Pa kërkuar falje, asnjë zyrtar serb të mos lejohet

  • 18 September 2018 - 07:59
Pa kërkuar falje, asnjë zyrtar serb të mos lejohet
Drenica i dha një mësim lidershipit kosovar

"Lejimi i Vuçiqit të sorollatet në Drenicë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, kjo s'ka kuptim. Njëjtë do të duhej të vepronin edhe institucionet qendrore dhe nuk do të duhej të ndodhte lejimi i hyrjes në Kosovë të asnjë zyrtari të shtetit të Serbisë pa kërkim-falje", thotë Ali Hertica për "Kosova Sot"

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pohuar se ai si kryetar i Skenderajt nuk ka pasur asnjë njoftim nga institucionet vendase për vizitën e Aleksandar Vuçiqit në Kosovë. Jashari, përmes një postimi në 'Facebook', ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë për lejimin e Vuçiqit në Kosovë, duke e vlerësuar si një gabim shumë të rëndë. Analisti Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se assesi nuk guxonte të kalojë presidenti serb pa kërkuar falje, për viktima dhe masakrat që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-1999. "Lejimi i Vuçiqit të sorollatet në Drenicë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, kjo s'ka kuptim. Njëjtë do të duhej të vepronin edhe institucionet qendrore dhe nuk do të duhej të ndodhte lejimi i hyrjes në Kosovë të asnjë zyrtari të shtetit të Serbisë pa kërkimfalje. Kryetari serb, sikur të ishte një demokrat i vërtetë, do të duhej ta bënte një plan detal për vizitë reale të Kosovës me qëllimin e kërkimfaljes dhe ta ndiente fajësinë e të kaluarës së luftës dhe krimeve që janë bërë në Kosovë", u shpreh ai. 

Serbia nuk ka kërkuar kurrë falje
Analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën " Kosova Sot ", tha se kryetari i Komunës së Skenderajt ka pasur shumë të drejtë morale më parë, por edhe juridike. "Ky terren, sidomos (Skenderaj dhe rrethina), pa i përjashtuar pjesët e tjera të Kosovës, kanë pësuar shumë në luftë me Serbinë. Kanë mbetur të vrarë shumë banorë të të gjitha moshave dhe gjinive", u shpreh ai. "Për këtë politika e Serbisë nuk ka kërkuar falje asnjëherë. Atëherë, pse mund të hyjë Vuçiqi me grupin e vet mu këtu në këto terrene. Kjo rezistencë duhet të trokasë në veshët e institucioneve të Kosovës. Dhe duhet të mendojmë mirë se, ky vend nuk bën të shkelet në këtë mënyrë nga askush, sidomos nga ata që i kanë shkaktuar plagë të pashërueshme. Institucionet tona duhet ta kenë një unitet dhe t'i respektojnë dokumentet ligjore", vijoi më tej Shkodra. "Duhet respekt për viktimat, dëshmorët e Kosovës. Duke ua bërë këtë nderim atyre që ranë për liri, e nderojmë shtetin, i nderojmë institucionet tona, i nderojmë qytetarët, familjet me dhimbjen e tyre", ka thënë ai. Qytetarët, të zhgënjyer Qytetarët janë shumë të zhgënjyer me lidershipin vendor. Bejtush Gashi nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot", pyet se si është e mundur që presidenti dhe udhëheqja e Kosovës nuk kanë të drejtë që ta vizitojnë Luginën e Preshevës, ndërsa edhe janë të dënuar në mungesë nga regjimi serb, kurse në anën tjetër presidenti i Serbisë vjen në Kosovë si " në bahçe të babës"? "Kjo çështje duhet të rregullohet njëherë e përgjithmonë në mënyrë reciproke dhe të barabartë dhe nëse ti më lejon mua për të vizituar shqiptarët tanë,pra vëllezërit tanë, edhe ti ke për të ardhur në Kosovë. Duhet që Vuçiqit t'i thuhet se nuk do të ketë vizitë as për ty, e as për mua. Pra, sy për sy, dhëmbë për dhëmbë. Sepse, reciprociteti respektohet në tërë botën dhe udhëheqja jonë ka të drejtë që ta shfrytëzojë të drejtën e vet. Kësisoj me këto sjellje nënshtruese udhëheqësit tanë e kanë vënë në dyshim edhe ekzistencën e shtetit të Kosovës", vlerësoi ai. "Kjo nuk është Kosova e idealeve tona dhe neve si gjeneratë dhe si idealistë e kemi menduar një Kosovë tjetër fare dhe sjellja e tillë e pushtetarëve tanë kosovarë, si presidenti ashtu edhe Qeveria, është në një mënyrë një mohim i gjakut të derdhur për liri", tha Gashi. Ndërsa, qytetari tjetër nga Lupçi i Podujevës, Zenel Bajgora,për gazetën "Kosova Sot", tha se drenicakët kanë vepruar mirë që nuk e kanë lejuar Vuçiqin të shkojë në Drenicë, sepse serbët kanë prerë e kanë grirë dhe kanë bërë krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve në Kosovë. "Por, e keqja më e madhe është se udhëheqja jonë e Kosovës nuk pyetet fare për këto vizita të krerëve të Serbisë në Kosovë, sepse për këto vizita po vendosin të jashtmit", potencoi ai.

(Kosova Sot)