Kokëdhima: Amnisti për përdoruesit dhe kultivuesit e vegjël të hashashit

  • 27 September 2016 - 23:56
Kokëdhima: Amnisti për përdoruesit dhe kultivuesit e vegjël të hashashit

Politikani dhe botuesi, Koço Kokëdhima, u shpreh se është dëshpëruese që Shqipëria nuk ka një strategji dhe vizion për të zgjidhur problemet që lidhen me kanabisin. “Vazhdoj të mendoj si në vitin 2014 që është e dëshpëruar që Shqipëria nuk ka një strategji dhe vizion për të zgjidhur problemet që lidhen me kanabisin”, nënvizoi Kokëdhima, duke folur në emisionin “Top Show” të gazetarit Alban Dudushi.

Teksa mbrojti idenë e tij për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, të shpallur pak vite më parë, Kokëdhima ftoi qytetarët të mos e sfidojnë ligjin. “Fshatarët nuk janë kriminelë, edhe pse shkelin ligjin. Fshatarët nuk kanë alternativa të tjera për të jetuar”, tha Kokëdhima, duke folur për rastin e Lazaratit.

“Ramë dakord në vitin 2014, që nga 10 milionë dollarë, subvencionet e bujqësisë do të shkonin në 150 milionë dollarë. Ishte një progres shumë optimist. Por kur shkuam në Komisionin e Ekonomisë, shuma e subvencioneve ishte 6 milionë dollarë”, tha ish-deputeti socialist, duke shpjeguar propozimin e tij të vitit 2014 në Kuvend.

(Kosova Sot)