Shqiptarët shpenzojnë për konsum të përditshëm po aq sa afrikanët

  • 31 January 2017 - 09:55
Shqiptarët shpenzojnë për konsum të përditshëm po aq sa afrikanët

Sipas INSTAT, në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës.

Shqipëria është një ndër vendet me ekonominë më të ulët në Evropë dhe Ballkan. Edhe pse është vendi i cili ka pozitën më të favorshme për zhvillimin e të gjitha kulturave dhe turizmit në botë, vazhdon të mbetet me ekonomin dhe të ardhurat më të pakta. Një nga faktorët që tregon se vendi ynë, çdo ditë e më shumë, po ecën mbrapa në lidhje me ekonominë, është edhe mënyra e jetesës. Nga ana tjetër në këtë linjë futen dhe elementë të tillë si kequshqyerjes, duke u radhitur në shkallët e fundit përsa i përket shpenzimeve në shportën e çdo familje shqiptare. Nga një raport i Forumit Ekonomik Global mungojnë të dhënat për Shqipërinë dhe rajonin, por të dhënat përkatëse nga anketat e buxhetit të familjeve japin një panoramë se sa përqind të buxhetit shpenzojnë për ushqime familjet e rajonit.

Shqipëria më keq në rajon

Sipas INSTAT, në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës. Sipas Anketës së Fundit të Buxhetit të Familjeve, familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje. Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria e ka këtë peshë dukshëm më të lartë. Sipas Zyrës Statistikore Shtetërore të Maqedonisë, familjet maqedonase shpenzojnë mesatarisht 33.7% të buxhetitpërushqime. Në Mal të Zi, sipas Monstat, kjo peshë është 34.6%; në Bosnjë Hercegovinë është rreth 34%.Familjet serbe, sipas zyrës kombëtare të statistikave shpenzojnë 37.7% të buxhetit për ushqime. Më e lartë është kjo peshë për Kosovën, në 43%, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave. Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të Eurostat, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.

Taksat e larta

Edhe pse familjet shqiptare shpenzojnë rreth 49% të buxhetit për ushqime,  për fatin e keq të qytetarëve të saj, të krahasohet vetëm me shtetet afrikane, si Kenia, Nigeria, Kameruni ajo që ndodh në ndryshim nga vendet e tjera të cilat krahasohen me ne, janë taksat. Teksa vendi vijon të jetë një importues i madh neto i ushqimeve, në supermarketet shqiptare ndodh rëndon të gjesh produkte që janë edhe më të shtrenjta se supermarketet në Itali, ndërsa të ardhurat e familjeve shqiptare janë disa herë më të ulëta se ato italiane. Kjo është një nga arsyet që familjet shqiptare shpenzojnë një shumë të vogël përsa i përket ushqimeve në familjet e tyre. Rrogat të cilat janë minimale, taksat e larta, si dhe produktet me çmime të pa përballueshme, i bëjnë shqiptarët të krahasohen me Afrikën

Vendet që shpenzojnë më pak

Janë vetëm dhjetë vende në botë që shpenzojnë më pak se 10% e të ardhurave të tyre për ushqim, katër prej të cilave janë në Evropë; Mbretëria e Bashkuar është e treta me 8.2% e të ardhurave mujore, e ndjekur nga Zvicra me 8.7%, Irlanda shpenzon vetëm 9.6% dhe Austria 9.9%.Katër vendet e tjera ndodhen në pjesën tjetër të botës. Amerikanët shpenzojnë të paktën 6.4%, Singapori është i dyti në listë për sa i përket shpenzimeve më të ulëta për ushqim krahasuar me të ardhurat në total, 6.7%.  Kanadezët shpenzojnë rreth 9.1% të të ardhurave në ushqim, ndërsa australianët shpenzojnë 9.8%.

Vendet që shpenzojnë më shumë në botë

Nigeria shpenzon më shumë se gjysmën e të ardhurave për ushqim, dhe janë nëntë vende të tjera që shpenzojnë më shumë se 40% të ardhurave për ushqim. Katër prej të cilave janë në Afrikë, Nigeria 56.4%, Kenia 46.7%, Kameruni 45.6%, dhe Algjeria 42,5%. Katër të tjera janë në Azi, Kazakistani 43%, Filipinet 41.9%, Pakistani 40.9% dhe Azerbajxhani 40.1%. Guatemala është i vetmi vend në Amerikën e Jugut  që ndodhet në listën dhe familjet shpenzojnë rreth 40.6% të të ardhurave për ushqime. Shifrat nuk tregojnë se ushqimi është më i shtrenjtë në Nigeri se sa në SHBA. Në fakt, është e kundërta. Një amerikan mesatarisht shpenzon rreth 2,392 dollarë në vit për ushqim, një nigerian mesatarisht shpenzon gjysmën, 1,132 dollarë. Një banor i Kenias shpenzon 543 dollarë në vit për ushqim. Megjithatë, mund të ketë diferenca të mëdha brenda vetë shteti. Në 25 vitet e kaluara, rreth 20% e familjeve në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë nga 28.8% në 42.6% në ushqim, krahasuar me normën 6.5-9.2% të shpenzuar nga familjet e pasura.

10 vite pas

Sipas të dhënave të nxjerra në  nëntor të viti që lamë pas, shqiptarët u kthyen 10 vjet  për sa u përket shpenzimeve për ushqim. Ulja e rrogave dhe rritja e taksave duket se kanë varfëruar masivisht familjet shqiptare, të cilat po detyrohen të shpenzojnë gati gjysmën e buxheteve të tyre vetëm për të siguruar ushqim. Në anketën e fundit të buxhetit të familjeve, Instituti i Statistikave raportoi se vitin e kaluar shpenzimet për ushqime zunë saktësisht 48.7 për qind të totalit të shpenzimeve për konsum. Krahasuar me një vit më parë, pesha e shpenzimeve për ushqim u rrit me 4.5 për qind. Por treguesi më alarmant është ai se familjet shqiptare janë duke shpenzuar aktualisht për ushqime, të njëjtën pjesë buxheti si një dekadë më parë. Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se hera e fundit kur shqiptarët kanë shpenzuar 48.7 për qind të buxhetit të tyre për ushqime, ka qenë viti 2006. Kjo do të thotë se viti i kaluar mund të ketë fshirë dhjetë vjet arritje në luftën kundër varfërisë dhe rritjen e standardeve të jetesës. Pesha e lartë e shpenzimeve për ushqim është karakteristikë e vendeve të varfra. Sa më të ulëta të jenë të ardhurat, aq më e lartë do të jetë pesha që zënë ushqimet në shpenzimet totale të familjeve. Kjo për shkak se shpenzime për ushqime janë inelastike pasi kanë të bëjnë më mbijetesën. Në Bashkimi Evropian, familjet shpenzojnë për ushqime vetëm 15 për qind të buxhetit, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbimet utilitare apo zërat e tjerë si arsim, argëtim etj. Në fillim të viteve 90 për shkak të varfërisë masive dhe nivelit minimal të të ardhurave, familjet shqiptare shpenzonin mbi 70% të buxhetit total për ushqimet. Por rritja e shpejtë ekonomike pas kësaj periudhe solli reduktimin e peshës së ushqimeve në shportën totale të shpenzimeve. Nga viti 1994 deri në vitin 2006 shpenzimet për ushqimet u ulën nga 66.3 për qind e totalit në 48.7 për qind. Pas këtij viti për shkak të efekteve nga kriza globale, shpenzimet për ushqim u rritën sërish. Në anketën e vitit 2009 ato arritën në 49.4 për qind. Megjithatë pas kësaj periudhe ato ranë sërish. Në vitin 2014 sipas INSTAT shpenzimet për ushqime zinin vetëm 44.3 për qind të totalit të shpenzimeve për konsum të familjeve shqiptare. Por ngrirja e rrogave për tre vjet dhe rritja e përvitshme e taksave, ka goditur drejtpërdrejtë buxhetet e familjeve shqiptare duke bërë që ato të dedikojnë gati gjysmën e shpenzimeve vetëm për të mbajtur frymën gjallë.

(Kosova Sot)