Ura e pleqve

  • 22 November 2016 - 19:40
Ura e pleqve

NUK DORËZOHET MOSHA E TRETË

"Zgjohemi pa lindur dielli dhe nisemi drejt malit, ku fillon dita jonë", thotë Osmani

Afrim Kqiku, njëri prej atyre që i viziton këto shpate, në verilindje të Gjilanit, ndonëse në moshë ende të re, thotë se pleqtë kanë bërë një punë të mirë, sepse kishin vështirësi ta kalonin lumin

Ata janë më shumë se tre veta që çdo ditë kapërcejnë malet e Gjilanit, sikur për t`u matur me pleqërinë, së cilës nuk duan t`i dorëzohen assesi. Për ta lehtësuar kalimin e një përroske, që kur bie shi fryhet bukur shumë, Osman Ibrahimi, Sali Hasanaj, Ali Latifaj, Ramush Rrahmani e të tjerë, kanë ndërtuar një vig, i cili do të njihet me emrin 'Ura e pleqve'. Afrim Kqiku, njëri prej atyre që viziton këto shpate, në verilindje të Gjilanit, ndonëse në moshë ende të re, thotë se pleqtë kanë bërë një punë të mirë, sepse kishin vështirësi çdo mëngjes që ta kalonin lumin. Edhe Naser Xhigolli e admiron gjestin e këtyre njerëzve, të cilët edhe në moshë të tretë duan të bëjnë gjera të mira për njerëzimin. Ata janë shtatëdhjetëvjeçarët që shkelin bjeshkën me këmbë. Ka që i kanë kaluar edhe të 80-at. Për çdo ditë, nga orët e hershme të mëngjesit, malet e Stanishorit mbushën me qytetarë të shumtë, të të gjitha moshave e gjinive, të cilët bashkërisht ose në grupe përshkojnë shtigjet dhe bëjnë ushtrime trupore në këtë zonë me drurë të lartë e bukuri të rralla. Osman Ibrahimi është njëri prej tyre që i kalon me vrap dhjetëra kilometra, nëpër shtigjet që i kanë rregulluar vetë qytetarët. Bashkë me shokët delverës dhe dimrit, në këto bjeshkë që për pleqtë janë kthyer në një oazë shëndeti. Nisin me një ecje gjysmë ore, për të vazhduar për një orë tjetër me ushtrime trupore dhe aktivitete tjera fizike. Ky vend ka shërbyer edhe për njerëz të cilët deri dje kanë lëvizur me vështirësi e tash vrapojnë sikur të ishin të rinj. Kishte njerëz që ishin shtrirë në spital, pa shpresa për jetë, e mjekët u kishin sugjeruar të dalin e të ecin dhe tashti, kur kanë parë të mirat që u sjell natyra, ata nuk ndahen nga natyra. Ajri dhe uji i këtyre shpateve largojnë edhe pleqërinë, kur kombinohen me shëtitjet e mëngjesit në këtë zonë. Malet e Stanishorit quhen edhe alpet shqiptare për regjionin e Gjilanit. Këtë bukuri e lakmojnë edhe të huajt, sa herë që kanë rastin të kalojnë këndej pari, shkruan gazeta Kosova Sot.

Natyra është shtëpia më e mirë e pleqve 

Kosova nuk e ka zgjidhur ende çështjen e strehimit të pleqve dhe të personave pa përkujdesje. Shtëpia në Prishtinë nuk ka kapacitete për t`i pranuar të gjithë ata që kanë nevojë për strehim, ndërkaq Anamoravës i mungon një strehimore e tillë. Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, thotë se ky regjion ka nevojë për ndërtimin e një shtëpie për mbrojtjen dhe strehimin e të moshuarve pa përkujdesje familjare. Në mungesë të një shtëpie të tillë, pleqtë pa përkujdesje drejtohen në spital dhe kërkojnë të shtrihen aty edhe kur nuk i plotësojnë kushtet, duke u arsyetuar se kanë probleme me shtypjen e gjakut. Edhe në Kamenicë, dhjetëra persona të moshës së tretë jetojnë në vetmi dhe kanë nevojë për përkujdesje dhe strehim, pasi që pjesa me e madhe e tyre vuajnë nga sëmundjet kronike, paraliza të rënda, ose sëmundje të tjera të pleqërisë. Disa s`e kanë askënd të vetin e disa janë "harruar" nga fëmijët e tyre. Në një shtëpi të pleqve ata do t`i kalonin vitet e fundit të jetës, nën përkujdesje dhe brenda një ambienti më human. Pleqtë kanë nevojë të kenë dikë pranë që të rrëfehen për jetën e tyre, për ëndrrat e rinisë, për të kaluarën e tyre. Askush nuk meriton të shuhet i vetmuar dhe pa e ndier dashurinë njerëzore pranë. Shoqëria kosovare duhet të mendojë për ndërtimin, sa më parë që është e mundur, të disa shtëpive të pleqve nëpër komuna, për t`iu siguruar atyre që kanë nevojë, trajtim human. Për këtë moshë nuk është më prioritet ushqimi, por fjala e mirë. 

Zgjohen pa lind dielli 

Osmani me shokë nuk janë prej atyre pleqve që kanë nevojë për strehim. Ata, lindja e diellit nuk i zë në shtrat, por në shpate. Janë prej atyre pleqve që ende mund të arrijnë atje ku u shkel syri. Osmani, Saliu, Aliu, Ramushi dhe të tjerët, janë shembull se si njeriu mund të bëjë jetë të shëndetshme edhe në vitet e pleqërisë, duke mos iu dorëzuar shtratit dhe jetës së mbyllur brenda mureve. Në vend të ilaçeve për të qetësuar dhimbjet e moshës, ata kanë zgjedhur aromën dhe ujët e malit, për t`ia zgjatur vetes jetën."Zgjohemi pa lind dielli dhe nisemi drejt malit, ku fillon dita jonë", thotë Osmani. Zemërohet nga trajtimi që disa qytetarë i bëjnë kësaj zone, që të huajt e kanë lakmuar pafundësisht, sa herë kanë qenë këtu për ta vizituar. Ai dhe pleqtë e tjerë shpeshherë i largojnë vetë mbeturinat. Thotë se do të mbetet përjetësisht i lidhur me natyrën, derisa ta mbajnë këmbët. I ndjen personalisht dobitë nga ky raport me natyrën, ku pos vrapimit shijon edhe ajrin dhe ujin e mirë, që i japin jetëgjatësi njeriut. Osmani është njëri nga pleqtë që kanë ndërtuar edhe urën, për të dalë më lehtë në anën tjetër, andej ku ndihet sikur të ishte një djalë i ri dhe jo me 80 vjet mbi supe. Edhe kur një ditë ata nuk do të jenë më, atje do të mbetet ura e pleqve. Ajo është simbol i një ure që lidh njeriun me natyrën. 

(Kosova Sot)