Pjetër Nrecaj nesër në gjyq për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

  • 23 October 2018 - 20:17
Pjetër Nrecaj nesër në gjyq për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij

Nesër Pjeter Nrecaj do të dalë para Gjykatës në Gjakovë për t’u përgjigjur rreth aktakuzës, e cila e ngarkon për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij në Brekoc të Gjakovës.

Për nesër është paraparë të zhvillohet seanca fillestare e gjykimit.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Gëzim Pozhegu.

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Pjetër Nrecaj për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton KALLXO.com

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Pjetër Nrecaj se kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve të bashkëshortes së tij i armatosur, ku dhe kishte qëlluar me pushkë automatike në drejtim të bashkëshortes dhe vajzës së tij. Të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.

Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së paraburgimit, pas pretendimeve të prokurorit Agron Matjani, të akuzuarit Pjetër Nrecaj iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe seanca ishte improvizuar në spital.

Në deklaratën e tij, Nrecaj kishte thënë që i vjen keq për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, duke mohuar se ka pasur për qëllim kryerjen e vrasjes.

 

(Kosova Sot)