KELMENDI: THAÇI E KA SHKELUR ASHPËR KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS!

  • 20 November 2018 - 12:11
KELMENDI: THAÇI E KA SHKELUR ASHPËR KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS!

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, edhe në takimin e fundit, midis Hashim Thaçit dhe kriminelit Vuçiq, dolën në dritë shumë çështje që kanë domethënie të rëndë dhe Thaçi duhet të përgjigjet, madje edhe penalisht për veprimet që po i bën në dëm të shtetit. Sipas Kelmendit, Hashim Thaçit askush nuk po ia ndalon dhe as që e diskuton detyrën si president të ketë takime të karakterit ndërkombëtar, sepse kjo e drejtë buron nga Kushtetuta dhe këtë e ka për detyrë z. Thaçi ta kryejë konform normave kushtetuese, mirëpo çështja po ndërlikohet dhe po merr karakter të veprës penale, të dënueshme, kur në diskutim me shtetin kriminel serb janë në pyetje diskutimet për territoret e Republikës."Me këtë edhe kjo çështje nuk mundet dhe nuk është në kompetencë të z. Thaçi si president i Republikës. Z. Thaçi e shpëton vetëm një veprim: Ai duhet të ftojë urgjentisht seancën e Kuvendit të Kosovës dhe tërësisht në detaje të informojë përfaqësuesit e popullit me diskutimet dhe temat. Ai e ka shkelur ashpër Kushtetutën e Republikës dhe për mendimin tim nuk ka mundësi kurrsesi të vazhdohet diskutimi me kriminelin Vuçiq në Bruksel pa e kryer detyrën madhore, atë të marrjes së mandatit nga Kuvendi. Çdo prekje e territorit, qoftë edhe me centimetra, nuk është çështje e z. Thaçi. Ajo është çështje e Kuvendit dhe e popullit të Republikës. Po çka të thuhet për konstatimin e z. kryeministër? Ai tha:"Unë nuk di se lidhur me çka po diskuton z. Thaçi në Bruksel... Nuk i di temat...". Kjo tregon mjaft. Z. Thaçi kështu e ka shkelur ashpër Kushtetutën e Republikës. Ai disa punë të mëdha dhe të karakterit antikushtetues i ka kryer dhe vazhdon me shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", vlerësoi Kelmendi. Sipas analistit Muhamet Kelmendi, janë disa shkelje nga presidenti. 1. Normat kushtetuese, nga neni 1 e deri te nenet 17-31, si dhe te kompetencat e veta, si president. Mosbashkëpunimi me Kuvendim dhe me Qeverinë është cenim i rëndë i punëve dhe ashtu bëhet shkelje e rëndë e normave kushtetuese. Aq më parë kur temë e diskutimit, siç ka deklaruar vetë z. Thaçi, është "korrigjimi" i kufijve me shtetin okupues serb. 2. Z. Thaçi nuk e di apo e di dhe me vetëdije vepron në kundërshtim me normat kur e bën temë të diskutimit territorin e Kosovës. Pra, për nga natyra e veprimeve si president, kjo nuk ka karakter të përfaqësimit të shtetit, por hyn në punë të brendshme, e ku kompetencat i kanë Kuvendi, Qeveria dhe sovrani (populli), si dhe 3. Me këtë veprim ka shkelur nenet 120 -125 të Kodit Penal të Kosovës, e ku dënimet janë deri me burg të përjetshëm. Pra, kemi kështu vepra e vepra të dënueshme të z. Thaçi. Por, nëse ka mbetur ndonjë grimcë e ndërgjegjes, duhet z. Thaçi të rikthehet te Republika dhe të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Çdo vazhdim i mëtejshëm në formën e tillë e bën recidivist penal. Shteti duhet të veprojë", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)