Prof Dr Eshref Ymeri: Një Zonjë e Madhe u largua drejt jetës së amshuar

  • A.P /
  • 08 May 2026 - 10:13
Prof Dr Eshref Ymeri: Një Zonjë e Madhe u largua drejt jetës së amshuar

Nga Prof Dr Eshref Ymeri

Para pak ditësh, pikërisht më 29 prill, u nda nga jeta shkrimtarja e shquar, Zonja Vilhelme Vranari (Haxhiraj), bashkëshortja e virtuozit të koreografisë, Fitim Haxhiraj, të cilit diktatura komuniste nuk i lejoi të shpërthente talentin e vet, si një artist i lindur.

Me këtë çift të shkëlqyer jam njohur dhe miqësuar më shumë se gjashtëdhjetë vjet më parë, kur isha nxënës në Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë.

Lajmi për largimin e saj drejt përjetësisë më tronditi thellë.

Me kalimin e viteve, miqësia jonë erdhi dhe u forcua edhe më shumë, sepse në themel të saj ishin ato çështje, të cilat janë të shenjta për çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare.

Filozofi i shquar gjerman, Frederik Hegeli (Friedrich Hegel - 1771-1832), ka thënë:

“Miqësia ka në themel ngjashmërinë e karaktereve dhe të interesave në mbrojtje të një çështjeje të përbashkët”.

Kur ndahet nga jeta një mik i dashur, të duket sikur bota e ka ndalur ritmin e lëvizjes së vet, të duket sikur ajri është bërë më i rëndë, kurse ditët që pasojnë të duken në ngjyrë gri dhe të pakuptimta.

Humbja e një miku të dashur dhe të respektuar, shoqërohet me emocione të fuqishme, me dëshpërim të thellë. Një dëshpërim të tillë, psikologët e krahasojnë me rendjen e valëve detare, të cilat të përplasen në trup me uturimë dhe të rrëzojnë në ujë.

Gjendjen psikologjike të një njeriu të dëshpëruar nga humbja e mikut të dashur, e ka përshkruar mjeshtërisht Elizabet Kybler-Ross (Elisabeth Kübler-Ross - 1926-2004), psikologe amerikane me prejardhje zvicerane, e cila njihet si krijuese e konceptit të ndihmës psikologjike që u duhet dhënë të sëmurëve që janë në prag të vdekjes. Libri i saj, me titull “On death and dying” (Për vdekjen dhe pragvdekjen), qe botuar në Nju Jork në vitin 1969 dhe qe vlerësuar si libri më i mirë  (bestseller).

Shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari (Haxhiraj), dikur vajzë me një bukuri mitike, ka lindur dhe është rritur në një familje kaninjote me prejardhje fisnike, rrënjët e së cilës shkojnë thellë në shekuj, deri te Gjergj Arianiti (1383-1462). Pikërisht sepse rridhte nga një familje e tillë, me tradita të thella atdhetarizmi, ajo ra viktimë e diktaturës së egër komuniste, e cila, kur ishte në përfundim të studimeve universitare në degën e historisë, në zbatim të luftës së egër të klasave, e pati përjashtuar nga universiteti në prag të mbrojtjes së diplomës. Ky ishte një qëndrim barbar, i tipit fashist, ndaj një studenteje të talentuar, e cila qe tronditur thellë, çka bëri që shëndeti i saj të pësonte plasaritjen e parë, me pasoja në zemër.

Ajo diktaturë e egër nuk u mjaftua vetëm me kaq, ajo nuk e lejoi kurrë të ushtronte profesionin aq të dashur të saj, mësuesinë. Shefi i arsimit asokohe në Vlorë, të cilit kjo vajzë e re i qe drejtuar për një vend pune në sferën e arsimit, i qe përgjigjur harbutërisht:

“Ti nuk je e aftë të zhvillosh luftën e klasave”.

Sigurisht që mësuesja e re nuk ishte e aftë të zhvillonte luftën e klasave, të cilën kryekrimineli Enver Hoxha, gjatë 40 vjetëve, e pati përdorur për hedhjen e shqiptarëve kundër shqiptarëve, për përçarjen e tyre tragjike, në përputhje me strategjinë e shovinizmit kriminal serbosllav. Dhe kjo vajzë e re, shumë e talentuar, nisi zejen e një punëtoreje të thjeshtë, të cilin e vazhdoi deri në vetëpërmbysjen e diktaturës komuniste.

Është kënaqësi e veçantë të flasësh për zonjën Vilhelme, e cila, në krijimtarinë e saj, si shkrimtare e përmasave mbarëkombëtare, dallohet për larminë e theksuar të gjinive letrare, në të cilat ka lëvruar.

Me një art të spikatur, ajo ka lëvruar gjininë e letërsisë për fëmijë, gjininë e tregimit, të poezisë, të novelës dhe të romanit. Dhe këto gjini i ka lëvruar në një periudhë mjaft të ngjeshur kohore pas shembjes së diktaturës komuniste, e cila, për shkaqet e marrëzisë së luftës së klasave, ia kishte mbyllur dyert e krijimtarisë letrare. Megjithatë, talenti i saj nuk u venit, përkundrazi, ai e përballoi me sukses periudhën e heshtjes së detyruar, erdhi e u regj gjithnjë e më shumë dhe, kur agu i lirisë së individit ia behu në horizontin shqiptar, zonja Vilhelme doli para lexuesve me forcën e fjalës artistike dhe iu kthye profesionit të saj shumë të dashur - mësuesisë, pasi i pati përfunduar me sukses studimet universitare pa shkëputje nga puna.

Gjatë një periudhe 30-vjeçare, ajo ka nxjerrë nga dora 72 vepra. Kur lexon prozën e zonjës Vilhelme të të gjitha gjinive, nuk mund të mos rrëmbehesh nga bukuria e fjalës shqipe, të qëmtuar me kujdes, nga larmia e pamatë e figurave artistike, nga origjinaliteti i  rrëfenjave plot emocione mbresëlënëse, nga magjia e përsiatjeve mahnitëse, nga moria e shprehjeve aforistike me nëntekst filozofik.  Në aspektin e gjetjeve ideoemocionale, vepra e Zonjës Vilhelme përbën një unitet tërësor të lirikes me tragjiken në jetën shqiptare. Por edhe një tjetër gjini interesante bie në sy në krijimtarinë e saj të begatë. Kjo është publicistika nacionaliste, në pesë vëllime të së cilës ajo ka trajtuar dy probleme të mprehta për mbarë kombin shqiptar.

Së pari, ajo ka ngritur zërin e saj të fuqishëm për padrejtësinë që i është bërë kombit shqiptar, të cilit diplomacia e kriminalizuar europiane, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, në vitin 1878 dhe në vitin 1913, ia copëtoi padrejtësisht trojet etnike. Ajo ka ngritur zërin me forcë që kjo padrejtësi të zhbëhet dhe të vihet në vend drejtësia, në të kundërt, Gadishulli i Ilirisë nuk do të gjejë kurrë qetësi.

Së dyti, zonja Vilhelme pati shprehur vazhdimisht përkushtimin e saj të admirueshëm për forcimin e unitetit mbarëshqiptar, kundër përçarjeve dramatike që karakterizojnë sot trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Për fatkeqësinë tonë të madhe kombëtare, sot, brenda këtij trekëndëshi, rezultojnë të regjistruara 87 parti politike, nga të cilat 65 në Tiranë, 12 në Prishtinë dhe 10 në Shkup. Këto parti janë shëmbulli më tragjik i përçarjes mbarëshqiptare, ndërkohë që në Gjermani, me një popullsi prej 82 milionë banorë, figurojnë 5 parti politike, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një popullsi prej më shumë se 320 milionë banorë, ka vetëm dy parti politike.

Me krijimtarinë e saj të pasur artistike, me publicistikën e saj nacionaliste, me studimet e saj shkencore nga fusha e historiografisë, zonja Vilhelme ka vërtetuar në praktikë se intelektual i vërtetë është ai që jetën e vetë, punën e vet, si krijues, e vë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, pra, të ribashkimit të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe një flamur.

Krejt krijimtarinë artistike të kësaj shkrimtareje të madhe, e përshkon si një fill i kuq respekti për njeriun, ngrohtësia rrezatuese e shpirtit të saj fisnik dhe pasuria e admirueshme e leksikut të saj të pasur. Ajo është një ngrohtësi që përcjell dridhërimën e zemrës, delikatesën e ndjenjave dhe fisnikërinë e shpirtit të saj bujar. Ështe gatishmëria për të ndarë me njerëzit e mirë pasurinë shpirtërore dhe zjarrin e zemrës së saj. Është aftësia për të ndarë me njerëzit e afërt hapësirat e gëzimit dhe honet e trishtimit. Është aftësia për të përjetuar bashkërisht lartësitë e haresë dhe tatëpjetat e dëshpërimit”.

Këto janë vlera të padiskutueshme të krijimtarisë  artistike të Zonjës Vilhelme, për të cilën Ajo është nderuar me disa dhjetra Çmime brenda dhe jashtë vendit.

Mbarë intelektualët vlonjatë dhe të krejt Labërisë, duhet të ndjekin shembullin e Zonjës Vilhelme në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare. Kjo për faktin se Vlora dhe Labëria, ashtu si edhe viset e tjera të vendit tonë, gjithmonë kanë qënë në pararojë të mbrojtjes së interesave tona kombëtare.

Intelektuali i shquar vlonjat, si një figurë e njohur politike, si deputet i Kuvendit, dr. Bujar Leskaj, ka theksuar:

“Vilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë e ngelet një luftëtare e veçantë dhe stoike e demokracisë dhe e emancipimit, të drejtave të grave, ndërtimit të një shoqërie të mundësive të barabarta, por veçanërisht letërsisë e artit… Në vitin 2005 e kam vlerësuar: “Nëse Gjirokastra ka Musine Kokalarin, qyteti ynë ka bijën e vet, Vilhelmen, të cilën, pa druajtje e quaj “Musine Kokalari e Vlorës”” (Citohet sipas: Bujar Leskaj. Vilhelme Vranari Haxhiraj, një luftëtare e veçantë dhe stoike e demokracisë. Faqja e internetit e gazetës “Rilindja Demokratike”. 07 shkurt 2022).

Një rol të jashtëzakonshëm për prezantimin e veprave të Zonjës Vilhelme, ka luajtur kryemjeshtri i kritikës letrare, poeti, shkrimtari, analisti dhe filozofi i letrave shqipe, Prof.dr. Fatmir Terziu, figura më emblematike e Diasporës sonë në Britaninë e Madhe dhe në krejt Perëndimin europian. Me analizat e veta kritike, të botuara në Portalin e vet “Fjala e Lirë”, të kësaj dritareje kulture për mbarë kombin shqiptar, ky Profesor me emër të madh ka përjetësuar veprën e Zonjës Vilhelme në vetëdijen e krejt lexuesve tanë, të pajisur me dije dhe kulturë kombare.

Në nderim të kujtimit të Zonjës Vilhelme, si një shkrimtare e shquar e kombit shqiptar, do të ishte në nderin e Shoqatës Kulturore dhe Atdhetare “Labëria”, të ndërhyjë te biznesi vlonjat dhe në Bashkinë e Vlorës, për të kontribuar financiarisht për përgatitjen e botimit të  veprave të saj të plota në seri. Ky do të ishte një nderim i veçantë që i bëhet jo vetëm zonjës Vilhelme (të cilën, ajo Shoqatë, me një vendim të posaçëm, më 04 tetor 2014,  e pati nderuar me Diplomën “Personalitet i Shquar i Labërisë), por edhe kulturës mbarëkombëtare, thesari i së cilës do të pasurohet me korpusin e plotë të veprave të saj.

E jap këtë porosi shumë miqësore për Shoqatën Kulturore dhe Atdhetare “Labëria”, sepse kam parasysh një shprehje të shkëlqyer të shkrimtarit dhe të gazetarit të njohur amerikan Çarls Pallanik (Charles Palahniuk  1962), i cili thotë:

“Të gjithë do të ikim për në atë botë. Qëllmi i jetës sonë nuk është të jemi të përjetshëm, por të krijojmë dhe të lëmë prapa diçka të përjetshme”.

Zonja Vilhelme ka lënë prapa veprën e saj, e cila mbetet e përjetshme për brezat e tanishëm dhe për ata që do të vijnë.

I shpreh ngushëllimet e mia më të përzemërta Familjes së Nderuar të Zonjës Vilhelme, për t’ia lehtësuar sadopak dhembjen e thellë që po përjeton.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".