Rëndësia e gjyshes në jetën e një fëmije

  • E.K /
  • 17 October 2021 - 11:17
Rëndësia e gjyshes në jetën e një fëmije

Ato nuk japin vetëm njohuri, këshilla dhe mësime prej eksperiencave të tyre, por edhe dashuri, ngrohtësi dhe përkujdesje për çdo nip apo mbesë. Gjithçka është e përcaktuar në nivel gjenetik. Një fakt që është evidentuar në fushat mjekësore, është që fëmijët trashëgojnë material gjenetik jo vetëm nga prindërit, por edhe nga gjyshërit, sepse materiali gjenetik i prindërve vjen prej gjyshërve tanë. Pra, pjesërisht, materiali gjenetik i fëmijëve tanë, është i ngjashëm me atë të prindërve tanë. Ndaj edhe ndodh shpesh që fëmijët mund t’u ngjajnë ndonjëherë më shumë prindërve tanë, sesa neve.

Ndërkohë, specialistët thonë se shumica e materialit gjenetik nga gjyshërit, vjen prej gjysheve dhe fëmija mund të ketë disa cilësi më shumë nga njëra prej gjysheve, ose nga të dyja. Është shumë e rëndësishme që prindërit ta kuptojnë rolin e rëndësishëm që gjyshet kanë për fatin e fëmijës së tyre. Sot flitet edhe për inteligjencën emotive. Sipas ekspertëve, edhe emocionet që gjyshja ka ndjerë gjatë shtatzënisë, mund të ndikojnë në zhvillimin e nipit apo mbesës së tyre.

Është e rëndësishme të mbahet në mendje, se familja është një organizëm i tërë dhe të gjithë anëtarët e saj janë të lidhur ngushtë shpirtërisht me njëri-tjetrin. Me gjenet që transmetohen, duhet të themi se nuk përcillen vetëm virtytet tek fëmijët e vegjël, por edhe sëmundjet, veset, varësitë e ndryshme etj. Për këtë arsye, mund të themi edhe që është e mundur të transmetohen edhe karakteristika lidhur me shëndetin fizik dhe psikologjik.

Por, krahas aspektit mjekësor, nëse flasim edhe për aspektin emocional, padyshim do të pranonim se gjyshet kanë një rol shumë të rëndësishëm në jetën e nipërve dhe mbesave të tyre. Në rastet kur prindërit janë të zënë me punë, mund t’i lënë fëmijët tek nënat e tyre, pra tek gjyshet, dhe ato do të tregojnë kujdes maksimal për nipërit apo mbesat. Të gjithë ne i mbajmë mend dashurinë dhe përkujdesjen e tyre.

(Kosova Sot Online)