Beqiri:Flemë mbi thëngjill, vuajmë për rrymë

  • 09 March 2018 - 21:08
Beqiri:Flemë mbi thëngjill, vuajmë për rrymë

Analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se Kosova ka shumë pasuri, ta zëmë Kosova ka thëngjill që ia ka lakmi e tërë bota, por prapëseprapë nuk po arrin që të sigurojë energji elektrike të bollshme për nevojat kosovare, përderisa para lufte e ka furnizuar edhe një pjesë të Serbisë me po këto termocentrale. "Edhe minierat e tjera si ajo e Goleshit, Kishnicës dhe 'Feronikelit' të gjitha kanë mbetur në mëshirën e politikanëve milionerë kosovarë, në përjashtim të një pjese të vogël që janë funksionale", tha ai."Pengesat me të cilat përballen bizneset gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre ditor përbëjnë aspekte të ndryshme dhe janë të llojllojshme. Ndër vështirësitë më të shpeshta me të cilat ballafaqohen bizneset në aktivitetin e tyre ditore operacionale është mungesa e rrymës elektrike, infrastruktura e keqe, konkurrenca jolojale, mungesa e sundimit të ligjit, si dhe niveli i lartë i taksave. Gjendja e tanishme është veçanërisht e çuditshme, duke marrë parasysh faktin se Kosova dikur ka qenë eksportuese e energjisë elektrike. Kosova mund të mos ketë resurse të naftës ose gazit natyror, mund të ketë probleme ekonomike e politike, por ajo ka rezerva të mëdha të linjitit, një lloj i thëngjillit që përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike", vijoi më tutje analisti Beqiri."Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të ashpra të rrymës, përderisa qëndron në rezervat e treta të linjitit në Evropë. Janë shuma marramendëse që shteti i Kosovës ka shpenzuar në blerje të energjisë elektrike edhe mbas 19 viteve të përfundimit të luftës qindra miliona euro donacione nga BE-ja, por ende nuk ka energji elektrike, ende ka reduktime, ende bizneset ankesë kryesore e kanë mungesën e energjisë elektrike", u shpreh ai.

(Kosova Sot)