Turqia e dëshiron një botë pa përkrahës të Gylenit

  • 30 July 2016 - 16:09
Turqia e dëshiron një botë pa përkrahës të Gylenit

Turqia lufton me të gjitha mjetet lëvizjen Gylen. Presidenti Erdogan kërkon nga bota e jashtme europiane mbështetje, përmes ekstradimeve dhe “verifikimit” të shkollave. Por Europa nuk i përgjigjet.

Për ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu çështja është e qartë: “Gjermania duhet të ekstradojë gjyqtarë dhe prokurorë të këtij shteti paralel”. Me këtë ai ka parasysh lëvizjen Hizmet të predikuesit islamik Fetullah Gylen. Ndonëse Çavusoglu nuk përmend emra konkretë, dihet se për këtë bëhet fjalë, per dy ish-prokurorët turq Zekeria Oz dhe Xhelal Kara. Që të dy ata u arratisën në gusht 2015 nga Turqia, për t'i shpëtuar arrestimit.

Përgjigja e Berlinit ndaj ministrit të Jashtëm turk është e qartë: me ne jo. Deri tani asnjëherë nuk është konfirmuar, që të dy burrat ndodhen në Gjermani. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, një ekstradim në Turqi nuk do të arrihej.

Pengesa të larta

Kërkesa për ekstradim duhej të paraqitej përmes rrugëve diplomatike, pra duhej të arrinte në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Kërkesat përkatëse për dy prokurorët ndërkohë kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme.

Tani hyn në lojë drejtësia, thënë më saktë prokuroria përkatëse dhe gjykata përkatëse. Shtetasit e huaj sipas së drejtës gjermane për t'u ekstraduar duhet të jenë dënuar me burg. Kryetari i shoqatës së gjyqtarëve gjermanë ka bërë të qartë, se: “Të nevojshme janë akuza konkrete me prova, që shtetasit turq, që ndodhen në Gjermani, kanë qenë të implikuar në tentativën për puç në Turqi, në mënyrë që të merret në konsideratë ekstradimi”.

Edhe kancelarja Angela Merkel u pozicionua lidhur me çështjen e ekstradimit. Ajo iu referua në fakt konkretisht PKK-së, por deklarata e Merkelit vlen edhe për përkrahësit e Gylenit: “Ne duhet të ndjekim parimet e shtetit ligjor”.

Kësisoj aktet penale politike qysh në krye të herës dështojnë si argument për ekstradimin. Shtetas, që krahas nënshtetësisë turke kanë edhe atë gjermane, sipas ligjit themelor, në përgjithësi nuk i kthejnë në Turqi.

Turqia kërkon verifikimin e shkollave gjermane

Të indoktrinuar? Ankaraja kërkon verifikimin e shkollave në Gjermani. Por kërkesat për ekstradim nuk mjaftojnë, qeveria turke do që Gjermania “të verifikojë dhe rivlerësojë“ shkollat, institucionet dhe shoqatat të afërta me lëvizjen Gylen.

Politikani kristiandemokrat për politikën e brendshme Wolfgang Bosbach tha lidhur me këtë, se është e drejtë, që Turqisë t'i tregohen kufijtë. Edhe kërkesa për ekstradimin e puçistëve gjoja të arratisur në Gjermani, duhet të refuzohet. Drejtësia gjermane nuk është “dora e zgjatur e Erdoganit”.

 

(Kosova Sot)