Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (6)

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: Përbetimi (6)

Një ditë m'u mbush mendja që të shkoja jashtë vendit. Disi e dija ku mund ta gjeja Lulen, edhe pse nuk kisha pasur kurrë adresë të saktë të saj. Shkova në një bujtinë dhe fillova të shëtisja në oborrin e saj. Aty afër ishte një park me të vërtetë i mrekullueshëm. Kishte pisha dhe grumbuj lulesh të llojeve të ndryshme. Disi e ndjeja praninë e saj. Në një skaj të parkut kishte shumë trëndafila. Aty afër ishte një grua e cila hiqte barin që kishte mbirë midis luleve. Fytyrën nuk ia shihja, por kuptova se ishte ajo, Lulja. E mora një trëndafil dhe i dola përpara. m- Përshëndetje, zonjë!

Sikur u ndal koha. Lulja filloi që të më shikonte me sytë e saj ngjyrë qielli. Për një moment nuk foli askush. - O, Zot! Edhe sikur të vije pas 1000 vjetësh, unë do të të njihja. Vitet me të vërtetë e ndryshojnë njeriun, por vijat e fytyrës mbesin të njëjta. mAjo më njohu. Shikimet flisnin vetë. Nuk guxonte të më përqafonte, as të më prekte.

Si duket, nguronte edhe të fliste. Bisedonim vetëm me shikime. Ishte e bukur sikur më parë. Tepër e bukur. Sikur koha të ishte ndalur atë mëngjes tetori, kur më kishte përshëndetur me dorë. Dashuria nuk njihte as moshë, e as vend. Sikur të kishte ekzistuar një përbetim i heshtur midis nesh. Dashuria na njihte vetëm ne të dy. Dy fëmijë të dashuruar. Vitet më kaluan para syve. Lojërat e fëmijëve, takimi ynë në oborrin e shkollës, dashuria, dashuria e madhe. Përbetimi i saj, përbetimi im. Derisa buzët e saj lëviznin, zemra ime filloi të rrihte me të shpejtë. Sekondat ishin si përjetësi. Prisja të më thoshte diçka, që të më shikonte edhe një herë, të më përqafonte. - Muharrem, të gjitha t'i kam falë. Unë e kam gjetur qetësinë time shpirtërore, besimin dhe dashurinë te shpresa.

Tani jetoj këtu. Më presin obligimet e mia të përditshme, të cilat nuk janë kushedi çka, por për mua kanë rëndësi të madhe. Më shikoi me një shikim tërë vuajtje dhe, u largua me përshpejtim të hapave. Shikova gjatë në drejtim të saj, i sigurt se edhe ajo më kishte shikuar kështu kur kisha shkuar në Berlin. Në atë vend qëndrova tri ditë. Tri ditë pata rastin që ta shikoja Lulen. E shikoja duke biseduar me shoqet e saj, sesi përkujdesej për fëmijët e braktisur. Mundesha vetëm ta shikoja. Ishte evidente se ajo kishte gjetur paqen e vet shpirtërore.

E luta që të bisedonim, por ajo mu drejtua me zë të butë: -Muharrem, kjo është jeta ime tani. Mjafton që t'i fala të gjitha. Derisa të jem unë dhe lutjet e mia, ti do të jesh i lumtur. Nuk isha i lumtur. Me lot në sy u ktheva në Berlin. Ilda kurrë nuk më kishte pyetur asgjë, por mendoj se i dinte të gjitha. FUND

(Kosova Sot Online)