Dostojevski dhe instinkti i jetës: Pse njeriu kapet pas ekzistencës, edhe kur ajo dhemb

  • 27 September 2025 - 17:00
Dostojevski dhe instinkti i jetës: Pse njeriu kapet pas ekzistencës, edhe kur ajo dhemb

Nga, Isuf Bajraktari

Në romanin e tij madhështor Krim dhe ndëshkim, Fjodor Dostojevski na sjell një nga skenat më prekëse të letërsisë botërore. Ai përshkruan një njeri të dënuar me vdekje, i cili, teksa e çojnë drejt vendit të ekzekutimit, dëshiron që rruga të zgjasë edhe një centimetër më shumë. Ai shpreson deri në çastin e fundit, sikur fati mund të ndërhyjë dhe ta shpëtojë. Edhe një sekondë e vetme e jetës, për të, ka më shumë vlerë sesa asgjëja që e pret përtej.

Dostojevski shkon edhe më larg: ai shkruan se, nëse këtij njeriu do t’i jepej mundësia të jetonte gjithë jetën e tij mbi një majë të ngushtë ku mezi ka vend për një këmbë, mes stuhive dhe rrezikut të përhershëm të rrëzimit, ai prapë do ta pranonte këtë fat. Ky është një imazh i fuqishëm i ekzistencës njerëzore: e brishtë, e rrezikshme, pa rehati, por megjithatë e çmuar.

Ky pasazh nuk është thjesht një përshkrim i frikës nga vdekja. Dostojevski nuk e sheh njeriun si një qenie që thjesht ikën nga e panjohura. Përkundrazi, tek ai jeta ka një shenjtëri që shkon përtej instinktit biologjik. Të qenit gjallë është më shumë se të marrësh frymë – është të kesh shansin të reflektosh, të pendohemi, të duam, të ëndërrojmë. Jeta është arena ku njeriu mund të përballet me vetveten dhe me fajet e tij.

Ky është paradoksi i bukur i natyrës njerëzore: ne kapemi pas jetës edhe kur ajo dhemb, edhe kur humbet shijen, edhe kur është e mbushur me barrë dhe mundim. Sepse të jesh gjallë do të thotë të kesh shpresë – dhe shpresa është fryma e fundit që shuhet.

Në kohët moderne, kur shoqëritë tona përballen me kriza, polarizim dhe cinizëm politik, ky mësim i Dostojevskit bëhet më aktual se kurrë. Nuk mjafton të mbijetojmë. Nuk mjafton të kapemi pas ekzistencës si njeriu mbi majë. Jeta merr kuptim vetëm kur përballemi me veten dhe i japim një qëllim ekzistencës sonë – qoftë si individë, qoftë si shoqëri.

Mësimi i Dostojevskit është i thjeshtë, por i fuqishëm: më mirë një vuajtje e gjallë sesa një qetësi e pajetë – por kjo vuajtje duhet të ketë kuptim. Jeta nuk është e vlefshme vetëm për t’u ruajtur, por për t’u jetuar me dinjitet dhe përgjegjësi.

Nga letërsia te jeta politike

Në pjesën tjetër të kësaj analize, do të shqyrtojmë se si ky mësim lidhet me jetën politike në Kosovë pas 9 shkurtit – dhe pse nuk mjafton që pushteti të mbijetojë. Ai duhet të ketë vizion, moral dhe aftësi për të shërbyer, përndryshe mbetet thjesht një luftë instinktesh, pa shpresë dhe pa shëlbim.

(Kosova Sot Onlineku