Deçan, nesër dihen mënyrat e kundërshtimit për pronat rreth Manastirit

  • 30 May 2016 - 23:57
Deçan, nesër dihen mënyrat e kundërshtimit për pronat rreth Manastirit

Nesër bëhen publike hapat e parë që do t’i ndërmerr komisioni i dalë nga AsamblejaKomunale e Deçanit, lidhur me kundërshtimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim ky që i jep të drejt Manastirit të Deçanit t’i shfrytëzojë pronat e dy ish-ndërmarrjeve “Apiko’’ dhe “Iliria’’, si dhe disa prona privat.

Sipas një njoftimi të Komunës së Deçanit, ky komision ka zhvilluar mbledhjen e parë në të cilën ka shqyrtuar katër tema të cilat janë në funksion të kundërshtimit tëaktgjykimit politik të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të dhënë më datë 20 maj të këtij viti.

“Temat e trajtuara janë: Greva Institucionale e Komunës së Deçanit, si shprehje e pakënaqësisë më vendimin e pa drejtë të Gjykatës Kushtetuese, iniciativa qytetare e cila është ndërmarrë nga punëtoret e dy ish ndërmarrjeve ,,Apiko’’ dhe ,,Iliria’’ dhe pronarëve privat mbi të cilët i prek vendimi i Gjykatës Kushtetuese, organizimi i peticionit i cili ka funksion shprehjen e pakënaqësisë dhe pa pajtueshmërisë më vendimin e pa drejtë dhe diskriminues të Gjykatës Kushtetuese, si dhe protesta gjithë popullore e cila do të vazhdoi më format e saj deri në ndryshimin gjendjes faktike të cilën e ka krijuar aktgjykimi i pa precedent i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim .

Gjatë këtij takimi është shqyrtuar edhe thirrja drejtuarManastirit të Deçanit që të heq dorë nga pretendimet uzurpatore mbi pronën e qytetarëve të komunë së Deçanit. Ndërsa, nesër ky komision, në një konferencë për media do t’i bëjë publike hapat e para që do t’i ndërmerr në kuadër të këtij kundërshtimi.

(Kosova Sot)