Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (5)

  • E.K /
  • 11 July 2022 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (5)

Rinia ishte në anën tonë. Më kujtohet mirë se ishte muaji tetor, fundi i tij. Atë mëngjes kam paketuar disa gjëra dhe jam nisur rrugës kryesore. Autobusi po qëndronte pranë rrugës time. Aty kanë arritur udhëtarët e tjerë, që udhëtonin në Evropën Perëndimore. Ishin shumë. Atyre ditëve, shumë nga fshati im ishin larguar. E kemi ditur të gjithë se çfarë pason, por askush nuk thoshte gjë publikisht. Lulja ma bënte me dorë. Më kishte përqafuar dhe puthur. Nuk kishte forcë të më përcillte te autobusi. Nëna po ndiqte hapat e mi. Derisa Drenusha më thoshte diçka në avion. Nuk e dëgjoja. Më kujtohej rinia ime. Ardhja në Gjermani. Më kujtohet fillimi.

Telefonatat e shpeshta, ndërprerja e lidhjeve, granatimi i fshatit më kujtohen dhe lotët e Lules. Më kujtohet kur i thashë se nuk do të kthehem. - Lule, në fshat nuk ka më jetë. Do të rri këtu. Nuk e ftova te unë. Nuk e kam ftuar. Përse? Përse? Vite rresht e kam bërë këtë pyetje vetes. Ende nuk e di se si e kam kallur këtë dhimbje, por se nuk e kam kaluar. Nuk mundem ta kuptoj përse nuk e kam thirrur. Ndoshta ardhmëria. Ardhmëria për të njohur gruan time të ardhshme, të krijoj një shtëpi.

Kur ulem dhe mendoj me kokën e kthjellur, sikur më kishte thënë dikush mos ta thërras, thuajse një forcë e çuditshme nga dashuria më kishte bllokuar fjalën "Lule eja te unë". Më kanë pushtuar dritat e qytetit, isha dashuruar në ndërtesat e larta, harrova urën tonë, rrënjët tona. E kam harruar dashurinë e duhur, timen dhe të saj. Shumë shpejt në Berlin kam njohur Ildën. Ishte e mahnitshme, e fuqishme dhe shumë e bukur. Jemi dashuruar me kalimin e kohës dhe me rritjen e fëmijëve tanë. Këtu fillon tregimi tjetër i jetës time. Për Lulen nuk kam dëgjuar gjë.

Kontaktet më kishin humbur. Me luftën në Kosovë gjithçka ishte ndryshe. Kur jam martuar dhe më lindi djalë, nëna ka ardhur ta ruajë fëmijën tonë. Ildës nuk i pengonte kjo. Madje kishte qejf që gjyshja të ruante nipin. Nganjëherë edhe nëna dhe unë kujtonim fshatin tonë, e këtë ne e kujtonim me pak bukë të nxehtë. Kujtoja dhe Lulen time.

 Shpresoj se është e lumtur dhe ka fëmijë. Unë i kam thënë që të martohej - thoshte nëna për të, në tentim për të ma pakësuar dhimbjen time. Buzëqeshja dhe gjithmonë mendja më kalonte në të kaluarën time derisa isha në qytetin larg vendlindjes time. Vite pasi që kam takuar Drenushën në aeroport, me mendime jam kthyer në jetën e dikurshme. Më kujtohej fëmijëria, rinia. Në ndarje Drenusha më ka thënë: - Muharremo, Lulja do të dëshironte të takonte, jam e sigurt. Atje ku ajo ndodhet, jam betuar se nuk do t'i tregoj askujt, por e di se do t'i pëlqente të takonte. Para së gjithash, jam e sigurt që do të dëshironte të takonte, edhe unë jam femër. Atëherë kam filluar të qaj.

Pikërisht ashtu siç ka qarë Lulja në pragun e shtëpisë kur jam nisur për në Berlin. E kam përqafuar fort Drenushën, kemi ndërruar numrat e telefonit dhe i kemi premtuar njëritjetrit se do të jemi në kontakt. Lulen e kam kërkuar gjatë. Kam kërkuar shumë arsyetime, për ta gënjyer Ildën. Gjatë kësaj periudhe kohore, nëna vdiq. Vdiq e qetë. Fjeti dhe nuk u zgjua më. Nuk kisha forcë të mbledh forcë, të shkoj në fshat dhe ta varros. E kemi varrosur në Berlin. Edhe një mëkat më shumë. E kam kërkuar Lulen në secilin qytet, një pas një. (vijon)

(Kosova Sot Online)