Partitë ia vënë "drynin" Kuvendit

  • 17 October 2017 - 07:51
Partitë ia vënë

Duke parë "pushimin" që i kanë dhënë vetes ligjvënësit e rinj të këtij mandati pas zgjedhjeve të qershorit të këtij viti, mospunën që po reflekton në Parlament analistët politikë vlerësojnë se Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë legjislativ, ka rënë krejtësisht në gjumë dhe assesi nuk mund të arsyetohet që edhe përkundër vonesës disamujore për formimin e institucioneve sërish nuk punon asgjë. Për më tepër, për të organizuar edhe një seancë të vonshme u dashtë të reagojë dhe ta kërkojë ambasadori amerikan Delawie. Po kalon tani gati edhe mesi i vjeshtës dhe Kuvendi nuk merret me tema me rëndësi që i shqetësojnë qytetarët, por i lë ato siç po bëjnë tani dhe po abuzojnë, po marrin paga të majme, për t'u shëtitur në fushata zgjedhore, ose edhe kur gjoja punon këtë e bën vetëm në shërbim të mafio-oligarkisë dhe nëntokës mafioze kriminale. Analisti politik Ymret Reshiti tha për "Kosova Sot" se në Kuvend është kthyer prapë "kriza e numrave", sepse realisht koalicioni qeverisës momentalisht i ka të deklaruara gjithsej 60 vota për çdo nismë të Qeverisë dhe ky numër simbolizon bllokadën Parlamentare dhe nuk mundëson punë efektive, andaj parlamentin e kemi kështu si e kemi.

Image

 

Asnjë arsye për të "pezulluar" seancat

Sipas Reshitit, deputetët më shumë janë të përqendruar në fushatë për zgjedhjet lokale sesa në Parlament."Fushata e zgjedhjeve lokale vetëm sa i ka dhënë një argument të fortë koalicionit qeverisës për të arsyetuar mosmbajtjen e mbledhjeve të Kuvendit të Kosovës. Me mosmbajtjen e mbledhjeve për një kohë të gjatë, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ta "suspendojë" vetën e tij para obligimeve të përcaktuara me Kushtetutë. Ky "suspendim" i Kuvendit është jodemokratik , jokushtetues dhe i dëmshëm për interesat e qytetarëve të Kosovës", potencoi ai."Kushtetuta nuk parasheh që Kuvendi të mos mblidhet në kohë të fushatës së zgjedhjeve elektorale. Përkundrazi, Kuvendi i Kosovës për shkak të rolit që ka dhe për shkak të agjendës së Kosovës do të duhej që të mblidhej deri në tri herë brenda një muaji, ngase ka mjaft punë për të bërë. Sigurisht liderët e partive të koalicionit qeverisës kanë planifikuar dhe janë duke e shfrytëzuar me efektivitet kohën sa zgjat fushata e zgjedhjeve lokale për të lobuar në sigurimin e votave në Kuvendin e Kosovës , minimum 61 vota", vijoi më tutje Reshiti. "Çdo qeveri duhet ta dijë se sa i rëndë- sishëm është roli i Kuvendit të Kosovës nëse dëshiron që t'i shtyjë përpara proceset politike të Kosovës, sepse roli i Kuvendit është vendimtar si organ më i lartë i shtetit për temat e mëdha të vendit", theksoi analisti Ymret Reshiti

Image

 

Deputetët u bënë marioneta të partive

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se përfaqësuesit e popullit janë transformuar në marioneta të partive politike të tyre, e jo në përfaqësim të vullnetit të popullit. Sipas tij kjo logjikë e funksionimit të institucionit më të lartë përfaqësues e ligjvënës ka prodhuar një realitet të zhgënjimit qytetar. "Gjykoj se Kosova e posaçërisht qytetarët e saj po humbin kohë në rrugën e konsolidimit të brendshëm, por edhe në rrugën e integrimeve euroatlantike. Fryma e tillë e funksionimit të institucioneve më të rëndësishme të shtetit jep garanci të qartë për deficit vizionar për rrugën që duhet të ndjekë Kosova në vitet e ardhshme. Përfaqësuesit e popullit po veprojnë brenda vijës lineare të partive politike, por jo brenda mandatit kushtetues e ligjor që ia ka dhënë qytetari i Kosovës. Aktivizimi i tyre në fushatën e zgjedhjeve lokale është mesazh i qartë se deputetët e popullit veprojnë nën urdhrat politikë e jo në vijën lineare të vullnetit të popullit. Qytetarët e Kosovës kanë bazë të mjaftueshme për ndëshkimin e politikanëve të tillë, e posaçërisht partive politike që interesin partiak e vënë në rend të parë në raport më interesat qytetare. Ndëshkimi përmes procesit demokratik është forma më e mirë e disiplinimit të partive politike, por edhe të politikanëve karrieristë", tha Hidejat Ahmeti.

Image

 

Edhe opozita pjesë e sabotimit

Të dështuar po e sheh që në fillim këtë legjislaturë të re edhe politologu Gurakuq Kuçi."Është hera e dytë që dy legjislatura po tregohen jofunksionale në kryerjen e punës për të cilën janë të thirrur. Është fatkeqësi e demokracisë kur Qeveria punon pa kontrollin e Kuvendit, por edhe që Qeveria dërgon projektligje në Kuvend dhe ky i fundit vetëm i arkivon", u shpreh ai. "Ka mundësi që kjo është një sabotim i punës së Kuvendit, por edhe të Qeverisë edhe nga kryetari i Kuvendit. Sabotimi i punës së Kuvendit madje po ndodh edhe nga vetë opozita, të cilët po heshtin të dhënë totalisht pas zgjedhjeve lokale. Nuk janë arsye zgjedhjet lokale për veprime të tilla", ka thënë më tej Kuçi. "Këtu tregohet nevoja e madhe e një ligji për Kuvendin, i cili do të saktësonte shumë gjëra, si mbledhjet të jenë të paktën një herë në muaj, të ketë një minimum ligjesh që duhet kaluar për gjashtë muaj ose pason ndëshkimi në pagë, pastaj çdo kandidim për një post tjetër publik të detyrojë deputetin të shkarkohet ose të japë dorëheqje nga posti i deputetit e shumë gjëra të tjera që e funksionalizojnë Kuvendin. Megjithatë, vështirë që këta deputetë janë të gatshëm për veprime të tilla", potencoi Gurakuq Kuçi.

Image

 

Ligjvënësit e harruan betimin

Tepër joserioze e sheh këtë qasje të brishtë të punës së Kuvendit edhe Naim Kelmendi. "Edhe përkundër vonesës disamujore derisa u formuan institucionet e shtetit, legjislativi që në nismë të punës së tij filloi me seanca të rralla pune, që në të vërtetë është mospunë dhe që kur ka filluar edhe fushata për zgjedhjet komunale në vend interesimi është vetëm për fushatën lokale e jo për Kuvendin, duke u nisur që nga kryekuvendari e deri te kryeministri, qoftë edhe deputetët nga subjektet partiake të përfaqësuara në Kuvend po shëtitën nëpër komuna", u shpreh ai. "Është e pafalshme që edhe për këtë mospunë ata marrin pagat, sikur të ishin në kohë pune të angazhimit në Kuvend", tha Naim Kelmendi. Ndërsa analisti politik Ali Hertica thotë se injorimi i punës së Kuvendit dhe vrapi nëpër fushatë zgjedhore me pagat e Kuvendit është një injorim eklatant i votës së qytetarit, para të cilit deputetët janë betuar. "Kjo gjendje e vazhdimit të një pauze parlamentare tregon më së miri se ata tani për tani nuk i kanë në prioritet ligjbërjen dhe trajtimin e halleve në Kuvendin e Republikës, por angazhimin maksimal për sigurimin e sa më shumë hapësirës në kapjen e pushtetit në nivelin lokal, në komuna, gjë që do ta determinojë edhe zbulon forcën reale të partive politike në bazë, pas traumës që shumica e partive politike morën me rezultatin dobët në zgjedhjet nacionale të qershorit", tha Hertica për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)