Treshja Thaçi-Rama-Vuçiq po ia përgatisin Kosovës një masakër të re

  • 12 November 2018 - 07:45
Treshja Thaçi-Rama-Vuçiq po ia përgatisin Kosovës një masakër të re

Bytyçi: Atë që Serbia e ka bërë me dhunë deri te Milosheviqi, duan ta bëjnë tre "shqiptarët e ndershëm" të Beogradit, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Hashim Thaçi, president i Kosovës dhe zari i tyre dhe Vuçiqit, Baton Haxhiu

"Vërtet është skandaloze dhe fyese për popullin e Kosovës kur dëgjojnë Baton Haxhiun, një bashkëpunëtor të rryer të UDB-së, gjegjësisht një bashkëpunëtor i Aleksandar Vuqiqit, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, të 'aktrojë' se gjoja ai po 'punon' bashkë me treshen në fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kinse pas korrigjimit të kufirit me Serbinë, që i bie pas ndarjes fatale të Republikës së Kosovës. Treshja Vuçiq-Rama-Thaçi, me agjentin Haxhiu, po e trajtojnë popullin e Kosovës si një popull injorant dhe pa ndjenja kombëtare, saqë të na shiten 'patriotë' që e bashkojnë Kosovën me Shqipërinë, si një konfederatë të mafio-oligarkëve të kriminalizuar. Nuk ka dhe nuk mund të ketë tallje më të madhe me qytetarët se ajo e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës bashkë me shantazhuesin dhe agjentin serb, Baton Haxhiu, se gjoja e kanë gjetur formulën për bashkimin me Shqipërinë pas dhënies së veriut, gjegjësisht 'Trepçës' dhe Ujmanit, shtetit të Serbisë", thotë për gazetën "Kosova Sot" analisti Florim Zeqa 

Analistët politikë dhe qytetarët po e vlerësojnë si tepër skandaloze dhe fyese për popullin e Kosovës që bashkëpunëtori i UDB-së, Baton Haxhiu, siç thonë ata, i autorizuar nga Aleksandër Vuçiqi, Hashim Thaçi e Edi Rama, të dalë tani e të "aktrojë" se gjoja ai po "punon" bashkë me treshen në fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, natyrisht pas korrigjimit të kufirit me Serbinë, që i bie pas ndarjes goditëse të Republikës së Kosovës. Analistët, por edhe qytetarët dhe veprimtarë të partive politike, theksojnë se është e papranueshme se si po e trajtojnë popullin kjo treshe që po punon në ndarjen e Kosovës, me agjentin e Stanishiqit, Baton Haxhiun, duke e parë gjithë këtë popull si një popull injorant, që nuk merr vesh asgjë nga dredhitë dhe mashtrimet politike dhe prandaj nuk po ngrihet as për të kundërshtuar këto projekte famëkeqe në dëm të interesit të shtetit të Kosovës, por edhe më gjerë. Një vlerësim të tillë e ka analisti Florim Zeqa."Vërtet është skandaloze dhe fyese për popullin e Kosovës kur dëgjojnë Baton Haxhiun, një bashkëpunëtor të rryer të UDB-së, gjegjësisht një bashkëpunëtor të Aleksandër Vuçiqit, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, të 'aktrojë' se gjoja ai po 'punon' bashkë me treshen në fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kinse pas korrigjimit të kufirit me Serbinë, që i bie pas ndarjes fatale të Republikës së Kosovës. Treshja Vuçiq-Rama-Thaçi, me agjentin Haxhiu, po e trajtojnë popullin e Kosovës si një popull injorant dhe pa ndjenja kombëtare, saqë të na shiten 'patriotë' që e bashkojnë Kosovën me Shqipërinë, si një konfederatë të mafio-oligarkëve të kriminalizuar. Nuk ka dhe nuk mund të ketë tallje më të madhe me qytetarët se ajo e Hashim Thaçit e Edi Ramës bashkë me shantazhuesin dhe agjentin serb, Baton Haxhiu, se gjoja e kanë gjetur formulën për bashkimin me Shqipërinë pas dhënies së veriut, gjegjësisht 'Trepçës' dhe Ujmanit, shtetit të Serbisë! Këta sundimtarë për 10 vjet në pushtet nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë zhvillim ekonomik, vende pune dhe mirëqenie për qytetarët, nuk qenë në gjendje as me hap një urë në Mitrovicë, por që arritën brenda natës të bëhen pushtetarët më të pasur në Evropë, duke bërë tani edhe pazare me shtetin e territorin e Kosovës sërish të martirizuar nga kuislingët e marionetat e instaluara të Serbisë në Kosovë. Në asnjë rrethanë, populli i Kosovës nuk guxon të mashtrohet kësaj radhe nga Hashim Thaçi dhe klika e tij, të cilët nuk punuan asnjëherë e asgjë për shtet dhe popull, por popullit i dhanë vetëm 20 vjet izolim, vuajtje e mjerim, 10 vjet gënjeshtra e mashtrime për liberalizim. Përfundimisht, ka ardhur koha që të bojkotohen dhe izolohen nga popullata vendore kuislingët e marionetat shqipfolëse, këto produkte serbe, duke mos i dëgjuar çfarë thonë agjentët serbo-rusë në kanalet televizive të sponsorizuara nga shteti i Serbisë", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Aliu: Kosovarët janë mashtruar tërë kohën Analisti politik Hysni Aliu theksoi për "Kosova Sot" se ai këto bisedime dhe këtë projekt për ndryshim të kufijve e sheh si një projekt të fshehtë që mund të jetë një lloj federate apo konfederate me shtetin e Serbisë dhe për këtë duhet të deklarohet Hashim Thaçi."Unë shpresoj që dikush nga gazetarët të marrë guximin t'ia bëjë një pyetje Thaçit, a jeni duke biseduar për një konfederatë apo federatë shtetesh në mes Kosovës dhe Serbisë, konfederatë apo federatë e cila së bashku do të hynte në BE dhe NATO. Shpresoj që të jem gabim, por mendja ime ma thotë këtë, duke u bazuar në të gjitha zhvillimet në Kosovë, në Ballkan dhe më gjerë. Populli duhet ta dijë që nga këto bisedime do të dalë një produkt që ashtu siç kanë qenë bisedimet mashtruese, edhe epilogu i tyre rrjedhimisht do të jetë mashtrues. Me vite të tëra kam shkruar për atë se sa tmerrshëm janë duke shkuar gjërat në bisedimet e Brukselit, sa manipuluese dhe sa mashtruese janë ato bisedime për popullin e Kosovës. Kosovarët janë mashtruar tërë kohën, së pari nga udhëheqësit e vet, nga Thaçi me grupin e vet, Edita Tahiri e Blerim Shala, e pastaj këtij mashtrimi iu bashkëngjit edhe ish-kryeministri Mustafa, e tani kryemashtrues ka mbetur Hashim Thaçi me grupin e vet. Së fundmi Baton Haxhiu i "hoqi rrobat", duke treguar që me të vërtetë i takon këtij grupi kriminal, i cili të zezës i thotë e bardhë, ndërsa të mirën e bën të keqe dhe jeton prej së keqes. Pjesëmarrës në këtë mashtrim janë edhe BE-ja. Kundërshtimi i Gjermanisë për ndryshimin e kufijve do të ishte i sinqertë, sikur ata të kundërshtonin edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, sepse edhe asociacioni është një ndarje e Kosovës. Unë besoj që në s'duhet të humbim kohë duke u marrë me mashtruesit, por duhet të punojmë që ta ndalojmë nga rrënjët e tij mashtrimin. Dikush duhet ta ndalë këtë trajtim mizor që po i bëhet këtij populli. Dikush duhet ta ndërrojë kahun e historisë. Atë mund ta bëjë vetëm populli i udhëhequr nga njerëzit trima dhe intelektualë. Për mua kjo situatë është më e rrezikshme sesa okupimi i Serbisë në kohën e Milosheviqit. Atëherë luftohej armiku i jashtëm, ndërsa tani e kemi armikun e brendshëm", theksoi analisti Hysni Aliu për "Kosova Sot". Kelmendi: Po të kishim popull, nuk do të na imponoheshin këta sundimtarë Veprimtari Ibrahim Kelmendi theksoi për "Kosova Sot" se sipas tij, angazhimi i Baton Haxhiut si opinionbërës krijon mundësinë të keqkuptohet se duhet ta kenë angazhuar ata."Meqë karremi i 'korrigjimit të kufijve' dhe 'bashkëngjitjes së Luginës...' nuk u kapi 'peshq' sa dëshironin, tani ky plasoi karremin e 'bashkimit të Kosovës me Shqipërinë', respektivisht 'konfederatës'. Mënyra si po e plason krijon mundësinë e dyshimit se kjo luftë speciale e ka burimin nga e njëjta 'kuzhinë'. Deri tani akuzonin ata që ishin 'kundër' bashkëngjitjes së Luginës..., tani ky po akuzon frikën e "kosovarëve" nga bashkimi me Shqipërinë. Mbaj mend kur thoshte Jusuf Gërvalla se edhe shërbimet sekrete jugosllave po e mbajnë të gjallë frymën për çlirim të Kosovës, duke sajuar organizata 'patriotike' për t'i identifikuar e burgosur patriotët. Ndoshta edhe kjo 'ideja' e Batonit po na e rikujton se bashkimi me Shqipërinë është një dëshirë dhe qëllim. 'Popullin' ta lëmë rehat se i ka hallet e rrojtjes se tij, nuk po e shqetësojnë 'fiskulturat' e marionetave dhe kuislingëve. Po të kishim popull, nuk do të na imponoheshin kësi sundimtarësh dhe 'këshilltarësh", theksoi Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot". Qytetarët nuk besojnë që Serbia të pajtohet për marrëveshje pa e dëmtuar rëndë shtetin e Kosovës Qytetari Islam Visoka i ka thënë gazetës se për futjen e Baton Haxhiut në këtë lojë përgjegjësinë kryesore e ka presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sepse sikur që e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe këta e dinë fare mirë se cila është e kaluara e Batonit dhe familjes së tij."Me rastin e tanishëm që po potencohet për Baton Haxhiun, e dimë që është një figurë shumë kontroverse, një figurë shumë e njohur nga e kaluara se ku e kishte cakun, mirëpo çuditërisht është skandaloze se si presidenti Hashim Thaçi po e mban ngatë vetes dhe e ka bërë edhe këshilltarin kryesor, por nuk u ndal me kaq, atë e mori si këshilltar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, edhe pse e kaluara e këtij personi është shumë e diskutueshme, i cili ishte edhe me letra ishte bashkëpunëtor i UDB-së dhe shërbimit të tyre. Tanimë është e qartë se është aspak e pabesueshme që ata mund dhe duan të bëjnë diçka në favor të shtetit të Kosovës, e aq më pak në funksion të bashkimit kombëtar, mirëpo ata kanë marrë detyra dhe janë të porositur për t'i quar gjërat deri në fund. Prandaj unë nuk i jap vetes të drejtë që ta fajësoj vetëm Baton Haxhiun në këtë rast, por këtu është përgjegjës kryeministri i Kosovës, edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Hashim Thaçi president i Kosovës, janë këta që i kanë ofruar ngatë vetes njerëzit e tillë. Pra, këta janë vetë të një rrugë të tillë, sepse kohët e fundit po ka sulme të shumta nga opinionistët edhe kundër Baton Haxhiut, por gjithsesi unë shumë më fajtor e lë presidentin Thaçi që e ka marrë dhe e ka ofruar aty, edhe Edi Rama po ashtu, sepse këta janë ata që kanë marrë afër vetes plot njerëz të këtij kallëpi për politikën e jashtme, e konkretisht për politikë me Serbinë, prandaj ky angazhim është më shumë se një punë skandaloze dhe nuk dihet se si do të marrë fund", theksoi Islam Visoka për "Kosova Sot".

BYTYÇI: BATON HAXHIU ËSHTË VEMJE, QË I ËSHTË NGJITUR TRUPIT TË KOSOVËS E PO E GËRRYEN Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, deklaratat e Baton Haxhiut për gjoja bashkimin e Kosovës me Shqipërinë kanë për qëllim që të vënë në gjumë shqiptarët, sidomos ata të Kosovës, e të mos shohin së çfarë masakre të re po i përgatisin Kosovës treshja Thaçi-RamaViçiq."Më duhet të them së Vuçiq është më i rezervuar se këta tanët! Ai shkoi në Francë, u takua me Angela Merkelin, ndërkohë që ia arriti ditës kur Merkeli të mos dojë t'ua shohë sytë më as Ramës, as Thaçit! Baton Haxhiu është zari i të treve. Ai provokon, turbullon ujëra, trazon shpirtrat e shqiptarëve të rënë për lirinë e Kosovës, sepse bën të njëjtën punë, të cilën e ka bërë kur ata luftuan kundër okupimit serb dhe Batoni sajonte lajme me rrena se "ka jetuar në bodrume prej frikës së Stanishiqit". Baton Haxhiu është vemje, që i është ngjitur trupit të Kosovës e po e gërryen. Mbasi ta gërryejë mirë e mirë dëshiron që trupin e mbetur e të sëmurë të saj t'ia bashkëngjitë Shqipërisë. Por trishtimi më i madh është se Baton Haxhiu hiqet si "shpëtimtar i Kosovës"! O tempo o mores! Mbasi ta ndajë Kosovën dhe pasuritë e saj t'ia falë Serbisë, ai dashka me e bashku pjesën e mbetur me Shqipërinë dhe për këtë akt kërkon një dekoratë nacionaliste! Çfarë emri duhet t'i vërë këtij shërbëtori besnik të Serbisë në kohë lufte e në kohë paqeje?! A ka fyerje më të madhe për shqiptarët se kjo paradigmë shkatërruese që paraqet në opinion ky sharlatan antishqiptar?! Kush mund ta blejë si akt kombëtar ndarjen e Kosovës edhe nëse pjesa e mbetur i bashkohet Shqipërisë?! Atë që Serbia e ka bërë me dhunë që prej vitit 1876- 1877, kur spastroi etnikisht shqiptarët në Sanxhakun e Nishit, e deri te Milosheviqi, duan ta bëjnë tre "shqiptarët e ndershëm" të Beogradit, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Hashim Thaçi, president i Kosovës dhe ky zari i tyre dhe Vuçiqit, Baton Haxhiu. Është zhgënjim, trishtim, fyerje, që shkojnë deri në dëshpërim, të jetosh kohën e këtyre maskarenjve. Por koha qenka vërtet e maskarenjve! Kohë e ligë! Kohë e pakohë, të cilën kurrë ndonjëherë më parë nuk e kishim përjetuar në historinë tonë. Edhe Rrahman Morina nuk do ta kishte lejuar ndarjen e Kosovës, edhe pse e lejoi Serbinë të bënte krime kundër shqiptarëve! Këta e kanë kaluar Rrahman Morinën, Ali Shukriun, Sinan Hasanin dhe gjithë stanin tjetër, që njihet si racë tradhtarësh në Kosovë. Kanë kaluar çdo limit dhe e keqja është se nuk ndalen. Madje mburren se "do ta bashkojnë Kosovën me Shqipërinë"! Megjithatë ky soj politikanësh ka arritur disa suksese! E sollën Kosovën në ditë të hallit, me qëllim që shqiptarët të mos kenë mundësi t'u reagojnë kundër këtyre vemjeve, që e vodhën atë, e rropën për së gjalli, e rrënuan me gjithçka, ia shkatërruan ëndrrën e shtetit dhe tani kanë mundësi ta ndajnë e copëtojnë, sepse pak ka vuajtur Kosova dhe Shqipëria nga ndarjet e copëtimet në të kaluarën. Duhej dhe kjo ndarje e ky copëtim nga vetë shqipfolësit në krye të dy shteteve tona si dhe këtij përfituesit të madh nga pasuritë e Kosovës, Batonit të Haxhiajve, e t'u vihej kapaku të gjitha fatkeqësive të kombit shqiptar! Ngushëllimi më i madh ndër shqiptarët shprehet me logon "Mos të raft me harru"! Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Baton Haxhiu i sollën shqiptarët në kohën e harresës. Gjëma që kanë përgatitur ata është më e madhe se gjithë gjëmat e mëdha ia kanë shkaktuar Kosovës içat e shumtë deri të Milloshi. Por për ngushëllim kanë gjetur mashtrimin e madh se "Kosovën do ta bashkojnë me Shqipërinë"!", theksoi profesor Enver Bytyçi për "Kosova Sot". BISLIMI: THAÇI PO PËRKRAHET NGA MIKU I TIJ I KAMOTSHËM, AGJENTI I UDB-SË, BATON HAXHIU Sipas politologes Liridona Bislimi, Hashim Thaçi dhe suita e tij tani nga premtimet mashtruese e gënjeshtrat për zhvillim e konsolidim të shtetit brenda kufijve ekzistues, po del me premtime, mashtrime të tjera në rrafshin ndërkombëtar, me qëllim të mbulimit të planit për shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Ky mashtrim sipas Liridona Bislimit duhet të ndalet. Sa më shpejt që bëhet kjo ndalesë, vendi do ta kalojë atë pa dhimbje. "Dikur si kryeministër brenda shtetit tonë Hashim Thaçi premtonte prej 200 mijë vendeve të punës në Kosovë e deri te formimi i komunave, si Kodra e Trimave, Has, Kievë, Hogosht e Zhegër… Tani presidenti ynë Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit, pasi si president premton bashkëngjitje të Luginës dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO e BE. Kjo aventurë personale e presidentit të Kosovës duhet ndalur", tha Liridona Bislimi. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të presidentit Thaçi, ajo thotë se na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare, sepse pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik dhe nuk e duan sundimin e ligjit dhe nuk dinë për zhvillim ekonomik, sepse Kosovën po duan ta bëjnë kurban për integrimin evropian të Serbisë dhe për çintegrimin e Thaçit nga Gjykata Speciale. "Hashim Thaçi kurrë më parë se tani nuk ka qenë më i dobët politikisht dhe idenë e tij për "korrigjim kufijsh" po e përkrah vetëm miku i tij i kamotshëm Baton Haxhiu, i cili përpos që është tepër aktiv në skenën politike të brendshme, është edhe shumë i çmuar për Hashim Thaçin, gjë që lë të kuptohet se në vendin tonë nuk janë gjërat në rregull dhe tani më të zëshmit kush po e përkrah këtë mënyrë të bisedimeve dhe po pajtohen për kompromise, edhe të territoreve dhe kufijve, haptas këta nuk ia duan të mirën Kosovës. Skandali i radhës si më i freskëti vjen nga deklarata e bashkëpunëtorit të UDB-së, Baton Haxhiu, i cili me autorizimin nga Aleksandar Vuçiqi, Hashim Thaçi e Edi Rama, fillon të "aktrojë" se gjoja ai po "punon" bashkë me treshen në fjale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, natyrisht pas korrigjimit të kufirit me Serbinë, që i bie pas ndarjes goditëse të Republikës së Kosovës", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot". BADALLAJ: POPULLI TASHMË I NJEH SE KUSH JANË KËTA KUISLINGË DHE SHPIRTSHITURIT E SERBISË "Nuk ka më rëndë për një popull kur është pa zot shtëpie dhe nuk ka më rëndë për një popull kur në emër të tij flasin banditët, kriminelët, mafiozët, spiunët dhe tradhtaret kur tërë jetën babë e babagjysh kanë punuar kundër popullit, vendit dhe kombit të tyre në këtë rast si kjo treshe banditësh, hajnash dhe kriminelësh. Si mund të lejohet një spiun, një këlysh i Jovica Stanishit, Baton Haxhiu, që gjatë luftës Shtabi i UÇK-së, në LIKOC, dha urdhër që të arrestohet dhe të vritet, sepse po punon dhe jep informata UDB-së serbe kundër UÇK-së dhe këta dabiçë të flasin për bashkimin me Shqipërinë!? Populli tashme i njeh se kush janë këta kuislingë dhe shpirtshiturit e Serbisë fashiste dhe sa paguan për argatin e tyre. Dhe, kjo a nuk është qesharake dhe fyerje jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin tonë në përgjithësi. Por, tashmë populli i ka kuptuar këta langonj që punojnë për interesa të Serbisë dhe nuk i beson më askush këtyre që paguhen nga Serbia. Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë mund ta bëjë vetëm Amerika dhe Bashkimi Evropian dhe as mund të flitet për këtë treshe. Që 20 vjet nuk e bashkuan Mitrovicën e këta kopilë po e bashkojnë Kosovën me Shqipërinë. A nuk është kjo tallje dhe ofendim për popullin", thotë për gazetën "Kosova Sot", analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot" 

SALIHAJ: PARTITË POLITIKE MERREN ME LLOMOTITJE DHE ME LUFTË NË MES VETE Adem Salihaj, nga LDK-ja, ish-deputetë në Kuvendin e Kosovës, thekson se plani për ta ndarë Kosovën dhe pastaj për ta bashkuar copën e mbetur me Shqipërinë është plani i vjetër serb, i cili ka për qëllim që ta pamundëson krijimin e një shteti të ri stabil me shumicë shqiptare, sikur është tani Kosova në shtet ndërtim e sipër. "Arsyeja pse Serbia pajtohet që Kosova të bashkohet me Shqipërinë është për faktin se Kosova me territor të gjymtuar më nuk do të mbetet shtet. Shkatërrimi i shtetit të Kosovës është shumë i favorshëm për Serbinë për shumë arsye: së pari, ia merr një copë të madhe të territorit; së dyti shkatërrohet si shtet dhe nuk paraqet më kurrfarë rreziku për Serbinë; së treti Kosova hyn në kuadër të shtetit shqiptar, i cili është thellësisht antishqiptar, d.m.th antikosovarë dhe pro serbë, e i cili do të bëjë përpjekje që ta shkatërrojë çdo frymë patriotike në Kosovë. Së katërti, qeveria e tashme shqiptare do ta kallë një luftë të brendshme shqiptare kundër kosovarëve dhe Kosovës, e cila do të çojë në destabilizim jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Ky do të ishte suksesi më i madh i Serbisë, por edhe i Greqisë, për shpartallimin e shtetit dhe subjektivitetit të gjithë kombit shqiptar. Për këtë plan, barabar me Serbinë dhe Greqinë, po punojnë Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Në këtë periudhë kaq të rrezikshme për Kosovën, institucionet e Kosovës dhe partitë politike merren me llomotitje dhe me luftë në mes vete dhe nuk shohin përtej hundës tyre", tha Salihaj për "Kosova Sot". KELMENDI: ÇDO GJË QË PO DEL NGA GOJA E THAÇIT ËSHTË MASHTRIM DHE GËNJESHTËR Prof. Muhamet Kelmendi thotë për "Kosova Sot" se çështja e ndarjes dhe shkëmbimit, nëse mund të thuhet kështu, gjë që vështirë besohet, përveç humbjes, nuk ka gjë tjetër aty për Kosovën. "Për faktin që kjo ide është vepër e iniciuar dhe e përgatitur nga ana e trekëndëshit Moskë, Beograd dhe Paris. Të tjerët, si Edi Rama, ashtu edhe Hashim Thaçi dhe vegla pro serbe, Baton Haxhiu, janë të organizuar nga ky trekëndësh në ndarjen përfundimtare të Kosovës. Ajo që populli shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë nuk duhet toleruar dhe kurrë mos me qenë pro është humbja e Ujmanit, e Mitrovicës së veriut dhe e 'Trepçës'. Këto asete janë të një rëndësie të madhe dhe kurrë nuk duhet toleruar të ndahen nga Kosova. Në planin e treshes është që tërë veriu të kalojë nën sovranitetin serb, ndërsa Kosova të marrë ndoshta disa fshatra të Luginës së Preshevës. Dhe kjo ndarje shkon edhe më thellë për komunat e organizuara nga PDK-ja dhe LDK-ja, si për Graçanicë, Shtërpcë, Partesh, Kllokot etj., ku do të organizohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Është pra ky një plan që nëse arrin sukses merr fund tërësia territoriale e Kosovës. Deri më tani mendoj se Prishtina mjaft e ka toleruar z. Thaçi. Kosova duhet të ngrihet dhe këtij njeriu të rrezikshëm për shtetin t'ia tregojë vendin. Çdo gjë që po del nga goja e Thaçit është mashtrim dhe gënjeshtër. Ai asgjë nuk thotë me të vërtetë, por veç propagandë mashtruese që po bën. Duhet t'i vijë turp nga thënia se asgjë nuk do të japim dhe tërë Luginën do ta fitojë Kosova. Kjo është një mashtrim i thellë, që ka për qëllim futjen e Kosovës në gërshërët e përgatitur nga ana e këtij trekëndëshi ndërkombëtar. Këtu duhet një reagim i tërë opinionit. Baton Haxhiut duhet treguar vendin si vegël e Beogradit. Klan Kosovën duhet bojkotuar dhe nga prokuroria të kërkohet të zhvillon hetime edhe për një punë dhe propagandë antishtetërore. Kushto që është për ndarje, si spiuni Haxhiu, duhet të kapet dhe të dalë të gjykohet para drejtësisë", theksoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, për "Kosova Sot". Gazetari i k dwrguar pyetjet edhe Baton Haxhiut lidhur me çështjet që akuzohet nga analistët, por ai nuk i ka kthyer përgjigje.

(Kosova Sot)