MUSTAFA: Si pasojë e mospajtimeve pozitë-opozitë, vendi gjendet në një kolaps politik

  • 25 May 2017 - 19:56
MUSTAFA: Si pasojë e mospajtimeve pozitë-opozitë, vendi gjendet në një kolaps politik

Edhe analisti Nexhmedin Mustafa thotë se është një fatkeqësi e madhe, që Kosova nuk ka një program nacional -shtetëror, i cili qartë do të tregonte rrugëtimin e Kosovës, kur në pyetje janë gjërat madhore dhe me interes vital për shtetin, dhe që do të nënkuptonte mbrojtjen e interesave për qytetarët e saj. "Ky plan dhe program, do të mund të bëhej me një konsensus nacional, ku përveç subjekteve politike të vendit, do të mund të përfshiheshin edhe ekspertë nga lëmi dhe fusha të caktuara, do të shërbente si udhëzues, në bazë të të cilit Republika e Kosovës do të mund të vazhdonte rrugëtimin e saj si shtet i konsoliduar. Ky planprogram konsensual do të eliminonte mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet ndërmjet subjekteve politike në vend, por edhe të shoqërisë civile, njëherësh do të pamundësonte të pavërtetat premtuese në fushata elektorale nga mashtruesit ordinerë, që sot po synojnë pushtetin, duke tentuar të manipulojnë qytetarin", tha Mustafa. Ai thotë se është e natyrshme që dikush do të mund të thoshte se Kosova ka Kushtetutën e vet, dhe se kushdo që vjen në pozitë për të qeverisur vendin, do të duhej t'i referohej asaj, por ajo nuk është e tëra. "Kosova nuk ka përmbushur ende aspektet kryesore të formulimit dhe rrumbullakësimit të shtetësisë, siç janë, bie fjala, përkufizimi i demaskimit të kufirit me Malin e Zi, Serbinë, pastaj çështja e Asociacionit, formimi i ushtrisë rrugëtimi i Kosovës drejt strukturave euroatlantike dhe anëtarësimi i saj në OKB, procesi i njohjeve të shtetësisë së Kosovës, zhvillimi ekonomik etj. Janë pra këto vetëm disa çështje, por që konsiderohen jetike për shtetin e Kosovës e që nevojitet një konsensus nacional mbi një plan dhe program të punuar e studiuar mirë, i cili do specifikonte qartë rrugëtimin e Kosovës dhe në këtë mënyrë, do të eliminonte mundësitë për mashtrime dhe manipulime nga ata që synojnë të udhëheqin me vendin", tha Nexhmedin Mustafa. "E përtej kësaj, kjo elitë politike e kohës, si pasojë e mospajtimeve të shumta, pozitë-opozitë, vendi, sot gjendet në një kolaps politik dhe stagnim të proceseve, e krejt kjo po ndodh, ngase interesat grupore, klanore po vihen në rend të parë, para atyre nacionale", potencoi ai.

(Kosova Sot)