‘Si e njihja fisnikun Ali Mema’, rrëfimi i Demalisë: Nuk i hiqej nga sytë arrestimi i bashkëlojtarit, qeverisë komuniste ia dha “shpërblimin” me…

  • 29 March 2019 - 11:33
‘Si e njihja fisnikun Ali Mema’, rrëfimi i Demalisë: Nuk i hiqej nga sytë arrestimi i bashkëlojtarit, qeverisë komuniste ia dha “shpërblimin” me…

Sot, Tirona e tironsave, por jo vetëm, por edhe Shkodra, por jo vetëm e gjithë bota e futbollit shqiptar është në zi, në dhimbje dhe respekt për çunin e Tironës, talentin e madh të futbollit shqiptar, fisnikun e njeriun nobel, qytetarin aq shumë të dashur për tironsit, që e deshën dhe i deshi aq shumë, legjendën e Ali Mema, pinjoll i familjes Mema si nderi i Tironës.

Ali Mema lindi në Tironë më 1 shkurt të vitit 1943, duke filluar të luajë me topin qysh fëmijë në rrugicën e tij, ku ishte themeluar familja Mema denbabaden me breza, si simbol i mirësisë dhe krenarisë për Tironën. Së bashku me vëllain e madh Haxhiun e Osmonin e më pas Sulën, djalin e Haxhiut, dhe më pas djalin e Aliut, Ardin, i kanë dhënë futbollit të Tironës si asnjë shembull tjetër në sport, si familje. Aq shumë sakrifica, emocione, lot gëzimi e lot hidhnimi për padrejtësitë që i bënë këtij klubi gjatë regjimit komunist, por edhe futbollistëve të Tironës, për të vetmen arsye: Klubi i Tironës dhe tifozët e saj, nga regjimi komunist dhe respektivisht klubet e Dinamos (Klubi Ministrisë se Brendshme) dhe Partizanit,(Klubi Ushtrisë) quhej klubi i reaksionarëve.

Në sytë e lojtarëve të klubit, Ali e Osmon Memës, Fatmir Frashërit, Gëzim Kasmit, Skënder Hykës, Bari Ishkës, Bujar Tafajit, Bixh Bytyçit, Xux Kazanxhiut, Niko Xhaçkës, nuk i hiqej nga sytë arrestimi i bashkëlojtarit të tyre Skënder Halili, me të vetmin qëllim, për të shkatërruar atë ekip që po ngrinin si kulm i futbollit shqiptar, si legjendë ende sot, atë klub që i kishte rritur Xhavit Demneri si talente, Lym Alla dhe Enver Shehu, po i bënin tmerr të klubeve shqiptare, por sidomos gjeneralëve të ushtrisë dhe sigurimit të shtetit.

Ali Mema dhe Tirona ia dhanë “shpërblimin” qeverisë komuniste, jo me dorëzim, jo me kompromis, por me urrejtje të brendshme, duke u shpalosur në fushë të papërballueshëm dhe duke marrë kampionat mbas kampionati, nga 1966 deri në 1971, duke i hequr arbitrarisht dhe rast i paprecedent në futboll, kampionatin e vitit 1968, edhe pse Tirona e kishte siguruar kampionatin.

Ali Mema nuk ishte njeriu që ankohej apo kërkonte ndere as kur ishte lojtar, as si trajner dhe as vitet e fundit të jetës tij. Qeveritë e radhës japin qindra-mijëra dollarë nga fondi i shtetit për të kuruar politikanët hajdutë, që kanë rrënuar Shqipërinë dhe sportin. Jepen dekorata, jo për vlera, por për shërbëtorë të regjimeve të radhës. Pensione speciale iu jepen atyre që i shërbyen me artin demagogjisë vrastare të komunizmit! Kur, kur, kur….

Vlerat dhe dinjitetet njerëzore i lënë në harresë!

Ali Mema, që dha aq shumë për futbollin, për ekipin kombëtar, që kur luajti 6 muaj me Vllazninë që aq shumë e deshi dhe e respektonte qyteti i Shkodrës, tjetër klub i disidencës shqiptare, kurrë nuk pranoi të luajë kundër fanellës bardheblu. Ajo fanellë ishte rrahjet e zemrës, gjaku i Ali Memës.

Lamtumirë O legjendë dhe fisnik i Tironës!

(Kosova Sot)