Me qitje nderi artilerike shënohet 25 vjetori i Armatës së Maqedonisë

  • 18 August 2017 - 22:47
Me qitje nderi artilerike shënohet 25 vjetori i Armatës së Maqedonisë

Me rastin e 25-vjetorit të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), nga kazerma e Shkupit “Ilinden” është kryer qitje nderi artilerike me gjuajtje të dhjetë breshërive të artilerisë nga ana e njësitit të batalionit artilerik të ARM-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të kësaj dite, në solemnitetin qendror të mbajtur në stadiumin ushtarak në Parkun e qytetit në Shkup, në prani të përfaqësuesve të ARM-së, institucioneve shtetërore, vetëqeverisjes lokale e ambasadave, do të adresohen me fjalim presidenti Gjorge Ivanov dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. 

Ndërkohë, solemnitetit qendror i paraprijnë një seri aktivitetesh, si vendosja e kurorave me nderime ushtarake në varrezat e partizanëve nga ana e delegacioneve, si dhe hapja e ekspozitës tërë ditore e mjeteve ushtarake dhe pajisjeve ushtarake në Parkun e qytetit. 

Më herët, në pllajën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të ARM-s, ministrja Radmilla Shekerinska para të pranishmëve deklaroi se në të gjitha këto vitet e kaluara, pjesëtarët e ARM-së kanë qenë në mbrojtje të qytetarëve në kohët më të vështira. 

“Ata që mbajnë uniformën e Armatës së Republikës së Maqedonisë, ato që sigurinë tonë e marrin si përgjegjësi të tyre, ato që në detyrë zyrtare edhe jetët e tyre janë në gjendje t’i rrezikojnë për vlerat tona, pikërisht për ato unë si ministre e Mbrojtjes dhe si qytetare, u jap nderime dhe mirënjohje të sinqertë”, deklaroi Shekerinska.

Më 18 gusht të vitit 1943 në Sllavej Pllanina, në rajonin e Debarçes, u formua batalioni “Mirçe Acev”, i cili konsiderohet si formacioni i parë i organizuar ushtarak i LNÇ-së së Maqedonisë. Dita e formimit të batalionit konsiderohet si ditëlindja e ARM-së.

 (Kosova Sot)