
Lexoni edhe:
Vjosa Osmani kishte sfiduar publikisht Isa Mustafën i cili LDK-në e kishte bërë bisht të PDK-së
Shkruan: ANALISTI-Gëzim Mekuli
Deklarata e Kryeministrit Kurti nuk duhet interpretuar vetëm si një manifestim i komoditetit elektoral, por si një diagnozë të saktë politike të realitetit aktual në Kosovë. Kur Kurti pohon se Lëvizja Vetëvendosje «nuk ka nevojë për një tjetër fitore, por opozita ka nevojë për një tjetër humbje», ai thekson nevojën për një proces të domosdoshëm pastrimi dhe reformimi të skenës politike. Fitorja historike prej 51.1% nuk ishte thjesht një numër; ajo përfaqësonte një kontratë të re sociale mes popullit shqiptar dhe një udhëheqjeje të pakorruptuar. Suksesi i Kurtit është i qëndrueshëm sepse ai buron nga legjitimiteti i pastër qytetar dhe nga parimet e palëkundura të ndërtimit demokratik të shtetit, sovranitetit dhe mbrojtjes së integritetit territorial.
-Nga ana tjetër, aleanca opozitare mbetet e bllokuar në mentalitetin e vjetër të kapjes së shtetit, nepotizmit dhe aleancave të dyshimta, duke e lënë Kosovën të varfëruar për dy dekada. Opozita është e pafuqishme sepse i mungon një alternativë morale dhe programore. Humbja e pritshme e radhës për këtë bllok bllokues nuk është një ndëshkim, por një nevojë terapeutike për demokracinë e Kosovës; ajo është një mesazh i qartë se koha e keqpërdorimit të pasurisë publike ka përfunduar. Kurti nuk po bën asgjë tjetër, përveç se po artikulon vullnetin e popullit, i cili i thotë 'jo' rikthimit prapa.
Ndikimi i mërgatës në zgjedhjet e 7 qershorit është dhe do të mbetet monumental, por ky ndikim nuk duhet reduktuar në terma matematikorë apo varësi elektorale të një partie. Mërgata shqiptare nuk voton për interesa klanore ose favore personale; ajo nuk është e shantazhuar me vende pune apo tenderë, siç ndodhte dikur me kastat politike të vjetra. Mërgata voton me një ndjenjë të pastër kombëtare dhe patriotike, për Shtetin, për Kosovën, për tërësinë territoriale, kundër korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe ndaj çdo forme dhune.
Pse kjo votë e masës shkon masivisht për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen? E thjeshtë: Mërgata jeton në vende me demokraci të konsoliduar perëndimore (si Norvegjia, Suedia, Gjermania, Zvicra, Franca) dhe e di se si funksionon një shtet ligjor ku drejtësia është e pranishme dhe qytetari respektohet. Kur mërgata sheh te Albin Kurti një lider të paprekshëm nga korrupsioni, që mbron me dinjitet veriun e Kosovës dhe që lufton krimin e organizuar, ata shohin reflektimin e vlerave evropiane në Kosovë. Prandaj, mbështetja e tyre për Vetëvendosjen është një aleancë natyrale mes qytetarisë së ndritur dhe qeverisjes progresive; mërgimtarët nuk votojnë për parti apo individë, por për një pjesë të Norvegjisë, Gjermanisë, Suedisë, Francës dhe Austri në Kosovë. A e kuptoni, të nderuar?
Regjistrimi rekord i mërgatës është një përgjigje e qartë dhe një dëshmi e dështimit të plotë të një propagande të egër, të pandërprerë dhe të orkestruar brenda Kosovës. Si një intelektual shqiptar që jeton jashtë, por vizitoj rregullisht vendlindjen time, duhet të shpreh turpin për nivelin e ulët të makinerisë propaganduese që operon 24/7 kundër Kryeministrit Kurti.
Gjatë qëndrimit tim të fundit në Kosovë, për shkak të angazhimeve personale, kisha nevojë të udhëtoja çdo ditë me veturë midis Pejës, Prishtinës dhe Gjakovës. Në këto udhëtime, isha i tronditur nga ajo që dëgjoja në radio, veçanërisht në Radio Dukagjini. Propaganda atje ishte aq e ulët dhe primitive sa tejkalonte çdo kufi të imagjinatës dhe etikës gazetareske. Besoni, çfarëdo teme që trajtohej, devijohej qëllimisht për të sulmuar Albin Kurtin; madje edhe në emisionet e kuzhinës, ku flitësh për pite, fli, kaçamak, kastraveca apo speca, gjithmonë ndiheshin tonet e sulmeve ndaj Kurtit. Edhe në temat sportive dhe parashikimet për motin, gjenin mundësi për të shpifur dhe propaganduar kundër Lëvizjes Vetëvendosje.
Arrita në një pikë ku ndjeva turp para djalit tim, Nokës, i cili ishte ulur pranë meje në veturë dhe dëgjonte këto manipulime dhe rrena. Ai ishte i habitur nga ato që dëgjonte, ndërsa unë isha i shqetësuar për këtë dekadencë të mediave. Këto nuk janë media të pavarura; ato janë mjete në duar të korruptuara, që e kanë zhvatur dhe varfëruar Kosovën që nga paslufta, duke mbijetuar përmes financimeve të dyfishta dhe tejet të dyshimta.
Mendimi im është se populli shqiptar në Kosovë është i madh, me pjekuri dhe vlera të shquara; e them këtë me plot përgjegjësi, sepse edhe një shtet si Norvegjia do të çorientohej dhe trulloset përballë një propagande kaq agresive dhe të pandërprerë. Pyetja që ngrihet natyrshëm është: Si arritën këta "gazetarë" të mos lodhen? Sa shumë para fshihen pas këtyre mediave dhe analistëve të paguar që kanë mundësinë të mbajnë ndezur një makineri të tillë të manipulatorëve dhe të çmendin një komb të tërë?
Fakti që ky popull nuk thyhet tregon se shqiptarët janë mendërisht të fortë dhe me një intuitë të mprehtë politike. Ata nuk lejojnë më të mashtrohen apo të manipulohen; as nga mediat e kapura shqipe, as nga ato serbe. Sot, nuk është e lehtë të dallosh kufirin mes përmbajtjeve të mediave të korruptuara të Prishtinës dhe atyre të Beogradit; të trija palët ndjekin të njëjtin objektiv: Albin Kurtin. Por shqiptarët e kanë kuptuar në mënyrë të qartë lojën e retorikës dhe fotografisë së propagandës.
Prandaj, regjistrimi rekord i mërgimtarëve është një reflektim i vetëdijes kombëtare. Mërgata, e mbrojtur gjeografikisht nga ky helm medial, por me mendje dhe zemër në Kosovë e Shqipëri, shërben si gardiani i të vërtetës dhe sovranitetit të Kosovës. Kjo votë masive do të luajë sërish një rol kyç në fitoren e VV-së, duke treguar se populli nuk e dorëzon shtetin e tij te ata që e vodhën, pavarësisht propagandës 24-orëshe.
Tek mërgimtarët, po dëgjohet një shprehje dominonte dhe e dhimbshme njëkohësisht: "Kosova është djepi i shqiptarisë; mos ia lëni n’dorë Samisë."
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".