"Kosova Sot", si luftëtarët e lirisë, u ndoq dhe u persekutua nga Serbia fashiste

  • 23 March 2018 - 10:05

PO BËHEN 19 VJET QË KUR REGJIMI KRIMINAL SERB I MILLOSHEVIQIT DOGJI GAZETËN "KOSOVA SOT" DHE SHTYPSHKRONJËN E SAJ (1)

"Kosova Sot" në kohën e okupimit ishte një brigadë e UÇK-së, që iu kundërvu armikut me shkrim 

Përfaqësues nga jeta shoqërore, politike, kulturore e sportive, në 19 vjetorin e djegies së gazetës "Kosova Sot" dhe shtypshkronjës së saj nga regjimi kriminal i Serbisë gjatë luftës, e vlerësojnë lart kontributin e kësaj gazete për gati dy dekada, që është shumë i madh dhe shumëdimensional në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Ata thonë se botuesi i gazetës rrezikoi mbi 5 milionë euro investime në makineri të shtypshkronjës, ku shtypeshin librat shkollorë në gjuhën shqipe dhe materialet shkollore me logo të Republikës së Kosovës, duke përkrahur luftën çlirimtare dhe duke u pozicionuar haptas kundër regjimit kriminel serb të Millosheviqit, por sot gjykatat kosovare refuzojnë paditë e kësaj gazete kundër Serbisë për dëme lufte

Më 11 mars 1999 regjimi serb përmes vendimit të Gjykatës së Prishtinës, të instaluar në Prishtinë, me urdhër të ish-ministrit të informacionit, Aleksandër Vuçiq dhe pa ftesë e pa mbajtur as edhe një seancë gjyqësore e dënoi gazetën "Kosova Sot" me dënim prej mbi 300 mijë DM për shkak të politikës editoriale të gazetës që përkrahte luftën çlirimtare. Mbulimi i aktiviteteve të luftëtarëve të UCK-së, mbulimi i ofensivave nga vendi i ngjarjes dhe politika editoriale kundër regjimit të Milosheviqit bënë që gazeta 'Kosova Sot' të bëhet halë në sytë NR. 1 të këtij regjimi vrastar e piroman e flakëvënës. Më 18 mars 1999 regjimi serb e hodhi në aksion policinë dhe e ndaloi botimin e gazetës më të madhe në vend 'Kosova Sot'. Pra, gazeta u konfiskua në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën dhe rrjetit të shitjes iu konfiskuan gazetat edhe nëpër veturat shpërndarëse! Por, lufta e regjimit të Milosheviqit kundër gazetës më të madhe në vend, 'Kosova Sot' nuk përfundon këtu. Gjashtë ditë më pas, më saktësisht më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi që filluan bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit vjen duke filluar me flakëvënien, djegien dhe shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës së gazetës 'Kosova Sot', me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica e librave shkollorë dhe materialeve shkollore në gjuhën shqipe. Pra, më 24 mars 1999, regjimi i Millosheviqit zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës 'Kosova Sot' si të parën e nr. 1 për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që roli dhe ndikimi i gazetës ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit. Dëmi i djegies ishte mbi 5 milionë euro dhe, edhe pse tanimë po bëhen 19 vjet dhe, përkundër që në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, e njëjta as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar nga gjyqësori i instaluar, me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke na udhëzuar që padinë ta dërgojmë në gjykatat e Serbisë në Beograd, ose që "Cjapi të shkojë te Kasapi", edhe pse vendi i krimit është bërë në Prishtinë (Kosovë)!!! Prandaj, në këtë 19 vjetor të djegies së kësaj gazete, qytetarë-përfaqësues nga jeta politika, institucionale, kulturore e sportive, janë pyetur për se si e vlerësojnë rolin dhe kontributin e gazetës 'Kosova Sot' para, gjatë luftës dhe në këto dy dekada, botuesi i së cilës gazetë rrezikoi investimin mbi 5 milionë euro në makineri të shtypshkronjës, ku shtypeshin librat shkollor në gjuhën shqipe dhe materialet shkollore me logo të Republikës së Kosovës, duke përkrahur luftën çlirimtare dhe duke u pozicionuar haptas kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit, gjë që rezultoi që në ditën e bombardimeve të NATO-së, pikërisht më 24 mars 1999 regjimi i Milosheviqit zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës 'Kosova Sot' si të parën e nr. 1 për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që roli dhe ndikimi i gazetës 'Kosova Sot' ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit? Ja edhe përgjigjet e tyre.

Florim Zeqa, analist

Kontributi i gazetës "Kosova Sot", para, gjatë luftës dhe në këto dy dekada, është i madh dhe shumëdimensional në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Botuesi i kësaj gazete rrezikoi mbi 5 milionë euro investime në makineri të shtypshkronjës, ku shtypeshin librat shkollorë në gjuhën shqipe dhe materialet shkollore me logo të Republikës së Kosovës, duke përkrahur luftën çlirimtare dhe duke u pozicionuar haptas kundër regjimit kriminel serb të Millosheviqit. E tërë kjo gjë rezultoi që në ditën e bombardimeve të NATO-s, pikërisht më 24 mars 1999, regjimi fashist i Millosheviqit zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës "Kosova Sot", si të parën e nr. 1 për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që roli dhe ndikimi i gazetës 'Kosova Sot' ishte kolosal. Edhe përkundër këtij kontributi të jashtëzakonshëm, sfidave dhe sakrificave të panumërta të botuesit të gazetës, pushtetarëve në Kosovën e pasluftës nuk iu ra asnjëherë ndërmend për kompensim të dëmeve materiale. Është e habitshme se si drejtësia në Kosovë refuzon paditë e kësaj gazete për dëmet milionëshe që ia bëri regjimi millosheviqian.

Bashkim Gashi, nga shoqëria civile

"Kosova Sot", edhe pse u dogj nga forcat serbe, ajo tani ka rilulëzuar dhe kjo na jep të kuptojmë se okupatori e ka ditur rolin dhe rëndësinë e kësaj gazete gjatë luftës. Mirëpo,tani kam kuptuar për dëmet aq të mëdha materiale që i janë shkaktuar kësaj gazete. Duke mësuar të vërtetën edhe për botime të librave shkollorë, kjo na bën obligativ ta respektojmë tri herë më shumë këtë dritare informimi në kohë lufte, por që vazhdoi misionin e saj për të vërtetën edhe pas lufte. Kurse ajo që tani e karakterizon këtë gazetë është fakti se është gazeta më lexuar. Kjo gazetë ka bërë shumë, sidomos për reformimin e shoqërisë dhe emancipimin e saj, sidomos për ta ndërruar gjendjen e rëndë në gjyqësorin e Kosovës. Tani pres që po kjo gazetë lidere të shkruajë edhe për gjërat afirmative që ndodhin në gjyqësorin e Kosovës. Personalisht mendoj se "Kosova Sot" është gazeta më e përgatitur në Kosovë. Duhet të mendojmë të gjithë për kompensimin që ia shkaktoi Serbia kësaj gazete gjatë lufte.

Nexhat Çoçaj

Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat punoi gazeta "Kosova Sot", mund të them lirshëm se në kohën e okupimit ishte një brigadë e UÇK-së që iu kundërvu armikut me shkrim. Prandaj, edhe kjo gazetë, njësoj si luftëtarët e lirisë, u ndoq dhe u persekutua. Roli i gazetës në luftë ishte i madh, sa mund të krahasohet me krismat e pushkëve të luftëtarëve. Dhe s'do mend se një ushtar i armatosur mirë nuk lejohet të veprojë lirshëm. Ndërsa në dy dekadat e pasluftës ka ndihmuar në ndërtimin e vendit. Pavarësisht se shumë herë ka shkruar vetëm për të zezat që po i shkaktojnë vendit disa politikanë, prapë mendoj se gazeta ka synuar më të mirën për popullin, e kurrë nuk i është nënshtruar politikës.

Njerëzit e kulturës: Me djegien e gazetës "Kosova Sot", regjimi i Millosheviqit po përjetonte grahmat e fundit Ekrem Kryeziu, dramaturg - regjisor

Kur doli gazeta "Kosova Sot" çuditërisht m'u krijua bindja se liria e Kosovës është afër dhe shkatërrimin e shtypshkronjës e përjetova si grahmë të fundit të Millosheviqit para vdekjes. Ashtu si nuk mund t'ia ndalosh popullit lirinë, ashtu është e pamundur ta fshehësh të vërtetën para botës. Gazeta "Kosova Sot" nuk u shua me flakët e Millosheviqit, pavarësisht nga humbjet materiale, por ajo u bë dhe është edhe sot fanar që e ndriçon rrugën e së drejtës. Ju dëshiroj të vazhdoni të jeni ata që jeni.

Avdi Lakna, kryetar i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës

Kjo datë është një kujtim i hidhur për botuesin dhe lexuesin e "Kosova Sot", ngase okupatori mendoi se me rrënim dhe djegien do ta ndalojë zërin e lirisë dhe fjalën e lirë. "Kosova Sot" është një dritare që sjell rreze drite në Kosovën e lirë, e cila me guxim dhe profesionalizëm pasqyron para opinionit rezultatet pozitive, por edhe ato negative, kjo e ndihmon shoqërinë që të emancipohet dhe zhvillohet me sukses. I uroj gazetës "Kosovës Sot" rrugëtim të mbarë dhe të gjatë. Suksese!

Visar Peja, këngëtar

Sigurisht gazeta "Kosova Sot" gjithmonë e ka pasur epitetin që i është përgjigjur realitetit si gazeta nr. 1 në Kosovë dhe duke iu falënderuar informimit korrekt dhe të shpejtë ka pas rol kyç në të gjitha etapat! Prandaj, ju uroj punë dhe suksese pafund juve dhe gjithë personelit që merret me punën në gazetën tuaj!

Sportistët: As regjimi i kriminelit Millosheviq nuk mundi ta gjunjëzojë

Robert Gjeraj, futbollist Rolin e gazetës "Kosova Sot" para, gjatë e pas luftës dhe gjithë këtyre viteve e shoh si ndikimin më të madh në informimin e drejtë në kohë të saktë dhe reale për çdo gjë që ka ndodhur në Kosovë, po ashtu jam në dijeni për librat që i ka shtypur, kur unë në atë kohë kam qenë nxënës dhe ka qenë krenari të mësoj dhe të kem në duart e mia libra me logon e Republikës së Kosovës. Gazetën e vlerësoj shumë edhe për qëndrimin e durimin që e ka pasur kundër regjimit të kriminelit Millosheviq, i cili në çdo mënyrë ka dashur të eliminojë çdo gjë që ka qenë në të mirë të Kosovës. Gazeta "Kosova Sot" e ka edhe një vlerësim të veçantë prej meje, sepse është një ndër gazetat që ka kontribuar në informimin e sportit, e sidomos futbollit në veçanti, që të jemi sa më afër lajmeve të sakta në atë kohë dhe tash, ku edhe mua personalisht më ka përkrahur në çdo aspekt duke më ka rritur si sportist. Me një fjalë gazeta "Kosova Sot" është një gazetë e veçantë për çdo gjë dhe meriton mirënjohje për tri etapat që kemi kaluar, para, gjatë dhe pas luftës.

Valmir Bytyçi, futbollist

Gazeta "Kosova Sot" ishte dhe do të mbetet një gazetë prestigjioze, si në kohën e para dhe pas luftës. Është shumë normale që një regjim e atakon pikërisht atë që me korrektësi informoi dhe mobilizoi me shkrimet e saj një popull të tërë. Si sportist mendoj që gazeta "Kosova Sot" ka dhënë një kontribut të veçantë në pasqyrimin e aktiviteteve që në atë kohë i organizonim në kushte mjaft të vështira, pasqyrimi i atyre garave ishte një stimulues për rininë që të bashkëngjiten në aktivitete sportive dhe njëherësh nëpërmjet gazetës i tregonim mbarë opinionit që Kosova po organizon gara me shumë mund po me shumë vullnet. Pas luftës gazeta vazhdoi me profesionalizëm ta pasqyrojë sportin tanimë në kushte normale, e si e tillë kontribuoi shumë në njohjen e sportit tonë në arenën ndërkombëtare, deri në pranimin e plotë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Përfundimisht është vërtetuar që një gazetë e cila ka për qëllim njoftimin e drejtë të opinionit nuk mund ta mbyllë e as ta ndalojë në aktivitet as edhe një regjim siç ishte aj i Millosheviqit. Uroj gjithmonë ta kemi prezent gazetën tuaj. /VIJON/

(Kosova Sot)