SHKURTE FEJZA DHE SHKODRAN TOLAJ – DY ZËRAT E VETËM NË NATËN E ZJARREVE NË PREKAZ
Për vite me radhë, në skenën e Natës së Zjarreve në Prekaz kanë performuar dhjetëra këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Në disa edicione edhe nga njëzet artistë të zhanreve të ndryshme kanë qenë pjesë e kësaj nate të madhe përkujtimore.
Por këtë vit ndodhi diçka ndryshe.
Në koncertin e madh në Prekaz u ftuan vetëm dy këngëtarë VIP: Shkurte Fejza dhe Shkodran Tolaj.
Pse vetëm këta dy?
Për Shkurte Fejzën përgjigjja është e qartë: ajo është një ikonë e këngës shqiptare që për dekada i ka kënduar dheut dhe historisë së këtij populli.
Ndërsa Shkodran Tolaj, si përfaqësues i një gjenerate më të re, është ndër të paktët artistë që në gjithë rrugën e tij artistike i ka qëndruar besnik këngës për atdheun, pa devijuar asnjëherë.
Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse këtë vit Prekazi zgjodhi të flasë vetëm me dy zëra.

(Kosova Sot Online)
