SHBA-të nuk do ta tolerojnë zvarritjen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

SHBA-të nuk do ta tolerojnë zvarritjen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
SHBA-të nuk do ta tolerojnë zvarritjen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Florim Zeqa

  • 15 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Siç duket, SHBA-të nuk do ta tolerojnë edhe më tutje zvarritjen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e dëshmojnë mesazhet e përfaqësueses së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, e cila në seancën e mbajtur për Kosovën është kujdesur që t’i përcjellë disa mesazhe konkrete për kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

 

 

-Sipas saj, administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe populli amerikan po vëzhgojnë me kujdes dhe po presin se si do të ecin përpara Kosova dhe Serbia në avancimin e dialogut përmbyllës dhe gjithëpërfshirës të ndërmjetësuar nga BE-ja!

Bruce ka paralajmëruar se nëse Kurti dhe Vuçiq nuk i ulin tensionet dhe nuk ulen në tavolinën e bisedimeve, SHBA do të punojë për së afërmi me liderë që shohin nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara.

Nga këto deklarata të Bruce nënkuptohet se administrata e presidentit Donald Trump nuk do të lejojë lojën teatrale në dialog, por do të kërkojë veprime dhe lëvizje të shpejta drejt progresit; në të kundërtën, pala që nuk i përfill rekomandimet e SHBA-ve do të ballafaqohet me ndëshkime të ashpra nga amerikanët!

Ky është një paralajmërim i qartë për ndryshim të qasjes amerikane në dialog dhe jo vetëm!

Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, duhet të tregohet më i kujdesshëm se asnjëherë më parë në ndërmarrjen e veprimeve të mençura në politikën e jashtme!

Paralajmërimet e presidentit amerikan duhet të merren seriozisht nga kryeministri dhe presidenti i ardhshëm i Kosovës, pasi ato nuk janë thjesht rekomandime, por ultimatume që mund të ndryshojnë rrjedhat e zhvillimeve politike dhe ushtarake në rajonin e Ballkanit.

Assesi nuk duhet të nënvlerësohen deklarimet e përfaqësueses së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce.

Politikanët kosovarë duhet të tregohen më syçelë në veprimet e tyre, pasi fati i shtetit nuk është përgjegjësi vetëm e pushtetarëve, por edhe e opozitarëve dhe e gjithë akterëve të tjerë politikë dhe ushtarakë të vendit tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".