Një e katërta e botës mund TË SHNDËRROHET NË SHKRETËTIRË

  • 03 January 2018 - 19:41
Një e katërta e botës mund TË SHNDËRROHET NË SHKRETËTIRË

Mjafton një rritje prej vetëm 2°C e temperaturave globale, që bota të bëhet dukshëm më e thatë dhe më e ngjashme me shkretëtirën, thotë një kërkim i ri shkencor. Më shumë se një e katërta e sipërfaqes tokësore të planetit tonë, ku jetojnë rreth 1.5 miliard njerëz, do të bëhej më e thatë, me një rritje të shpeshtësisë së zjarreve.

 Prekja nga ndryshimet

Nëse ngrohja globale kufizohet në 1.5°C, atëherë në mënyrë dramatike do të zvogëlohej përqindja e sipërfaqes së Tokës, që do të prekej nga këto ndryshime.

Një ekip shkencëtarësh britanikë nga Shkolla e studimeve ambientale “East Anglia”, studioi projeksionet nga 27 modele klimatike, duke identifikuar zonat e botës ku thatësia do të rritet në një masë të ndjeshme.

Doli se, zonat më të rrezikshme nga thatësia dhe nga shndërrimi në shkretëtirë janë disa pjesë të Azisë Juglindore, Evropës Jugore, Afrikës Veriore, Amerikës Qendrore dhe Australisë Jugore.

Toka tanimë është nxehur për 1°C

Në këto zona jetojnë rreth 20% të njerëzimit, apo rreth 1,5 miliard njerëz. Studimi shikoi shkallët aktuale të rritjes së temperaturave globale, duke i krahasuar ato me të dhënat para revolucionit industrial. Që nga ajo kohë, Toka tanimë është nxehur për 1°C.   

Marrëveshja e Parisit, e cila së pari u nënshkrua në vitin 2015, paraqet një marrëveshje ndërkombëtare, që ka për qëllim mbajtjen e ndryshimeve klimatike nën kontroll. Në qershor, presidenti amerikan Trump bëri publik qëllimin e tij për tërheqjen e SHBA-së nga kjo marrëveshje. 

(Kosova Sot)