“Të shmangim luftën civile!”/ Historiani Paskal Milo dokumenton përpjekjet e fundit për bashkim të Ballit me PKSH në 1943: Mehdi beu s’po qëndron mirë, ka rënë në…

  • G.g /
  • 24 June 2021 - 12:28
“Të shmangim luftën civile!”/ Historiani Paskal Milo dokumenton përpjekjet e fundit për bashkim të Ballit me PKSH në 1943: Mehdi beu s’po qëndron mirë, ka rënë në…

Historiani i njohur, profesor Paskal Milo, në studimin e tij për aktorët dhe faktorët shqiptarë në Luftën e Dytë Botërore, sjell fakte për përpjekjet e fundit për kompromis të bëra nga Balli Kombëtar me PKSH-në dhe Frontin Nacionalçlirimtar. Sipas profesor Milos, qëllimi i këtyre përpjekjeve dhe takimeve të zhvilluar me eksponentë drejtues të të dy palëve, ishte të shmangej përplasja e armatosur mes njëri-tjetrit, pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe pushtimit të vendit nga Gjermania naziste.

Janë disa kërkesa për takime që bëheshin nga drejtues lokalë të Ballit Kombëtar si Hasan Dostit, Fuat Dibrës dhe të tjerë të cilat në pjesën më të madhe janë miratuar nga Enver Hoxha. Kanë qenë Nako Spiru, Ymer Dishnica dhe Omer Nishani që janë takuar me përfaqësuesit e Ballit. Përfaqësuesit e Enver Hoxhës, sipas kujtimeve dhe dokumenteve  të protagonistëve, kanë këmbëngulur në bashkëpunim mes tyre, por si pjesë e Frontit dhe jo si formacione të veçanta luftarake dhe politike. Profesor Milo fakton një takim të zhvilluar më 1 tetor 1943 mes Ymer Dishnicës e Omer Nishanit dhe Mehdi Frashërit, Kryeministrit të qeverisë së përkohshme.

Por, duket që takimi nuk i justifikoi shpresat e dy përfaqësuesve të lartë të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo del nga letra që Dishnica i dërgoi Enver Hoxhës ku i shkruante se “Mehdi beu nuk po qëndron mirë. Ka rënë në pozita gjermane, ka rënë në pozitat e Ballit, pozita jonë i duket intransigjente, pozitë komuniste… Luftën tonë të sotme e quan ‘Holokauste’ (flijim-fr), s’ka asnjë besim nër Aleatët e Mbëdhenj… akoma nuk ka dal me shtyp ose haptazi në skenën politike, të gjitha i bën në ‘kuliset’”.

PASKAL MILO

PËRPJEKJET E FUNDIT PËR KOMPROMIS MES BALLIT KOMBËTAR E PKSH

Denoncimi nga PKSH-ja i Marrëveshjes së Mukjes deri në fillim të shtatorit 1943 kishte mbetur brenda një qarku të kufizuar njerëzish. Edhe dënimi i ashpër edhe hedhja poshtë që  iu bë asaj në Konferencën e dytë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar në Labinot në 4-9 shtator 1943 u la në hije para ngjarjeve të mëdha siç ishin kapitullimi i  Italisë dhe pushtimi i shpejtë i Shqipërisë nga divizionet gjer- mane. Përkohësisht u krijua një situatë e çuditshme me  largimin, dorëzimin dhe çarmatimin e forcave italiane. Njerëzit i gëzoheshin kapitullimit të armikut të djeshëm dhe nuk shikonin ose ushqenin iluzione për armikun e ri, që ndërkohë u kishte hyrë në shtëpi, nazistët gjermanë.

Pushtimi gjerman e gjeti udhëheqjen kryesore të Ballit Kombëtar në veri të Shqipërisë ndërsa atë të PKSH e F.N.Ç  në Labinot. Mit’hat Frashëri u informua menjëherë për Konferencën e Labinotit, për mënyrën si u trajtua atje Balli Kombëtar dhe Konferenca e Mukjes. Për më tepër, në 12 shtator PKSH-ja nxori një trakt që riprodhonte akuzat ndaj Ballit  dhe Mukjes me fjalorin që ishte përdorur në Labinot. Trakti ishte përgjigja “zyrtare” që Balli priste por që u bë në  mënyrë publike nga PKSH-ja.

Pas një “armëpushimi” relativ prej gati një muaj e gjysmë të debatit publik mes dy  palëve, rinisi propaganda kundër njëra-tjetrës. Balli iu përgjigj traktit me trakt. E akuzoi PKSH-në se kurdoherë kishte mbajtur ndaj Ballit Kombëtar “një pozitë sulmuese  dhe arrogante”, se Fronti Nacionalçlirimtar ishte “vetëpjellje djallëzore” e saj. Trakti e quante momentin një pikë kritike në të cilin Balli Kombëtar ishte i detyruar të shpjegonte  në mënyrë publike e për herë të parë qëndrimin e tij për Marrëveshjen e Mukjes dhe arsyet pse ajo u prish nga PKSH-ja. Njëkohësisht trakti i bënte thirrje F.N.Ç që të bënte edhe ai publike arsyet që çuan në hedhjen poshtë të saj. Acarimi i marrëdhënieve mes palëve ende nuk arriti në  pikën që ato të dilnin jashtë kontrollit. Mosbesimi dhe dyshimet e ndërsjella u shtuan dhe po kështu edhe incidentet, por u ruajtën kontaktet minimale mes njerëzve më pak radikalë e që shërbenin si ndërmjetës. Nga F.N.Ç, të tillë ishin Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani e Nako Spiru, ndërsa nga Balli Kombëtar, Hasan Dosti, Fuat Dibra, Ramazan Jarani, Nexhat Peshkëpia, Safet Butka, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Abas Ermenji, etj.

Marrëdhëniet midis tyre në praktikë e në opinion u ngjanin një armëpushimi të sforcuar në gjysmën e dytë të shtatorit, një paqeje të  trazuar para stuhisë. Me pak përjashtime, përplasja kishte karakter politik dhe palët u përpoqën të shfrytëzonin pikat e dobëta të kundërshtarit për të forcuar të tyret. Propaganda e PKSH-së ishte më e organizuar, me mjete dhe mundësi më të mëdha, gazeta, broshura, trakte, etj. Vetë Balli mund të kishte njerëz me nivel më të lartë kulturor, por ata kishin dy mangësi: e para ishin të lëkundur, jo të bindur se duhej luftuar me armë kundër gjermanëve dhe e dyta, u  treguan të ngathët e të pa vendosur në shpalosjen e qëndrimeve të tyre. E dyta rridhte edhe nga e para. Përgjithësisht  udhëheqja qendrore e Ballit ishte e vjetër në moshë e në mendime, njihte politikën klasike të kohëve normale, por jo politikën e kohës së luftës. Asaj i mungonte operativiteti dhe vendimmarrjet e saj ishin të vonuara. Kështu ndodhi edhe me  qëndrimin e Ballit ndaj pushtimit gjerman.

Në njoftimin që lajmëronte përjashtimin e Lef Nosit nga radhët e tij, Balli e motivonte me argumentin se ai kishte dalë jashtë direktivave “për një luftë të paprerë kundër çdo okupatori”. Elementë të veçantë të Ballit në disa qarqe, veçanërisht në Vlorë, Korçë, Berat, kishin një qasje tjetër nga udhëheqja e tyre qendrore, ishin shfaqur si antifashistë në veprime dhe kishin bërë edhe disa luftime të para kundër gjermanëve. Por, ata nuk ndikuan në ndryshimin e qëndrimit të Ballit në qendër. Përballë kësaj situate të re është Balli Kombëtar që shtrin  dorën e kërkon bashkëpunim me PKSH-në e Frontin Nacio- nalçlirimtar. Nako Spiru dhe Ymer Dishnica në 15 shtator  1943 njoftojnë Enver Hoxhën se “Fuat Dibra kërkon me urgjencë takim me neve sidomos sa i përket punës sonë me Ballin Kombëtar”.

Në Vlorë po në këtë kohë, Azis Çami që pas vrasjes së Hysni Lepenicës ishte emëruar komandant i Ballit për Shqipërinë e Jugut, i propozoi qarkorit të PKSH-së  së Vlorës bisedime për një bashkim në luftë kundër pushtuesve të rinj gjermanë. Por, Liri Gega si e deleguar e K.Q së PKSH-së për qarkun, kishte refuzuar sepse siç i shkruante ajo Enver Hoxhës, “ne nuk duam asnjë bashkëpunim në luftë, luftën e bëjmë vetë, pranojmë vetëm ata që duan të luftojnë si anëtarë të frontit Nacionalçlirimtar”. Të gjitha informacionet dhe propozimet nga ana e Ballit Kombëtar kryqëzoheshin tek Enver Hoxha dhe në përgjithësi  pasi gjykoheshin e miratoheshin prej tij realizoheshin. Kështu ndodhi me kërkesën e Fuat Dibrës. Vetëm pasi ai e aprovoi, Ymer Dishnica dhe Omer Nishani e takuan e biseduan me të. Në 1 tetor, doktor Dishnica informonte Hoxhën se “poqmë Fuat Dibrën, i cili do bashkim, por ashtu sipas ‘avazit të Mukjes’, Fuati e dënoi qëndrimin e Ballit me buzë e me fjalë, por me punë e ka zor. Ka shumë miq ballistë”. Një takim tjetër  këtë herë i ndërmjetësuar nga shefi i misionit britanik, Maklin u bë në Pogradec midis Kol Tromarës e Jani Dilos të Ballit  Kombëtar me përfaqësuesit e forcave partizane Pilo Peristeri e Isuf Kambo në 24 shtator 1943 për organizimin e një aksioni të përbashkët në Qafë Thanë kundër autokolonave gjermane.

Atmosfera e përgjithshme e marrëdhënieve të PKSH-së me Ballin Kombëtar pas mbledhjes së dytë të Këshillit të Përgjithshëm në 4-9 shtator 1943 po vinte duke u rënduar, por ajo nuk i pengoi takimet mes palëve. Ato më tepër ishin lëvizje taktike për t’ia lënë përgjegjësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve njëri-tjetrit e për të influencuar në popull. Nuk përjashtohet  se mes tyre ka pasur edhe individë që me ndërgjegje dëshironin bashkëpunim kundër pushtuesve nazistë, shmangien e përplasjeve midis dy forcave politiko-ushtarake. Edhe kur pas 1 tetorit 1943 përplasja mes tyre u bë fakt i kryer, u bënë përpjekje për ta ndalur rrjedhën negative të ngjarjeve e për të gjetur kompromiset e mundshme. Përsëri iniciativa erdhi nga radhët e Ballit Kombëtar. Nuk ka qenë e qartë nëse nismat për të takuar përfaqësues të lartë  të PKSH-së nga ana e Ballit Kombëtar kanë qenë kolegjiale, “zyrtare” apo individuale, ose të dyja bashkë.

Në 12 tetor, Enver Hoxha informohet nga Nako Spiru se “Hasan Dosti me Nexhatin (Peshkëpinë-PM) kanë kërkue me këmbëngulje të takohen me ne, veçanërisht Nexhati me mue”. Pasi është marrë pëlqimi i Enver Hoxhës, Nako Spiru, Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi e takuan Hasan Dostin në shtëpinë e  Ramazan Jaranit, ish-pjesëmarrës i Konferencës së Pezës, arsimtar i njohur tiranas që kishte kaluar me Ballin Kombëtar.  Nga sa ka dëshmuar Ymer Dishnica në qendër të bisedës ka qenë nevoja për të shmangur luftën e armatosur mes palëve. Përshtypja e doktorit ishte se Hasan Dosti “dukej si i trembur”. Ai u deklaroi përfaqësuesve të PKSH-së se “kam frikë se  mos dalin në krye të Ballit Kombëtar intransigjentët, (ekstremistët-PM) ata që janë për një luftë me armë kundër Lëvizjes  Nacionalçlirimtare”. Hasan Dosti më vonë në emigracion nuk e përmend këtë pjesë të bisedës, por vetëm për sa u diskutua për çështjen e Kosovës.

Nako Spiru duke mbrojtur pozitën e PKSH-së ndaj  kësaj çështjeje shkruante ai, “më ishte çfaqur me tërë brutalitetin e shpirtit dhe me arrogancën e temperamentit që karakteri- zonin personin e tij…”. Hasan Dosti e pohon qartë ekzistencën  e dy rrymave në gjirin e Ballit Kombëtar. Takimin e mësipërm, i biri i tij Viktori që e shoqëronte e ka cilësuar “si një vazhdim i Mukjes”, si “tentativa e fundit për kontakte direkte mes Ballit e komunistëve”. Me këto pohime pranohet se Hasan Dosti ka pasur mandatin e udhëheqjes qendrore të Ballit Kombëtar për t’i zhvilluar këto bisedime. Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, etj., si përfaqësues të krahut konservator, siç edhe e nënkupton Hasan Dosti kanë qenë në kundërshtim me pjesën tjetër të  udhëheqjes së Ballit përfshirë edhe atë vetë që e kërkuan kompromisin. Më të avancuar për të arritur një marrëveshje me  PKSH-së kanë qenë rryma “e majtë” e Ballit, që përfaqësohej nga të rinjtë, që nuk bënin pjesë në udhëheqjen qendrore të tij. Me përfaqësues të kësaj rryme, Skënder Muço, Isuf Luzaj dhe Uan Filipi, u takuan në shtëpinë e Syrja Selfos, gjirokastrit e shok rinie i Enver Hoxhës, në po këtë kohë Nako Spiru e Ymer Dishnica.

Tema e bisedës ishte e njëjtë: shmangja e përplasjes së armatosur. Të dërguarit e PKSH-së ofruan formulën e tyre të njohur: luftë kundër pushtuesve nën ombrellën e Frontit Nacionalçlirimtar. Doktor Dishnica së bashku me Omer Nishanin takuan edhe Mehdi Frashërin të sjellë nga Roma pas 10 shtatorit me aeroplan të posaçëm gjerman. Takimi është bërë diku para 14 tetorit, dita kur Ymer Dishnica informon Enver Hoxhën. Ka qenë një përpjekje për t’i bërë thirrje për t’u bashkuar me  Frontin Nacionalçlirimtar për shkak të emrit të mirë që gëzonte nga qëndrimi i tij kundër pushtimit italian, por edhe  për meritat që kishte si nacionalist ndër vite. Ka qenë porosi e Enver Hoxhës që qarkori i Tiranës të takonte Mehdi Frashërin. U ngarkua Mustafa Gjinishi për ta organizuar këtë takim por deri në fund të shtatorit nuk kishte arritur ta realizonte. Nako Spiru e Ymer Dishnica e paralajmëronin Enver Hoxhën në 1 tetor se “ajo puna e Mehdiut… na duket si zor që të japë no një frutë me rëndësi, sidoqoftë neve do ta shohim për së afërmi”.

Takimi u krye mbi dhjetë ditë më vonë. Nuk ka qenë i lehtë për të dy palët dhe nuk dihet se ku është zhvilluar. Por duket që takimi nuk i justifikoi shpresat e dy përfaqësuesve të lartë të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo  del nga letra që Dishnica i dërgoi Enver Hoxhës ku i shkru- ante se “Mehdi beu nuk po qëndron mirë. Ka rënë në pozita  gjermane, ka rënë në pozitat e Ballit, pozita jonë i duket intransigjente, pozitë komuniste… Luftën tonë të sotme e quan  ‘Holokauste’ (flijim-fr), s’ka asnjë besim nër Aleatët e Mbëdhenj… akoma nuk ka dal me shtyp ose haptazi në sqenën politike, të gjitha i bën në ‘kuliset’”.

Këto kontakte e diskutime në thelbin e tyre të panjohura për opinionin e gjerë e të lëna në harresë ose të mohuara kanë qenë pozitive qoftë edhe në minimum. Ato thyejnë sado pak ngjyrimin bardh e zi që ka dominuar në trajtimin historiografik të marrëdhënieve të PKSH-së me Ballin Kombëtar deri në fund të shtatorit 1943. Nuk e ndalën përplasjen që po vinte, por  dëshmuan që janë kërkuar zgjidhje. Nëse ato nuk patën suk- ses, shkaku kryesor duhet kërkuar në luftën për pushtetin e  ardhshëm që të dy palët e kërkonin në mënyrën e mjetet e veta. Nuk dëshironin ta ndanin atë, veçanërisht PKSH-në.

(Kosova Sot Online)