- Lajme - Kosova Sot
Burri me plis të bardhë i tha "Jo" bashkimit me Serbinë

Burri me plis të bardhë i tha "Jo" bashkimit me Serbinë

Kundërshtonte kolonizimin e Kosovës dhe shpërnguljen e dhunshme në Turqi.

"Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë -Jo, me Shqipërinë - Po", kishte deklaruar Ramiz Cërnica,raporton Gazeta Kosova Sot.

E dhe pse kanë kaluar më shumë se 70 vjet nga Konferenca e Prizrenit (1945), Ramiz Cërnica mbahet mend për kundërshtimin e hapur që i bëri bashkimit me Serbinë, duke kërkuar që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Historianët e Gjilanit kërkojnë që këtij burri t`i ngrihet një shtatore në qendër të qytetit. Ramiz Cernica inkuadrohet në Lëvizjen Kombëtare, në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar. Vazhdimisht kundërshtoi padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, duke luftuar për të drejta kombëtare. Me ngulm kundërshtonte kolonizimin e Kosovës, si dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi. Për shkak të qëndrimeve të tij kombëtare, burgoset nga pushteti serb. Gjatë viteve 1941-43, kur rajoni i Gjilanit ishte në autoritetin Italian, ai ushtroi detyrën e kryetarit të Parteshit. Në vjeshtën e vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë, shkoi si delegat në formimin e Asamblesë së Qeverisë së Shtetit Shqiptar në Tiranë, që ishte një besim i madh ndaj tij. Udhëheqja e LNÇ-së, Ramiz Cernicës i afroi mundësinë që të marrë pjesë në Konferencën e Bujanit, por ky nuk e pranoi ofertën. Pas hyrjes së brigadave partizane në Gjilan, më 16 nëntor 1944, Ramizi burgoset dy herë, por shpejt lirohet. Në korrik të vitit 1945, Ramizi si delegat i rrethit të Gjilanit mori pjesë në Konferencën e Prizrenit, ku edhe formalisht po zyrtarizohej aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë. Ramizi guxoi që haptas të deklarojë se është kundër këtij aneksimi, duke shprehur njëkohë- sisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Ai mbajti qëndrim historik kur tha: "Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë -Jo!, me Shqipërinë - Po", kishte deklaruar Ramiz Cërnica. Ramizi la pas një "Jo" historike në raport me Serbinë, e cila u ngulit thellë në shpirtin dhe mendjen e popullit të tij.

E donte popullin e vet, nuk urrente popujt e tjerë Ramiz Cërnica, burri me plis të bardhë, është shembull edhe për politikanët e sotëm se si duhet pasur në rend të parë interesin e kombit dhe të atdheut e më pas interesa të tjera. Cërnica dëshmoi se atdheu duhet me shpirt e me zemër. Ramizi ka lënë gjurmë të thella në historinë kombëtare, duke u angazhuar për bashkimin me Shqipërinë. Ai është dhe mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë së popullit shqiptar në luftën për çlirim e bashkim të kombit. Me qëndrimin burrëror e heroik në Kuvendin e Prizrenit dha shembullin e madh se si duhet të mbrohen interesat e shenjta të popullit dhe atdheut. Edhe atëherë kur me votat e popullit të vet u zgjodh kryetar i Komunës së Parteshit, në vitet e tridhjeta, vazhdimisht i ka kundërshtuar padrejtësitë, shtypjen e popullit shqiptar, duke luftuar për të drejta kombëtare. Ishte shumë i drejtë dhe i arsyeshëm. Kurdoherë i ka mbrojtur të dobëtit. Ishte një nacionalist pozitiv e përparimtar, demokrat dhe arsimdashës i madh. E donte popullin e vet, por nuk urrente asnjë popull tjetër. Gjatë kohës sa qëndroi në postin e kryetarit të Komunës, nuk lejoi vëllavrasjen dhe as dhunën ndaj askujt(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)

.

 

8 orë e 45 minuta më parë
22/02/19