë fundjavës ose rrinte në kishë, ose sillej rreth shtëpisë tënde, duke kaluar nëpër sokakun tënd. Vishte fustane të gjata dhe nuk vinte grim fare.

Me të vërtetë më pëlqente. Lufta zhvillohej në të gjitha anët. E lusja që të vinte tek unë, që të punësohej, të mbijetonte. E lusja që, si refugjate, të dilte jashtë vendit. Asgjë nuk vinte në shprehje. Kur ia përmendja largimin nga fshati, ndalej, më shikonte dhe më thoshte: - As që më shkon ndër mend, Drenushë! Nuk mund t'i ndihmoja. Për shkak të provimeve në fakultet, nuk mundja që të qëndroja vazhdimisht në fshat. Më pas erdhi lajmi se ti ishe bërë me djalë. Nëna jote bëri festë.

Edhe pse ishte luftë, muzika dëgjohej qartë. Atëherë nëna jote i tha Lules: - Lule, çika ime! Më vjen keq, por djali im është martuar dhe është bërë me fëmijë. Lule, të them sikur vajzës sime. Vazhdo me jetën! Martohu dhe bëj fëmijë! Bëhu e lumtur dhe e buzëqeshur". Lulja vetëm sa u mërzit edhe më shumë. - Drenusha, më trego ku është Lulja tani? - Lulja ka dalë diku jashtë. Pasi që mori vesh se ty të kishte lindur djalë, ajo sikur u zhduk. E kërkuam dy muaj të tërë. Më pas më njoftoi se kishte ikur që të mos kthehej më kurrë. Familjarët e saj filluan që ta lusnin që të kthehej, sidomos vëllai i saj, por më kot. Nëna e saj u sëmur rëndë, derisa i ati i vdiq. Herë pas here kontaktoj me të në rrjetet sociale edhe pse nuk më tregon saktësisht se ku ndodhet. Vëllai i saj e di. Ai më ka thënë se Lulja është dhënë shumë pas fesë. Ajo lutet për ne, Muharrem! Për të gjithë ne. Për mua, për ty, për të gjithë. Është e bukur sikur gjithmonë. Aspak nuk ka ndryshuar! (vijon)

(Kosova Sot Online)