Kërkojnë t’u njihet dyshtetësia

  • 21 October 2016 - 19:12
Kërkojnë t’u njihet dyshtetësia

Edhe pas kaq vitesh, nuk posedojnë dokomente personale.

Alfred Halili, nga fshati Ranatocka, thotë se jetojnë në vijën kufitare dhe kanë probleme serioze për kalimin e vijës kufitare. "Ecim kilometra të tërë për të hyrë në Kosovë, sepse jemi pa dokumente",raportonGazeta Kosova Sot

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët prej vitesh janë duke jetuar si popullatë e zhvendosur nga vatrat e tyre, tashmë kanë filluar ta humbin durimin dhe të fajësojnë parlament, qeveri e komuna në Kosovë, për pengesat që po u bëhen në pajisjen me dokumente të gjendjes civile. Në një debat të shoqërisë civile, u tha se kjo popullatë ka mbetur pa mëshirën e askujt dhe pa përkujdesjen e duhur shtetërore. Politikanë e deputetë në Kosovë mendojnë se trajtimi i të dëbuarve, duhet të bëhet në mënyrë institucionale. Por, të dëbuarit nga Lugina thonë se përkujdesja ndaj tyre po mungon dhe shumë të drejta nuk po mund t`i realizojnë për shkak të mungesës së këtyre dokumenteve. Aktualisht, të dëbuarit nga Lugina kanë probleme me nënshtetësi dhe sipas tyre, rezoluta e Kuvendit të Kosovës, asnjëherë nuk është zbatuar në praktikë. Kushtrim Kadriu nga lëvizja "Vatra" ka thënë se ky problem po i përcjellë ata prej më shumë se një decenie. Sipas tij, nga Lugina e Preshevës kanë ndodhur dy lloje të dëbimeve, dëbimi i heshtur (para viteve 1999) dhe dëbimi masiv (pas viteve 1999). Pjesa më e madhe e atyre që janë detyruar t`i lëshojnë vatrat e veta, janë vendosur në Gjilan e Fushë Kosovë, apo edhe gjetiu, por në numër më të vogël, ndërkohë që vetëm ndonjë i rrallë është rikthyer deri më tani. "Ne jemi të interesuar që të kthehen të dëbuarit, por ky kthim nuk mund të ndodh pa investime. LDK-ja më herët ka dhënë 10 mijë euro, kurse Komuna - 2000 euro, për të kthyerit e Luginës", thotë ai. 

17 vjet pa dokumente "Politika kosovare ka bërë pak për këta qytetarë", thotë Kadriu. Sipas tij, politikanët kosovarë po merren me demarkacionin dhe asociacionin, ndërsa i kanë harruar trojet shqiptare dhe fitohet bindja sikur kanë frikë nga BE-ja që të merren me Luginën, kurse politika në Luginë, është e përçarë. "Ne po vuajmë, sepse tash e 17 vjet nuk kemi dokumente, nuk marrim pensione, fëmijët tanë nuk shkojnë në shkollë dhe as nuk po mund të kthehemi në shtëpitë tona, sepse atje janë stacionuar ushtria dhe xhandarmëria serbe". Xhevat Demiri, nga AAK-ja, thotë se shqiptarët e dëbuar janë lënë anash dhe se asnjëra qeveri s`është marrë seriozisht me trajtimin e tyre. Sot, shumica e këtyre hallexhinjve, janë ose lypsarë, ose njerëz që bredhin rrugëve. Ky komunitet nuk ka nënshtetësi. Mbi 1000 persona kanë probleme serioze. "Kosova duhet t`ua shtrijë dorën këtyre hallexhinjve. Ata e presin këtë dorë dhe e meritojnë këtë dorë", ka thënë Demiri. Shqipëria, Kosova dhe Lugina duhet të flasin e të koordinohen mes vete. Sahit Abazi, shef i grupit të PDK-së, thotë se këtë problem do ta trajtojnë në Kuvendin Komunal të Gjilanit. "Për ne është interes i jashtëzakonshëm që të merren masa lehtësuese për regjistrimin e njerëzve të Luginës dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Nuk kanë trajtim siç duhet as ish-pjesëtarët e UÇPMB-së. Rezoluta e Konçulit nuk është zbatuar", thotë Abazi, duke shtuar se nuk ka nevojë që të keqpërdoret ky komunitet, sepse problemi është i përbashkët. "Po bëhet një diskriminim nga Serbia për t`i shpërngulur edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Luginë, derisa ne po bëjmë sehir karshi kësaj situate", thotë Abaz

Më lehtë për kinezët sesa për shqiptarët e Luginës Murat Hoxha, deputet në Parlamentin e Kosovës, thotë se Lugina ka probleme tjera pos dokumenteve. Sipas tij, duhet të dihet saktë numri i të dëbuarve, për të krijuar kartën sociale. "Duhet të kemi një strategji të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe Lugina duhet të jetë më e organizuar. Kërkesat janë legjitime dhe të arsyeshme", thotë Hoxha. Nuhi Nuhiu nga AKR-ja thotë se dyshtetësia duhet t`iu njihet këtyre banorëve. "Duhet të protestohet nëse ka nevojë, por edhe politikanët e Luginës duhet të jenë unik në qëndrime", thotë Nuhiu. Fatmir Selimi thotë se Kuvendi i Kosovës është shkelësi më i madh i të drejtave të qytetarëve. Shaban Terziu nga shoqëria civile, thotë se është e pafalshme që banorët e dëbuar nuk kanë dokumente dhe kjo është dhimbje për ne. "Këta banorë duan zgjidhje, jo llafe të kota". Ibrahim Sherifi nga Bujanoci, i dëbuar, ka thënë se zyrtarët në Kosovë nuk po bëjnë sa duhet për të dëbuarit. Alfred Halili nga fshati Ranatocka thotë se jetojnë në vijën kufitare dhe kanë probleme serioze për kalimin e vijës kufitare. "Ecim kilometra të tërë për të hyrë në Kosovë, sepse jemi pa dokumente". Edhe Xhemajl Ibrahimi, nga Novosella e Epërme, tha se dokumentet po u shkaktojnë telashe serioze. "Jetoj në Kosovë, i paguaj të gjitha tatimet dhe të gjitha kontributet tatimore, por nuk kam dokumente". Sabit Jahiu nga Ramnabuqa ka thënë se Kosova i ka anashkaluar. Shaban Emini tha se në Kosovë më lehtë marrin dokumente kinezët sesa të dëbuarit e Luginës.

(Kosova Sot)