KËTA JANË DY POLICËT SERBË TË ARRESTUAR DJE NË VERI

  • 11 February 2018 - 14:26
KËTA JANË DY POLICËT SERBË TË ARRESTUAR DJE NË VERI

Bëhet e ditur se dy policët serbë të arrestuar dje në veri të Mitrovicës janë Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq.

Ata u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Arrestimi i tyre ishte bërë i ditur dje nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut”, thuhej në komunikatën e mbrëmshme.

Përveç arrestimit, policia kishte bastisur edhe dy lokacione.

“Gjatë bastisjeve është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thuhej në komunikatën e IPK-së.

Të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

(Kosova Sot)