Haradinaj: Ne jemi duke u munduar të krijojmë fqinjësi të mirë me Serbinë

  • 24 April 2018 - 13:13
Haradinaj: Ne jemi duke u munduar të krijojmë fqinjësi të mirë me Serbinë

Në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Bërdo të Sllovenisë ka nisur Samiti i vendeve të këtij procesi, në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kosova, pas Sllovenisë, do të kryesojë SEECP gjatë periudhës 2019-2020.

Në Samitin e Bërdos, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi përkushtimin dhe angazhimin e Kosovës në forumet dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të arritjeve të standardeve të duhura për Kosovën dhe rajonin drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane.

Kryeministri Haradinaj falënderoi Slloveninë dhe kryeministrin e saj Miro Cerar për kryesimin e këtij viti të SEECP dhe për rolin lehtësues në forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Procesi i Bashkëpunimit i Evropës Juglindore i themeluar mbi parimet e vizionit për të ardhmen dhe për barazinë, po jep rezultate konkrete në procesin e përafrimit dhe integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e përbashkëta shoqërore, historike dhe gjeografike. Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe po vazhdon përpjekjet për të vendosur raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë. Kosova i përket familjes evropiane, familjes së vlerave perëndimore dhe në këtë rrugëtim nuk ka kthim prapa”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij gjatë këtij samiti.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për qëndrimet dhe angazhimet e shtetit të Kosovës për forcimin e bashkëpunimit dhe besimit rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet e zgjeruara ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.

SEECP është një proces rajonal i institucionalizuar i koordinuar nga shteti që mban kryesinë në detyrë. Misioni i tij kryesor është të nxisë perspektivën e BE-së për Evropën Juglindore dhe të punojë drejt lidhjes, sigurisë, stabilitetit dhe përparimit ekonomik të rajonit.

“Kosova po e dëshmon përkushtimin e saj në ndërtimin e raporteve korrekte me fqinjët dhe vendet e Evropës Juglindore, duke qenë pjesë dhe kontribuar në nismat dhe angazhimet e përbashkëta, në të mirë të paqes dhe të ardhmes”, tha kryeministri Haradinaj.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) filloi në vitin 1996 në Sofje me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal. Pjesëmarrës në SEECP janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Sllovenia.

Kosova do të jetë kryesuese e SEECP në vitin 2019 -2020.

(Kosova Sot)