‘Devolli’ vërshon tregun, shteti hesht skandalin e miellit dhe grurit për kafshë

  • 19 September 2017 - 07:45
‘Devolli’ vërshon tregun, shteti hesht skandalin e miellit dhe grurit për kafshë

Gruri për kafshë, i ardhur nga Serbia si import në qindramijëra tonë, të cilin në Kosovë e Shqipëri po e sjell kompania e Shkëlqim Devollit, "M-Sillosi", ka dyshime të mëdha se po i shkatërron qytetarët dhe bizneset konkurrente. Sipas mediave në Shqipëri, thuhet se Devollët kanë kapur gati gjysmën e tregut shqiptar, ndërkaq në Kosovë e zotërojnë mbi 80 për qind të tregut. Veç saj, industrialistët nga Shqipëria patën nxjerrë alarmin për rrezikun që paraqet ky miell i importuar për konsumatorët dhe shëndetin e tyre. Sipas tyre, ky miell nuk e plotëson standardin minimal për proteinat (12-13 për qind),të cilit i mungon jodi dhe hekuri, ndërsa futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat fare dhe ka manovra e shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë. Veç tjerash, prodhuesit e miellit japin alarmin se mielli ose gruri i importuar nga Serbia po bën kërdinë në treg dhe po cenon e kërcënon rëndë shëndetin e sigurinë e 5 milionë konsumatorëve shqiptarë në trojet e tyre. Analistët e shtrojnë për debat çështjen se përse institucionet përgjegjëse kosovare po lejojnë që të vazhdojë që të rrezikohet shëndeti i konsumatorëve nga gruri i kafshëve, i cili shitet si miell dhe më së shumti importohet nga kompania e Shkëlqim Devollit, por nuk e plotëson as standardin minimal për proteinat. Ata pyesin se a kanë frikë Qeveria, Dogana, AVUK-u, Prokuroria Speciale, gjykatat, policia etj., që të nisin hetimet dhe t'i nxjerrin para drejtësisë Devollët, edhe përkundër faktit se ka dyshime të mëdha se prapa tyre qëndrojnë figura të larta politike dhe shtetërore që janë të inkriminuara. Në pyetjen e dërguar lidhur me atë se si agjenci e pavarur që janë çfarë po bëjnë ata për ndalimin e rrezikimit të shëndetit të qytetarëve nga mielli që vjen e bëhet nga gruri i kafshëve prej Serbisë, se çka thonë për çështjen që po e trajton gazeta, zyrtari për informim i AUVK-ut, Lamir Thaçi, tha përmes celularit të hënën se "nuk besoj se do të merrni përgjigje". Ndërsa në përgjigjen e Adriatik Stavilecit, zëdhënës i Doganave të Kosovës, në mes tjerash, thuhej se "Dogana nuk ka të bëjë asgjë me çështjen e kualitetit të produkteve në import, ngase për kualitet janë përgjegjëse institucionet e tjera".

Image

 

Korporata dyshohet se i ka korruptuar zyrtarët

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se ky grurë i kafshëve kuptohet që është i dëmshëm, ngase e dimë se kjo çështje është bërë alarmante për shkak se shumë qytetarë kanë blerë dhe ende po e blejnë miellin e kompanisë "M-Sillosi", që është një prodhim në pronësi të Korporatës "Devolli". Ai tha se nga ana tjetër me të drejtë shumë herë është shtruar çështja se përse Policia e Kosovës dhe gjykatat tona nuk po marrin masa për parandalimin e këtij produkti. "Përgjigjja e tyre ka qenë heshtja. Kjo po ndodh ngase shumë veta, qofshin ata nga Qeveria, AUVK-u, gjykata etj., janë të korruptuar nga Korporata 'Devolli' dhe e dimë që shumë nga politikanët që kanë ndikim janë të përfshirë në këtë lojë dhe rrugë që po e shkatërron qytetarin e Kosovës", potencoi ai. Ndaj, sipas Grapcit, ose sot ose kurrë duhet që të intervenohet në ndalimin e këtij produkti, së pari nga prodhimi e deri tek shitja e tij, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtohet populli nga helmimi i miellit, i cili është bërë nga gruri i kafshëve, që është edhe i mykur. Grapci u bën apel qytetarëve të Kosovës që mos ta blejnë këtë miell të dyshimtë.

Image

 

Institucionet të jenë shumë vigjilente

Eksperti i ekonomisë dhe ish-deputeti Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se sa i përket kësaj çështje duhet të kenë përgjegjësi kryesore institucionet e Republikës së Kosovës, sepse këto janë përgjegjëse edhe për shëndetin e qytetarëve të vendit. "Kompania 'Devolli' ka demantuar shumë herë këtë lajm, por duhet institucionet, si AUVK-u, Dogana, Prokuroria dhe institucionet e tjera që të dalin me analiza dhe me një raport të detajuar se në të vërtetë me çfarë mielli janë duke u ushqyer qytetarët e vendit, e nëse në këtë drejtim ka shkelje atëherë duhet pa marrë parasysh se kush qëndron pas kësaj të japë përgjegjësi para organeve kompetente dhe të marrin dënimin e merituar", u shpreh ai. "Në kohën kur edhe në shumë vende të BE-së po ka skandale të ndryshme rreth produkteve ushqimore, si bie fjala rasti i fundit me vezë, që po thuhet se janë shitur në tregun e gjithë Evropës, të cilat janë të dëmshme për njeriun atëherë institucionet e vendit duhen që të jenë syhapur se çfarë produktesh kemi në tregun tonë", potencoi ai. Neziraj tha se AVUK-u, si një prej agjencive të shtetit detyrë primare e ka edhe këtë çështje të miellit, por edhe të produkteve të tjera. "Siç dihet, kemi pasur nga kjo agjenci kohën e fundit një aksion ku në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës kanë asgjësuar mish me afat të skaduar, prandaj këto institucione duhen të jenë në krye të detyrës, sepse fundja për atë qëllim edhe janë themeluar dhe duhet të veprojnë, por edhe të bëjnë transparente se cilat ndërmarrje janë duke bërë veprime të tilla që po dëshirojnë të helmojnë qytetarin e vendit për interesa personale", u shpreh Neziraj. "Ndaj këtyre kompanive për veprime të tilla duhet që të gjithë mekanizmat e shtetit të bëjnë punën e tyre, në mënyrë që të mbrohet jeta e qytetarëve dhe për veprime të tilla të dënohen sa më ashpër, sepse kemi të bëjmë me jetën e qytetarit të vendit tonë", potencoi ai.

Skandali u vërtetua, askush nuk u ndëshkua

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se është vërtetuar se Serbia fashiste, përmes bandës së saj "Devolli", ka kanale të posaçme për shpërndarjen e mallrave për në Kosovë e Shqipëri. "Kjo po ashtu është vërtetuar se ka mallra me simptome kancerogjene, vdekjeprurëse... Jo larg, kjo bandë, 'Devolli', është me procedurë penale për kontrabandë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve", u shpreh ai. "Devollët, kjo bandë vrastare, kohë më parë pastruan stallat e Serbisë dhe në Kosovë, përmes doganave futën krunde qensh e derrash, për t´iu ikur tatimeve të shtetit, dërguan këto krunde në mullirin e vdekjes dhe më pas futën në thasë të kamufluar, të përziera me krunde derrash dhe qensh dhe shpërndanë në sofrat shqiptare për grurë, duke i trashur xhepat e tyre dhe buxhetin e shtetit serb, ndërkaq, në anën tjetër, dëmtuan shëndetin e popullit gjithandej ku flitet shqip. Kjo që po e them u vërtetua, edhe pse me vonesë, nga të dy palët shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, falë ankesave të qytetarëve kur u rrezikua jeta e tyre. Kjo vepër e kundërligjshme u vërtetua edhe nga komisionet ndërshtetërore ", theksoi analisti Badallaj-Zhuriani."Kjo bandë e rrezikshme antishqiptare ka uzurpuar duke e blerë tregun me para të pista dhe për të mashtruar qytetarët kjo ul çmimet dhe shfrytëzon rastin tjetër se popullata është në fukarallëk të skajshëm dhe janë të detyruar për të blerë këtë mall - miell të dëmshëm i përzier me krunde qensh e derrash. Kur kjo vepër vërtetohet nga komisionet shtetërore dhe jo vetëm që nuk burgosen, por lejohet të veprojnë në aktivitetin e tyre të kundërligjshëm. Por, kot se kjo bandë me para të pista dhe kontrabandë ka blerë edhe sistemin gjyqësor dhe nuk guxojnë as të hapin as gojën", vijoi më tutje ai. Sipas tij, e keqja më e madhe është se këtë bandë e mbështesin edhe majat e larta të shtetit, banditët dhe kryebanditët e bandave politike se u dëgjua dhe u vërtetua se mbështet edhe nga klani mafioz-oligark që quhet "PRONTO". Ai thotë se sikur kjo vepër e krimit do të ndodhte në Gjermani, do të dënoheshin për jetë dhe do t'i ndalohej aktiviteti ilegal dhe i rrezikshëm. "Po, kjo te ne nuk ndodh, se mbështetet nga banditët dhe kryebanditët që e kanë kapur shtetin", theksoi Badallaj.

Image

 

Konsumatorët të nëpërkëmbur

Ndërsa, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') tha për "Kosova Sot" se Ligji i Konkurrencës i rregullon raportet-përmasat, proporcionet e konkurrencës së ndershme, ndërsa sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve e mbikëqyrin dhe inspektojnë AUVK dhe IKSHPK. "'Konsumatori' dhe unë kemi reaguar shumë herë, edhe në faqet e gazetës 'Kosova Sot'. Prodhuesit e miellit, për të qenë sa më të besueshëm, duhet t'i ndjekin udhët dhe procedurat administrativojuridike-ligjore e afariste për ta informuar opinionin e të mos dyshojmë në trajta të 'konspiracionit ekonomik' të veprimit mes bizneseve", ka thënë ai. Sipas Kaçanikut, AUVK dhe Dogana kanë përgjegjësi të madhe para ligjit dhe para qytetarit konsumator taksapagues. "Çdo produkt, i cili në tregun e Kosovës shfaqet pa i përmbushur kriteret, normat, standardet, ligjet e vlefshme socio-ekonomike-teknike... është përgjegjësi e tyre, pa i marrë parasysh arsyetimet e tyre", u shpreh ai. "Konflikti i interesit, lobit, aleancat e koalicionet e pandershme institucionale-politike-biznesore, mendoj se janë fajtori kryesor i së keqes institucionale-politike-kushtetuese-ligjore që po e mundin skenën socio-ekonomikepolitike të Kosovës. Nga këto raporte varen edhe shëndeti dhe jeta e qytetarit konsumator taksapagues, e jo nga ligjet - të cilat zbatohen shumë pak", ka potencuar më tutje Kaçaniku.

(Kosova Sot)