Zgjedhjet e reja sërish nuk do të prodhojnë shumicë funksionale prej 80 deputetësh

Zgjedhjet e reja sërish nuk do të prodhojnë shumicë funksionale prej 80 deputetësh
Zgjedhjet e reja sërish nuk do të prodhojnë shumicë funksionale prej 80 deputetësh

Gani Qarri

  • 25 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt LDK e Ibrahim Rugovës ishte parti shtetformuese në kuptimin e plotë të fjalës, e cila me plot të drejtë konsiderohej si tempulli i tolerancës e shembulli i urtësisë dhe faktori kryesor i bashkëpunimit institucional, në interes të qytetarit dhe mbarëvajtjes së Republikës së Kosovës, ndërsa sa i takon LDK-së aktuale, nuk mund t’i atribuohet një kompliment i tillë, derisa ajo nuk pranon konsensus as bashkëpunim me asnjë parti politike, megjithëse LVV ka shprehur vullnet të mirë nga ana e saj, duke njohur papjekurin totale politike të Lumir Abdixhikut, as që do duhej të bisedonte fare me të, se lëre më edhe t’i ofronte postin e Zëvendëskryeministrit dhe 4 ministri, përfshi Ministrinë e Punëve të Jashtme, ofertë e cila nuk besoj se do t’i ofrohet më nga askush, një partie që i bën konkurrencë serioze AAK-së, për vendin e parafundit dhe siç dihet aktualisht, ka vetëm 15 deputetë në Parlament.

-Lumir Abdixhiku, i trimëruar nga propagandistët dhe prodhuesit serikë të sondazheve fiktive "favorizuese" që vetëm specializantët e inskenimit të problemeve politike dinë t’i orkestrojnë në raste të tilla, me qëllim të krijimit të situatave dramatike në një vend, refuzoi një ofertë që nuk ma merr mendja se do të përsëritet më në këtë formë për LDK-në, nga cilado parti tjetër, edhe nëse nesër i fiton zgjedhjet.

Me këtë akt të pamatur dhe jo vetëm, Abdixhiku vërtetoi përfundimisht se ka për qëllim shkatërrimin total të ish partisë së dr. Ibrahim Rugovës, dikur më të madhes dhe partisë së parë shtetformuese në truallin e Kosovës, njeri që megjithëse LDK, më 28 dhjetor, pësoi humbjen e dytë më të rëndë në gjithë historinë e ekzistencës së saj dhe nga partia e parë institucionale e shtetformuese, ka rënë në pozitën e tretë apo të parafundit me rrezik permanent për të rënë edhe buzë pragut zgjedhor, me gjithë premtimet, nuk dha dorëheqje, në mënyrë që LDK të këndellet nga gafat e tij të vazhdueshme të modelit të Shqipërim Arifit dhe t’i kthehet vetvetes e të ecë përpara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se bisedimet ndërmjet palëve kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi që asnjë nga ofertat e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është pranuar nga Abdixhiku, ndaj këtu shihet qartë se tanimë vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat përveçse janë të panevojshme dhe me kosto të lartë financiare për shtetin, ato nuk do të sjellin as zgjidhjen e rastit aktual, madje pikërisht zgjedhjet e reja mund të prodhojnë edhe problemin kryesor, i cili ka rrezik të vazhdojë me riciklime serike edhe në të ardhmen.

Abdixhiku, edhe përkundër rënies trishtuese në zgjedhjet e 28 dhjetorit, çuditërisht po vazhdon me anarkinë e mëparshme dhe politikën e tij absurde “as mish-as peshk", të cilën vijon ta mbajë, dhe qëndrimin e njohur asnjërës, duke mos pranuar të hyjë në koalicion me asnjë segment politik, në pozitë as opozitë, deklarohet kundër të gjithëve dhe refuzon në vijimësi të bashkëpunojë me cilëndo nga partitë aktuale politike, njeri që me kundërshtimin e ofertës së kryeministrit Kurti për bashkëqeverisje, përfundimisht po e humb besimin si bashkëbisedues serioz dhe nuk mund të konsiderohet më si kandidat lojal për koalicione as zgjidhjen e problemeve të shtetit, i cili tanimë do të akuzohet edhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme.

Ai, duke mos pranuar postet e ofruara ministrore, as gjetjen e kompromisit për zgjedhjen e presidentit dhe mosçuarjen e Kosovës sërish në zgjedhje të reja, vetvetiu po tregon se përveç mungesës së kompromisit, me Abdixhikun e dështuar, na shfaqet sërish edhe një strategji tepër e lodhtë e LDK-së për ta çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme, me shpresën se Lumirit kësaj radhe do t’i bashkëngjitet në fushatë edhe Vjosa Osmani, parti me rënie të lirë qysh kur në krye të saj erdhi Isa Mustafa dhe me ikjen e tij, në krye të LDK-së u katapultua Lumir Abdixhiku, pa qenë kurrë as anëtar i thjeshtë i partisë në fjalë.

Dhe kjo tregon thjesht se Lumir Abdixhiku është ai që orkestroi edhe një bllokadë të re, të inskenuar politike, e cila nuk është më vetëm mungesë kompromisi, por një strategji e orkestruar në koketim me partitë “simotra” opozitare, me qëllimin monstruoz për ta çuar vendin sërish në zgjedhje të reja, gjë që plotësisht po krijon një momentum tepër të dyshimtë dhe krijimin e një situate të panjohur aktualisht në vend.

Njeri i cili tani po spastron me zell të paparë edhe LDK-në nga aktivistët më të devotshëm shumëvjeçarë të Dukagjinit, si Arben Gashi, Besa Gaxherri, Driton Selmani etj., kurse në anën tjetër, avancon siç përflitet "për arsye të simpatisë personale" parashutistë si zonja Doarsa Kica-Xhelili, një ish-aktiviste e shoqatave civile, që LVV e avancoi në deputete të Kuvendit të Kosovës dhe deri dje lavdëronte atë që sot shan LVV-në.

Duke e ditur se edhe në rast të shkuarjes në zgjedhje të reja, ato sërish nuk do të prodhojnë shumicë funksionale prej 80 deputetësh, ishte e domosdoshme që të krijohej një konsensus politik, ngase mungesa e konsensusit, përveç krizës së thellë, po dëshmon edhe paaftësinë totale të klasës aktuale politike për të ndërtuar konsensus ndërpartiak, në interes të shtetit, në mënyrë që Kosova të mos detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja, tërësisht joproduktive, të cilat mund të krijojnë probleme shtesë e anarki edhe më të madhe dhe të stërzgjatur kohore, derisa deputetët e opozitës, të votuar nga populli për të qëndruar në Kuvend dhe kontribuar për shtetin, bojkotojnë seancat parlamentare dhe ikin nga Kuvendi.

Akt me të cilin ata po shkelin me të dy këmbët obligimin ligjor dhe betimin e deputetit, se gjoja do të punojnë në interes të qytetarëve dhe do të kontribuojnë për të mirën e shtetit dhe derisa me vetëdije bojkotojnë seancat vendimtare të Kuvendit për zgjedhjen e të parit të shtetit, lind pyetja famëmadhe, se a është vallë vërtet ky kontributi real i një deputeti për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës apo ata realisht po zhvillojnë një luftë speciale, me format më të rafinuara konspirative për rrënimin e shtetit?!

Kështu që, nëse vendi detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të reja të parakohshme, qytetarët dhe votuesit aktivë të Republikës së Kosovës, para se ta hedhin votën e tyre, duhet të pyesin shumë zëshëm, në mënyrë tejet të qartë dhe plotësisht vetëdijësuese, se për kë punojnë në të vërtetë këta të ashtuquajtur deputetë dhe në shërbim të kujt janë realisht partitë e tyre politike, aventurat e të cilëve nuk po dinë të gjejnë fund, në kurriz të popullit dhe shtetit të Kosovës?!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".