Tragjikomedia e ka emrin PDK

  • 15 April 2019 - 16:20
Tragjikomedia e ka emrin PDK

Nuk ka gjë më tragjikomike sesa kur i dëgjon eksponentët e Partisë Demokratike të Kosovës, në tubimet e saj zgjedhore, kur premtojnë se do t'ua kthejnë shpresën qytetarëve! Po ku ishit ju deri tash?! Që prej marrjes së plotë të kompetencave nga ndërkombëtarët, PDK-ja është alfa dhe omega e secilës Qeveri apo siç thuhet "vetë pret, e vetë qep". Partnerët i ka ndërruar dhe i ka rrëzuar atëherë kur nuk ka pasur më nevojë për ta. Pa shfajësuar subjektet e tjera që janë bashkëpunëtore në krim, megjithatë PDK-ja është fajtorja kryesore pse sot mijëra kosovarë po e lëshojnë vendin, po braktisin edhe punën, sepse nuk mund të durojnë më këtë poshtërim që ua bën shteti i kapur. Ajo që na prezantohet si Dekada e Re, në fakt është kapja e re. Gjatë sundimit shtetëror në krye me PDK-në, politikanët bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre, u bënë njerëzit më të pasur të Kosovës. Gjatë tri qeverisjeve radhazi, korrupsioni përfshiu çdo zyrë shtetërore, nepotizmi u bë i zakonshëm në punësimet publike, ndërsa drejtësia u shndërrua në mashë të mafio-oligarkëve.

Pasojat e keqqeverisjes dhe kriminalizimit të shtetit janë afatgjata. Veçmas PDK-ja ndërtoi konjuktura mafioze, në sektorët kyçë, deri te sporti e kultura. Ky rrjet partiak-klientelistklanor-kriminal vendos në favorin e një pakice të lidhur me pushtetin. Pjesa dërrmuese e njerëzve, as që mund të afrohen te puna dinjitoze, projekti serioz, angazhimi i merituar, etj., etj. Prandaj, vrulli për të ikur, nuk është i papritshëm, por i natyrshëm për shkak të shterimit të alternativave. Po ta kishte seriozisht Partia Demokratike reformimin e saj, së pari do të kërkonte ndjesë publike për depresionin në të cilin e futi shoqërinë, së dyti do ta rrëzonte Qeverinë sharlatane dhe jokompetente e së treti, duke shkuar në zgjedhje, do të dilte në opozitë, që të këndellej për të mirën e Kosovës, duke u dekriminalizuar, si kriteri themelor për një parti vërtet demokratike. 

(Kosova Sot)