Afatet dëshpëruese të Isa Mustafës

  • 04 July 2015 - 20:33
Afatet dëshpëruese të Isa Mustafës

Kryeministri formal i Kosovës, Isa Mustafa i entuziazmuar me marrjen e postit të shefit të Qeverisë para shtatë muajsh kishte dhënë një afat sa i përket liberalizimit të vizave. Ai kishte thënë se në pranverën e vonë të këtij viti do të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Do të mundohem që si kryeministër të punoj me BE-në, në veçanti me Gjermaninë, që të punojmë shumë për të arritur liberalizimin e vizave. Njerëzve duhet t’ua hapim dyert që të shohin Evropën, por të kthehen këtu e të punojnë e ta zhvillojnë vendin. Unë jam shumë i bindur që vitin e ardhshëm kjo punë do të kryhet [liberalizimi i vizave]. Në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të insistoj që kjo çështje të mbyllet”. Kjo ishte deklarata që e kishte thënë Mustafa me të ardhur në krye të ekzekutivit.

Mirëpo, ky afat i Isa Mustafës dështoi keq. Pos që kaloj pjesa e parë e vitit 2015, liberalizimi i vizave vazhdon të mos duhet në horizont, raporton Gazeta Blic.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa dha poashtu zotim publik se brenda muajit qershor do të themelohet Gjykata Speciale.  As ky zotim që Isa Mustafa e dha, sidomos para ndërkombëtarëve, i dështoi keq.

Tani ai e ka caktuar edhe një afat tjetër.

Ai ka thënë se është i bindur se Gjykata Speciale do të përfundoj para se Kuvendi i Kosovës të shkoj në pushim, raporton Gazeta Blic.

Mirëpo, edhe kësaj radhe, sipas burimeve të Gazetës Blic mund të dështoj ky premtim i Mustafës. Sipas këtyre burimeve të afërta me procesin e themelimit të Gjykatës Speciale, do të jetë e pamundur që në dy – tri javët e ardhshme të procedohet në Kuvend edhe një herë amendamenti kushtetues. “Kuvendi maksimalisht deri në fund të korrikut do të mund t’i zhvilloj punimet për sesionin pranveror. Do të jetë e pamundur që përgjatë kësaj periudhe të kryhet gjykata speciale. Paralajmërimet e qeverisë për riprocedim të të njëjtit amendament kushtetues, do të ishin jokushtetuese, do të binin ndesh me nenin 144 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, sipas Rregullorës së Punës së Kuvendit, institucioni më i lartë qeverisës në vend, punimet i zhvillon në dy sesione, atë vjeshtor dhe pranveror.

Neni 39 Rendi në mbledhjet e Kuvendit

Kuvendi i zhvillon punimet në mbledhje plenare dhe në komisione.
Kuvendi i zhvillon punimet sipas një kalendari, të propozuar nga Kryesia, në konsultim me Qeverinë, me kryetarët e grupeve parlamentare dhe me kryetarët e komisioneve parlamentare. Kalendari miratohet nga Kuvendi.
Kryesia e Kuvendit e cakton datën dhe vendos për rendin e ditës së mbledhjes së Kuvendit.
Mbledhjet plenare të Kuvendit mbahen zakonisht dy herë në muaj. Java plenare fillon zakonisht ditën e enjte. Kryesia, në bashkëpunim më kryetarët e grupeve parlamentare, mund t’i shmanget këtij rendi kurdo që e konsideron të nevojshme.