Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë 'Trojet e Arbrit' del me njoftim 

  • A.P /
  • 21 July 2025 - 11:58
Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë 'Trojet e Arbrit' del me njoftim 

Instituti për Kulturë, Arsim dhe Trashëgimi "Hisari" – Suharekë  Njoftim 
"Qëndresa e Suharekës dhe viseve të tjera etnike shqiptare, 1912–1956" 
Në kujtim të ngjarjeve të rënda historike që rënduan mbi popullin shqiptar gjatë shekullit XX, e veçanërisht në përvjetorin e 80-të të riokupimit të Kosovës nga forcat jugosllave në vitin 1945, si dhe në 80-vjetorin e Masakrës së Tivarit – një prej krimeve më të rënda kundër shqiptarëve në fundin e Luftës së Dytë Botërore – Shoqata "Trojet e Arbrit", në bashkëpunim me Institutin për Kulturë, Arsim dhe Trashëgimi "Hisari" në Suharekë, organizojnë sesionin e XX-të shkencor, me temën qendrore: "Qëndresa e Suharekës dhe viseve të tjera shqiptare, 1912–1956".

Ky sesion ka për qëllim të hedhë dritë mbi qëndresën politike, ushtarake, kulturore dhe qytetare të shqiptarëve të Suharekës dhe viseve të tjera etnike shqiptare gjatë periudhave të rëndësishme historike, përfshirë shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë (1912), pushtimet e njëpasnjëshme, periudhën e Mbretërisë Jugosllave, Luftën e Dytë Botërore dhe instalimin e regjimit komunist në Jugosllavi. Ftojmë të gjithë studiuesit, hulumtuesit dhe kontribuuesit e fushave të historisë, etnologjisë, dokumentaristikës dhe shkencave shoqërore që posedojnë dokumente, burime arkivore, materiale historike apo kronika gojore lidhur me këtë periudhë të paraqiten me një koncept të shkurtër, në të cilin propozojnë temën që dëshirojnë ta trajtojnë. 
Në sesionin shkencor do të kenë të drejtë të ligjërojnë vetëm ata studiues dhe studiuese, temat e të cilëve janë pranuar dhe të përfshira në programin zyrtar.  Data: 19.09.2025  Ora: 10:00  Vendi: Suharekë 
Afati i fundit për paraqitjen e temave: 01 shtator 2025. Temat mund t’i dërgoni në adresat elektronike:  [email protected]  [email protected]  [email protected] 
Ju mirëpresin: 
Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë "Trojet e Arbrit" – Mr. sc. Nue Oroshi, kryetar 
Instituti për Kulturë, Arsim dhe Trashëgimi "Hisari", Suharekë – PhD cand. Kastriot Veselaj, drejtor.

(Kosova Sot Online)