Inspektorati Policor i Kosovës suspendon një toger policor

  • A.P /
  • 10 May 2024 - 21:45
Inspektorati Policor i Kosovës suspendon një toger policor

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar sot suspendimin e një togeri policor, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Vepra dyshohet se është kryer në zyret e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”. Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, njoftohet se prokuroria së bashku me policinë tashmë kanë nisur hetimet për rastin.

“Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës. Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik. IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)