Si i vrau gruan dhe të bijën me top të jogës

  • 15 November 2018 - 16:09
Si i vrau gruan dhe të bijën me top të jogës

Khaw Kim Sun me origjinë nga Malajzia ishte student i mjekësisë në Britani gjatë viteve 1980, kur u njoftua me infermieren Wong Siew Fing, po ashtu nga Malajzia. Ata u martuan dhe shkuan për të jetuar në Hong- Kong, ku ndërkohë u bënë edhe me katër fëmijë - një djalë dhe tri vajza. Khaw, 53 vjeç, u bë një profesor i njohur i anesteziologjisë në Universitetin kinez në Hong- Kong. Ai mbante ligjërata edhe në Spitalin "Prince Of Wales" në Sha Tin dhe ishte shumë i aftë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Bisedat rreth ndarjes

Në anën tjetër, gruaja Wong, 47 vjeçe, merrej me rritjen e fëmijëve. Disa prej fëmijëve ishin me nevoja të veçanta, gjë që ia vështirësonte asaj punën, sidomos për faktin se Khaw kishte pritje të mëdha për familjen e tij. Ata grindeshin rreth edukimit dhe rritjes së fëmijëve - Khaw ishte baba i rreptë, derisa Wong akuzohej se ishte tepër e butë. Por, kjo ishte vetëm njëra nga shumë gjërat rreth të cilave çifti nuk pajtoheshin. Në vitin 2007 ata filluan që të largoheshin nga njëri-tjetri. Flinin në dhoma të ndara dhe hanin ndaras. Kishin biseduar për shkurorëzim, por Khaw ngurronte, sikur që thoshte ai, meqë asnjëri prej tyre, si i vetëm, nuk do të mund të përkujdesej për fëmijët. Por, në fakt, shqetësimi i Khaw-t kishte të bënte me ndarjen e pasurisë pas shkurorëzimit. Në anën tjetër, ai kishte planifikuar të ardhmen me dikë tjetër. Ai kishte një dashnore, Shara Lee, e cila ishte ish studente e tij.  

Policia ishte në dilemë rreth vdekjes së tyre

Wong dinte për këtë lidhje, por 'për hatër të fëmijëve' nuk e bënte të madhe këtë punë. Por, gjërat arritën pikën e vlimit në një moment. Më 22 maj të vitit 2015, Wong dhe Lily, vajza e tyre 16 vjeçe, hipën në veturën familjare. Një orë më pas, ato u gjetën të parkuara me veturën e tyre në një stacion autobusi. Të dy femrat në veturë dukej sikur flinin. Pasi ato nuk zgjoheshin, përkundër insistimeve, u dërguan në spitalin ku punonte Khaw. Përkundër përpjekjeve të mjekëve për t'i shpëtuar, ato të dyja vdiqën. Policia ishte në dilemë rreth vdekjes së tyre. Autopsia tregoi se të dyja kishin vdekur nga helmimi me monoksid të karbonit. U testua automobili, për ndonjë defekt, por ai doli të ishte në rregull. Mirëpo, policët gjetën një top të shfryrë të jogës në gepekun e veturës. Pas analizave, u zbulua se topi i jogës përmbante monoksid të karbonit. Ai ishte zbrazur ngadalë, duke mbytur të dy femrat. Në anën tjetër, kolegët e Khaw-t treguan se ai, kohëve të fundit, kishte marrë monoksid të karbonit, gjoja për të bërë ca eksperimente. Hetimet policore treguan se ai ishte autor i vrasjes, porse vajza kishte vdekur pa dëshirën e tij, meqë ai i kishte thënë asaj që të rrinte në shtëpi e të mos shkonte në shkollë atë ditë. Përkundër dëshmive, Khaw vazhdon të insistojë në pafajësi. 

 

(Kosova Sot)