Italia vazhdon mbështetjen për FSK-në

  • 18 September 2018 - 14:16
Italia vazhdon mbështetjen për FSK-në

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elisabetta Trenta, është zotuar se vendi i saj do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarët e saj me trajnime në fushën e logjistikës.

Ajo këto komente i bëri sot gjatë një takimi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, forcimin e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme, që Italia i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Kosovës. Me mbështetjen tuaj dhe të vendeve të tjera të NATO-s, Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë një forcë shumetnike, profesionale dhe me standarde të NATO-s”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndryshe, në takim u bisedua edhe për përkrahjen që do ta marrë Forca e Sigurisë së Kosovës përmes memorandumit të bashkëpunimit, që sot është nënshkruar nga të dyja shtetet.

(Kosova Sot)