Ditari sekret i Enver Hoxhës

  • E.K /
  • 22 August 2020 - 10:16
Ditari sekret i Enver Hoxhës

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari i Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza për ngjarjet e zhvilluara në Çekosllavaki nga janari i vitit 1968 e deri në datën 21 gusht të atij viti, ku trupat sovjetike së bashkë me ato të katër vëndeve të tjera të Traktatit të Varshavës, (Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria dhe Bullgaria), kryen agresionin ushtarak, duke pushtuar Çekosllovakinë. Të gjitha shënimet e panjohura të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste lidhur me ngjarjet në Çekosllovaki, nga qëndrimi i shteteve të tjera të Europës Lindore, pjesë të “Traktatit të Varshavës”, ndaj atij agresioni, akuzat ndaj Çausheskut, Josif Broz Titos, etj., komentet dhe akuzat ndaj SHBA-së, shkrimet e Enverit në gazetën “Zëri i Popullit” për të gjitha ato ngjarje, e deri te porositë që ai i dha Haxhi Lleshit për homologun e tij bullgar! “Revizionistët sovjetikë, polakë, gjermanë, hungarezë dhe bullgarë, hynë nga të katër anët e kufijve të Çekosllovakisë dhe, për tërë natën, deri në mëngjes, pushtuan Pragën, kapën radion, rrethuan godinën e qeverisë, të Komitetit Qendror, të Parlamentit, të presidentit dhe nuk u dëgjua asnjë pushkë. Jo vetëm kaq, po krerët revizionistë çekosllovakë dhanë urdhër që ushtri e popull “të rrinë urtë dhe qetë”, sipas “traditës së karakterit të tyre”. Sa për ndihmën e Rumanisë, në bazë të traktatit, nuk është nevoja të zgjatemi: Revizionistët rumunë e kanë bërë në brekë dhe shpejt do të qelbet dynjaja. Natyrisht jemi akoma në momentet e para dhe patjetër ngjarjet do të zhvillohen. Revizionistët sovjetikë bënë një akt të dëshpëruar, vdekjeprurës për ta. Ata u diskredituan nga të katër anët, edhe te miqtë e tyre revizionistë, pse shumica e tyre nuk janë dakord me këtë akt brutal me pasoja të rënda për ta. Por revizionistët sovjetikë këtë veprim të dëshpëruar nuk e bënë nga malli, por nga halli, u erdhi thika në grykë. Sigurisht në gjirin e udhëheqjes revizioniste sovjetike, do të ketë ndryshime, do të ketë kurbanë. Kush janë ata? Do të shohim. Kush do të mbetet? Ushtarakët duhet të kenë gisht në këto ngjarje dhe ka mbisunduar pikëpamja e tyre. I tërë ky zhvillim do të acarojë gjendjen ndërkombëtare dhe ka mundësi që të alarmohet opinioni revizionisto-kapitalist. Do të thellohen kontradiktat, do të turbullohen ujërat në kënetën e qelbur të bashkekzistencës paqësore dhe aleanca ruso-amerikane në mos të çara, do të pësojë të gërvishtura serioze. Opinioni botëror, frika, dyshimet do të luajnë rolin e tyre. Revizionistët nga janë e nga s’janë, do të bëhen fërtele me njëri-tjetrin, lesh e li, më keq se ç’janë bërë”. Kështu shkruante në mes të tjerash në ditarin e tij të datës 21 gusht 1968, udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha, lidhur me ngjarjen e ndodhur në mëngjezin e asaj dite, kur Bashkimit Sovjetik nën drejtimin e Leonid Brezhnjevit, së bashku me forcat ushtarake të katër vëndeve të tjera të “Traktatit të Varshavës”, (Gjermania Lindore, Polonia, Bullgaria dhe Hungaria), kreu agresionin ushtarak ndaj Çekosllavakisë, duke futur tanket deri në qendër të Pragës. Kjo ngjarje, u konsiderua dhe ishte më e rënda në të gjithë Europën Lindore, pas asaj të ndodhur në Hungari në vitin 1956, ku po trupat sovjetike, ndërhynë për të shuar atë që ata e etiketuan si “Kundërrevolucioni hungarez”. Siç do të shohim edhe nga ditari i Enver Hoxhës, pushtimi i Çekosllovakisë nga trupat ruse dhe aleatët e saj të “Traktatit të Varshavës”, nuk mund të mos alarmonte edhe regjimin komunist të Shqipërisë, pasi Tirana zyrtare i trembej një “efekti domino”, siç kishte ndodhur jo rrallë në histori me ngjarje të tilla. Por frika dhe paniku që përshiu Enver Hoxhën dhe të gjithë udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës në atë kohë, nga një pushtim i mundshëm i Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe vëndet e tjera të “Traktatit të Varshëvës”, duket se fare pak, apo aspak nuk ka zënë vënd në ditarin e Enverit?! Pasi në atë kohë regjimi komunist u vu në një alarm të madh, duke filluar që nga Ushtria që kaloi në “gatishëmri nr.1”, (si në gjëndje lufte), por u mobilizuan edhe forcat vullnetare e rezerviste, të cilat morrën pjesë në stërvitje të madha që filluan asokohe nga njësitë më të mëdha të ushtrisë shqiptare, siç ishin Korpuset. Po kështu edhe popullsia civile të fshatrave dhe qyteteve, i’u nështrua alarmeve ajrore apo toksore (duke dhënë sinjal me sirena apo çanga), duke i futur ata në strehime nëntoksore (tunelet) që ndodheshin brenda, apo në periferi të qyteteve. Por e gjitha kjo, ishte vetëm ana e dukshme dhe fare normale për një vënd si Shqipëria komuniste e asaj kohe, pasi në të njëjtën situatë u ndodhen dhe vepruan pak a shumë dhe vëndet fqinje, si Jugosllavia etj. Ndërsa ajo që njihet pak, është frika që pushtoi Enver Hoxhën dhe regjimin komunist, nga një lëvizje që mund të ndodhte nga brenda vëndit. Kjo gjë vihet re dhe konfirmohet veç të tjerash edhe nga një numër i madh dokumentash arkivore, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku Ministria e Punëve të Brendëshme dhe Sigurimi i Shtetit, informojnë Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe udhëheqësit kryesor të saj, Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Ramiz Alinë, Mehmet Shehun etj., me raporte, relacione, informacione etj., ku tema kryesore është: “Mbi situatën dhe gjëndjen në vënd pas ngjarjeve të Çekosllovakisë”. Në të gjitha ato dokumente që mbajën siglën “Tepër sekret”, i bëhet me ditur udhëheqjes së lartë, se: “njerzit dhe kryesisht elementi reaksionar, është gjallëruar pas ngjarjeve të Çekosllovakisë dhe….”. Kjo gjë bëri që Enver Hoxha dhe regjimi komunist nga njëra anë të “shtërngonte rradhët” dhe “të rriste vigjëlencën”, gjë e cila konsistoi në arrestime, burgosje e internime në masë në të gjitha rrethet e vëndit, dhe po kështu nga ana tjetër, “të lëshonte pak pe”, në atë që tashmë njihet si “peridha e liberalizmit”, e cila nuk ishte jetëgjatë dhe do të “lulëzonte” deri aty nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion dhe “Grupit liberal në Art e Kulturë”, me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.

Si precipituan ngjarjet nga janari i vitit 1968 deri në 21 gusht, që ndodhi pushtimi i Çekosllavakisë? Por para se të publikojmë ato që udhëheqësi komunist i Shqipërisë shkruante në ditarin e tij lidhur me ngjarjet e Çekosllavakisë që ishte dhe lajm i parë i të gjithë agjensive botërore të shtypit, vlen të bëjmë një retrospektivë, për të parë se si rrodhën dhe percipituan ngjarjet nga janari i viti 1968 e deri në 21 gusht, kur tanket sovjetike pushtuan Pragën. Më 5 janar të vitit 1968, Aleksander Dubçek, numri dy Partisë Komuniste të Çekosllavakisë, i cili konsiderohej si komunist liberal, zëvendësoi Antonin Novotny, që deri në atë kohë ishte në krye të partisë dhe shpall qëllimin e tij për të vazhduar përpara me reforma të gjera. Ndërkohë, Novotny u kritikua nga liberalët e partisë dhe intelektualët e njohur çekosllavak, për performancën e dobët ekonomike të qeverisë së tij dhe paragjykimet e tij anti-Sllovake. Ndryshe nga ai, Dubçek shikohej si “kandidati i përsosur i kompromisit”, i pranueshëm si për anëtarët e partisë konservator, ashtu edhe për krahun reformator.Pas kësaj “rrokate”, udhëheqja e Partisë Komuniste e Çekosllavakisë, me në krye Dubçekun, aprovoi zgjerimin e programit të reformës ekonomike të filluar në vitin 1967. Ndërkohë, gazetarët, studentët dhe shkrimtarët, bënin thirrje për shfuqizimin e ligjit të censurës së shtypit të vitit 1966. Ndërkohë nga fillimi i muajit mars, tubimet publike të mbajtura në Pragë dhe qytete dhe qytete të tjera në mbështetje të politikave të reformave liberale, shprehin kritikë në rritje ndaj presidencës së Novotny dhe nisur nga kjo situatë, më 22 mars, Novotny detyrohet dhe jep dorëheqjen nga edhe nga president i federatës çekosllovake, pasi u përball me presionin e liberalëve të partisë. Një javë më vonë, më 30 mars, gjenerali Ludvik Svoboda, zgjidhet president i Çekosllovakisë. Svoboda ishte konsideruar si një “Hero i luftës” dhe ai kishte shërbyer edhe në legjionin çekosllovak, në fillimin e Luftës Civile Ruse, në vitin 1918. Më 5 prill, publikohet “Programi i Veprimit i Partisë Komuniste”, pjesë e përpjekjes për të siguruar “socializmin me një fytyrë njerëzore”, të cilin kishte predikuar prej kohësh Dubçek, i cili në thelb të atij programi, kishte “demokratizimin” e sistemit politik dhe ekonomik. Dokumenti i referohet një “eksperimenti unik në komunizmin demokratik”. Por ndërkaq, kjo do të thoshte se Partia Komuniste, tani e tutje do të duhet të garojë me partitë e tjera në zgjedhje. Dokumenti parashikonte një reformë graduale të sistemit politik, për një periudhë 10-vjeçare.

Më 18 prill, u formua një qeveri e re nën aleatin e Dubçek dhe reformatorin Oldrich Çernik. Të gjitha këto ndryshime bënë që proçesi i liberalizimit të ecte gjithnjë e më shumë, gjë e cila po dukej edhe nga liria e shtypit që po bëhej më i hapur në mbështetje të lirive të njeriut. Më 1 maj, festimet e “Ditës së Punëtorëve”, treguan mbështetje të madhe për “kauzën e re” dhe disa ditë më vonë, udhëheqësit çekosllovakë, vizitojnë Moskën, ku udhëheqja sovjetike, shprehu pakënaqësi për zhvillimet në Çekosllovaki. Më 29 maj, një numër i zyrtarëve të lartë të ushtrisë sovjetike, vizitojnë Çekosllovakinë, me synimin për të filluar disa stërvitje të mëdha ushtarake sovjetike në atë vënd. Kurse më 26 qershor, u njofta zyrtarisht se censura tashmë ishte është hequr. Më 27 qershor, u mbajt manifestimi “Dy mijë Fjalë” i firmosur nga reformatorët, përfshirë edhe disa anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Çekosllavakisë, i cili u publikua në “Literarny Listy” dhe botime të tjera. Ai manifestim bënte thirrje për “demokratizim”, rivendosjen e Partisë Social- Demokratike dhe krijimin e “Komiteteve të qytetarëve”. Manifesti ishtë një alternativë më radikale për “Programin e Veprimit”, që ishte mbajtur në muajin prill nga ana e Partisë Komuniste. Më datën 4 korrik, filluan stërvitjet ushtarake sovjetik në Sumava, me qëllim forcimin ndaj forcave antikonformuese në Çekosllovaki. Kurse më 15 korrik, përfaqësuesit e partive komuniste të Bashkimit Sovjetik, Hungarisë, Polonisë, Gjermanisë Lindore, Rumanisë dhe Bullgarisë, u takuan në Varshavë dhe pas një raundi të qetë bisedimesh, vendosën të dërgojnë një notë diplomatike, të shprehur me forcë dhe duke paralajmëruar udhëheqësit e rinj çekosllovakë, se: “situata në Çekosllovaki, rrezikonte interesat e përbashkëta jetike të vendeve të tjera socialiste”.

Më datën 29 korrik deri më 1 gusht, bisedimet zhvillohen vetëm midis presidiumeve të partive komuniste çekosllovake dhe sovjetike, në Cierna-nad-Tisou. Aty Dubçek argumenton se: “reformat nuk rrezikojnë rolin e partisë, por ndërtuan mbështetje publike”. Sovjetikët nuk i pranojnë këto argumente dhe kritikojnë ashpër lëvizjet çekosllovake, gjë e cila ishte një farë presioni i hapur ku ndjeheshin qartë kërcënimet e pushtimit. Ndërkaq, më 31 korrik, Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria, Bullgaria, dhe Bashkimi Sovjetik, njoftojnë se do të zhvillojnë stërvitje ushtarake pranë kufirit çekosllovak. Më 3 gusht, një takim i “Traktatit të Varshavës” (pa Rumaninë) është mbajtur në Bratislava. Takimi sjell një pajtim në dukje midis drejtuesve të “Paktit të Varshavës” dhe udhëheqjes çekosllovake. Këtu për herë të parë, njoftohet e ashtuquajtura “doktrinë e Brezhnievit” për “sovranitet të kufizuar”. Udhëheqësi sovjetik i Kremlinit, Leonid Brezhniev, merr një letër të shkruar me shkrim dore, nga pesë anëtarë të Presidiumit Çekosllovak, të cilët paralajmërojnë se “rendi socialist është nën kërcënim”, dhe ata i kërkojnë ndërhyrje ushtarake. Kështu gjërat po agravonin dhe më 18 gusht, Kremlini vendos për pushtimin e Çekosllovakisë. Komandanti i Forcave Qendrore Sovjetike, gjenerali Aleksandr Çitizov, tregonte, se si Ministri Sovjetik i Mbrojtjes, Andrei Grechko, u deklaroi byroistëve dhe udhëheqësve ushtarakë, duke u thënë: “Pushtimi do të bëhet edhe nëse ajo çon në një luftë të tretë botërore.”

Dhe kështu ndodhi, më 20 gusht 1968, Çekosllovakia pushtohet nga rreth 500.000 trupa nga ushtritë e pesë vendeve të paktit të Varshavës (Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania Lindore), të cilat brenda natës në 21 gusht, u futën të gjitha në territorin e Çekosllovakisë. Ndërkaq, vetëm Rumania dhe Shqipëria denoncojnë publikisht pushtimin e Çekosllovakisë. Më 21 gusht, menjëherë pas orës 01.00, radio shtetërore çekosllovake, njofton pushtimin nga trupat e pesë vendeve të Paktit të Varshavës. Spikeri njofton se: “Pushtimi ndodhi pa dijeninë e autoriteteve Çekosllovake dhe Presidiumi u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës, që të ruajnë paqen dhe të mos i rezistojnë ushtrive përparuese”, duke theksuar se “mbrojtja e kufijve tanë tani është e pamundur dhe ushtrisë i janë dhënë urdhra të qëndrojnë në kazermat e saj dhe të mos bëj asnjë rezistencë”. Po më 21 gusht, në ora 03.00, kryeministri çekosllovak, Oldrich Çernik, Dubçek, Jozef Smrkovsky dhe Frantisek Kriegel, katër reformatorët kryesorë në udhëheqjen çekosllovake, arrestohen në ndërtesën e Presidiumit të Partisë Komuniste nga trupat desantuese ajrore sovjetike.

Pas kësaj, nga ana e qeverisë tashmë nën okupim, shpërndahen fletëpalosje, ku ndër të tjera thuhej se: “Trupat ushtarake u dërguan për t’i ardhur në ndihmë të klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve të Çekosllovakisë për të mbrojtur përfitimet socialiste”. Në ora 05.30 po të datës 21 gusht, Agjensia Telegrafike “Itar-Tass”, njofton se Partia Komuniste e Çekosllovakisë dhe zyrtarët e qeverisë, kërkuan ndihmë urgjente nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera vëllazërore. 30 minuta më pas, më 06.00, Svoboda, me anë të radios, bën thirrje për qetësi, duke thënë “njerëzit të shkojnë në punë normalisht”. Në ora 08.00, turmat e qytetarëve çekë dhe trupat sovjetike, përballen me njëra-tjetrën në “Sheshin e Qytetit të Vjetër” dhe “Sheshin Ëenceslas”. Tanket e ushtrive pushtuese shfaqen në Muze dhe fillojnë të hapin zjarr në ndërtesat afër dhe në drejtim të Muzeut Kombëtar.

Ndërkaq Dubçek dhe drejtuesit e tjerë të partisë, kanë “fluturuar” në Moskë dhe janë të detyruar të marrin pjesë në bisedime me udhëheqjen e Kremlinit. Ata nënshkruajnë një dokument, në të cilin ata heqin dorë nga pjesë të programit të reformës dhe bien dakord për praninë e trupave sovjetike në Çekosllovaki. Pushtimi i Çekosllovakisë tërheq vëmëndjen e fuqive perëndimore, si dhe partive komuniste e socialiste në Perëndim. Presidenti i SHBA-së, Lyndon B. Johnson, u bën thirrje sovjetikëve të tërhiqen nga Çekosllovakia. Më 23 gusht, Svoboda “fluturon” në Moskë me një delegacion të madh të udhëheqësve komunistë çekosllovak, për të negociuar një zgjidhje.

Më 25 gusht, udhëheqësit çekosllovak nënshkruajnë të ashtuquajturin “Protokoll të Moskës”, i cili heq dorë nga pjesë të programit të reformës dhe pajtohet me praninë e trupave sovjetike në Çekosllovaki. Më 27 gusht, Svoboda kthehet në Pragë me Dubçek, dhe Çernik. Më 31 gusht, Kongresi i 14-të i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë u shpall i pavlefshëm, siç kërkohej nga protokolli i Moskës. Censura është rivendosur në vend. Më 13 shtator, Shqipëria del zyrtarisht nga “Traktati i Varshavës”, ndërsa Rumania fillon vijen politike autonome te saj nga Blloku lindor, për t’u lidhur me ngushte me Perëndimin.

Më 28 tetor, Çekosllovakia bëhet një Republikë Federale, duke qenë kështu dhe objektivi i vetëm kryesor i procesit të reformës që u vu në zbatim. Më 16 janar 1969, studenti çekosllovak Jan Palach, vetëdigjet në në një nga demonstratat e zhvilluara në mes të Pragës, në shenjë proteste ndaj pushtimit sovjetik të vëndit.

Më 17 prill 1969, Dubçek u largua si sekretar i parë i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, pas trazirave që pasuan fitoren e skuadrës së hokejistëve çekosllovak, ndaj një ekipi sovjetik në Stokholm. Dubçek u zëvendësua nga Gustav Husak, i cili pati mbështetjen e plotë të Bashkimit Sovjetik. Ditari i Enver Hoxhës me shënime rreth ngjarjeve të pushtimit të Çekosllavakisë nga Bashkimi Sovjetik.

E MERKURE

21 GUSHT 1968 REVIZIONISTËT SOVJETIKË INVADOJNË USHTARAKISHT ÇEKOSLLOVAKINË

Revizionistët sovjetikë, të mbuluar me mantelin e Traktatit të Varshavës, bënë agresion ushtarak kundër Republikës Çekosllovake dhe popullit të saj. Sot në mëngjes e gjithë Çekosllovakia u gjend e robëruar, nën zinxhirët e tankeve sovjetike. Agresion tipik fashist pa asnjë arsye, duke shkelur ligjet dhe normat ndërkombëtare si dhe vetë nenet e Traktatit të Varshavës. Pushtimi i Çekosllovakisë as nuk mund të barazohet me ndërhyrjen e tankeve të Hrushovit në Hungari dhe as të invokohen arsyet e ndërhyrjes atje. Tjetër gjendje paraqitej në Hungari, tjetër në Çekosllovaki. Pushtuesit revizionistë sovjetikë dhe aleatët e tyre të Traktatit të Varshavës u futën në Çekosllovaki si kusarët natën dhe pasi ishin ngalasur e puthur në Bratislavë, deklaratën e së cilës e shpallën “urbi et orbi” si një “dokument historik” që “rregulloi çdo gjë, që çelikosi unitetin, miqësinë në mes tyre” etj. Vetëm ne e demaskuam këtë si një blof të madh dhe kështu doli. Bratislava ishte një perde tymi për këtë agresion. Siç e kam thënë dhe në një shkrim të mëparshëm, ajo mund të ishte edhe një shans i fundit, i pashpresë që i jepej krahut liberal revizionist, i cili mendonte se mund të ujdisej me revizionistët çekë. Por fakt është se në mbledhjen e Bratislavës dhe në dokumentin që u botua pas saj, as që bëhej fjalë fare për Çekosllovakinë, as për letrën e Varshavës, as për çka kishte ngjarë e do të ngjiste pak ditë më vonë. Ajo ishte një kartë, një gjellë krejt pa kripë, që sigurisht përveç çekëve as nuk kënaqi, as nuk gënjeu njeri. Pas mbledhjes së Bratislavës çekët pritën triumfalisht edhe Titon i cili u kurdis si gjel shpëtimtar i Çekosllovakisë dhe ky u largua nga Praga plot besim, plot mburrje, me kokën lart, me gjoksin përpara dhe, për shërbimet që bëri, mori një çek prej 13 milionë dollarësh nga qeveria çekosllovake dhe një tjetër prej 16 milionë dollarësh nga amerikanët. Pak ditë më vonë çekosllovakët pritën rumunkën Çaushesku, tjetër pulë kjo e zgjebosur, por me sqep përpjetë e që u hoq si “trim me fletë”. Ky nënshkroi dhe traktatin e ndihmës reciproke, ku theksohet në mënyrë të veçantë se të “dy shtetet do të mbrojnë njëri-tjetrin nga ndonjë ose nga shumë shtete agresore”! Çaushi nuk u mjaftua me mbrojtjen nga “një agresor”, por i’a hante syri për mbrojtje edhe “nga një grup” agresorësh. Revizionistët sovjetikë, polakë, gjermanë, hungarezë dhe bullgarë hynë nga të katër anët e kufijve të Çekosllovakisë dhe, për tërë natën, deri në mëngjes, pushtuan Pragën, kapën radion, rrethuan godinën e qeverisë, të Komitetit Qendror, të Parlamentit, të presidentit dhe nuk u dëgjua asnjë pushkë. Jo vetëm kaq po krerët revizionistë çekosllovakë dhanë urdhër që ushtri e popull “të rrinë urtë dhe qetë”, sipas “traditës së karakterit të tyre”. Sa për ndihmën e Rumanisë, në bazë të traktatit, nuk është nevoja të zgjatemi: Revizionistët rumunë e kanë bërë në brekë dhe shpejt do të qelbet dynjaja. Natyrisht jemi akoma në momentet e para dhe patjetër ngjarjet do të zhvillohen. ReVizionistët sovjetikë bënë një akt të dëshpëruar, vdekjeprurës për ta. Ata u diskredituan nga të katër anët, edhe te miqtë e tyre revizionistë, pse shumica e tyre nuk janë dakord me këtë akt brutal me pasoja të rënda për ta. Por revizionistët sovjetikë këtë veprim të dëshpëruar nuk e bënë nga malli, por nga halli, u erdhi thika në grykë. Sigurisht në gjirin e udhëheqjes revizioniste sovjetike do të ketë ndryshime, do të ketë kurbanë. Kush janë ata? Do të shohim. Kush do të mbetet? Prapë të këqij, por sidoqoftë krizat, veçanërisht kriza të tilla, që vënë mirë në dukje kalbëzimin e oportunizmit revizionist, nuk janë në favorin e tyre, por të revolucionit. Ushtarakët duhet të kenë gisht në këto ngjarje dhe ka mbisunduar pikëpamja e tyre. I tërë ky zhvillim do të acarojë gjendjen ndërkombëtare dhe ka mundësi që të alarmohet opinioni revizionisto-kapitalist. Do të thellohen kontradiktat, do të turbullohen ujërat në kënetën e qelbur të bashkekzistencës paqësore dhe aleanca ruso-amerikane në mos të çara, do të pësojë të gërvishtura serioze. Opinioni botëror, frika, dyshimet do të luajnë rolin e tyre. Revizionistët nga janë e nga s’janë, do të bëhen fërtele me njëri-tjetrin, lesh e li, më keq se ç’janë bërë. Forcat revolucionare duhet të ngrihen dhe të përfitojnë nga këto situata që janë shumë të favorshme për ne. Ne nga ana jonë duhet të vazhdojmë luftën dhe propagandën tonë kundër imperializmit dhe revizionizmit me intensitet më të madh. Ne duhet të mbajmë qëndrim menjëherë për të dënuar agresionin, për të mbrojtur Republikën Popunore të Çekosllovakisë dhe popullin çekosllovak, të demaskojmë revizionistët sovjetikë dhe revizionistët kapitullantë çekë, të demaskojmë imperializmin dhe titizmin. Popullit çekosllovak dhe marksistë-leninistëve revolucionarë çekosllovakë t’u themi se e vetmja rrugë e shpëtimit, në rast se duan të rrojnë të lirë dhe të ndërtojnë me të vërtetë një vend socialist, është revolucioni me armë kundër invadorëve revizionistë të brendshëm dhe të jashtëm dhe kundër çdo ndërhyrjeje të imperialistëve e të titistëve. Rrugë tjetër nuk ka. Lufta e armatosur kërkon krijimin e një partie të re marksiste-leniniste çekosllovake të tipit Lenin-Stalin. Parti tjetër me arna nuk hyn në punë dhe nuk të nxjerr në rrugë të drejtë.

(Kosova Sot Online)