Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (4)

  • E.K /
  • 08 July 2022 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (4)

- A keni biseduar ndonjëherë me të? - Natyrisht. Edhe pse ka dalë jashtë, ajo nuk heziton që të bisedojë me ne. Zakonisht flasim për fe, për besim. Mirë më kujtohet kur i tregova se i kishte vdekur nëna, thjesht më tha: "Nëna ime kurrë nuk vdes". Me këtë donte të thoshte se nëna e saj shpirtërore nuk vdes kurrë. Ajo më jep këshilla si t'i rris fëmijët, si t'i tejkaloj momentet e vështira. Ajo lutet për mua. Lutet edhe për ty. Njëherë më tregoi vet për këtë. Kohëve të fundi të ka përmendur më rrallë, vetëm kur e kam pyetur unë. Ja çka më tha: - Ja, shoqja ime, sikur Muharremi të ishte martuar me mua, unë nuk do të isha këtu.

Tani e bëj këtë jetë dhe, mund të them se jam e lumtur. Do të lutem edhe për të. Pas një kohe të gjatë e pyeta për ty. Ajo qeshi lehtazi, duke thënë: - Derisa ai më ka mua dhe lutjet e mia, do të jetë i lumtur. Pas rrëfimit të Drenushës e lëshova kokën, i ktheva vitet prapa dhe ndoshta, pas nja 15 minutash, lëshova një lot. - Muharrem, mos qaj. Sa herë kam qarë për Lulen. Pasi që kuptova se ishte e lumtur dhe e qetë, edhe unë fillova të jem e qetë. Tani jetojmë të qetë. Ajo është lutja ime. Më beso. Muharrem lëri emocionet që të qetësohen. -Lulja ime.

E imja. Vetëm e imja. - Çfarë dashurie ishte ajo. Aty ku ju shkelnit, toka digjej! Kjo quhej dashuri! Kjo sot nuk është asgjë. Por, më thuaj. U ktheva me vite prapa. M'u kujtua sesi nëna, me lot në sy, më kishte përcjellë për udhë. Mu kujtua shamia e saj lara-lara, opingat dhe mbështjellësi. M'u kujtua shtëpia jonë e vjetër. Me mendime udhëtova larg, në fëmijërinë e hershme. Para sysh më dolën livadhet e fshatit tim të lindjes, lumenjtë, urat e vogla.

Më kujtohej sesi, pa asnjë brengë, kaloja nëpër ato ura, sidomos mbi urën e cila ndante shtëpinë time me atë të Lules. Babai thuajse nuk më kujtohet aspak. Më kujtohet kur ishte kthyer nga Gjermania, me një Mercedes të kuq. Ishte mbledhur tërë fshati, e ne kishim qitur themelin e shtëpisë. Atëherë kisha vetëm dy vjet. Më pas babai shkoi përsëri në Berlin. Nënës i dërgonte para, me të cilat ajo e ndërtoi shtëpinë. Kur erdhi herën tjetër, ne kishim ndërtuar tanimë dy dhoma. Sikur për mjegull më kujtohet sesi ai ishte krenar me nënën, se dinte t'i ruante paratë dhe sesi e kishte rregulluar shtëpinë.

Atë ditë, babai im me atë Mercedesin e famshëm shkoi për t'i blerë tjegullat, me të cilat do ta mbulonim shtëpinë. Sapo doli në asfalt, nga drejtimi i kundërt u godit nga një automobil, i cili vinte me shpejtësi. Babai mbeti i vdekur në vend. Ato momente nuk më kujtohen mirë. Më kujtohet vetëm, kur i treguan nënës se babai kishte vdekur, ajo qau me një zë aq të lartë, sa që më duket se, edhe sot e kësaj dite, atë zë e kam në veshë. Muajt vijues nuk më kujtohen aq mirë. Kam kujtime të ndara, të cilat nuk mund t'i bëj bashkë.

Pas vdekjes së babait, kujtimi i parë që më bie ndërmend, është kur nëna më mori dhe shkuam te varri i babait. Atëherë kisha pesë vjet. Nëna qante vazhdimisht. Për të nuk kishte jetë jashtë oborrit tonë dhe jashtë varrezave të fshatit. Shtëpia kurrë nuk përfundoi së meremetuari. Më kujtohet kur shkova në klasë të parë, nëna më bleu rroba të reja. Kisha edhe këpucë të reja, por mungesën e babait s'kishte kush të ma hiqte. Nëna nuk dorëzohej. Bënim një jetë modeste, por të bukur. Nuk mund të them se isha i uritur, nëna me duart e saja fitonte mjaft për veten dhe për mua. (vijon)

(Kosova Sot Online)