Ivanka Trump bën gabimin e njëjtë si Hillary Clinton

  • 20 November 2018 - 19:42
Ivanka Trump bën gabimin e njëjtë si Hillary Clinton

Vajza e presidentit amerikan, Donald Trump, Ivanka ka bërë të njëjtin gabim si Hillary Clinton. Këshilltarja e presidentit ka përdorur llogarinë personale të postës elektronike për të dërguar e-maile që kishin të bënin me çështje të qeverisë. Ivanka është mbrojtur duke thënë se nuk i dinte mirë rregullat.

Shumë nga këto mesazhe elektronike kishin të bënin me çështje qeverisëse, shpjegon media amerikane Uashington Post, në shkelje të normave që ndalojnë përdorimin e adresave personale të postës elektronike për ata që kanë detyra në qeveri. Ivanka Trump, raporton gazeta prestigjoze, është mbrojtur duke thënë se nuk i njeh mirë disa detaje të këtyre rregullave, duke siguruar që asnjë informacion sekret nuk ka kaluar nga llogaria e saj personale apo e bashkëshortit Jared Kushner.

Ndër të tjera, Ivanka nuk i është drejtuar një server privat siç ndodhi për Hillary Clinton, e cila instaloj një të tillë në rezidencën e saj në Shtetin e Nju Jorkut.

Por ngjarja vendos në siklet Donald Trump, i cili gjatë fushatës presidenciale të 2016 e shndërroi skandalin me emaile një ndër armët kryesore kundër rivale Clinton.

Gjithashtu analistët mendojnë se ky skandal ishte ndër shkaqet kryesore që çuan ish-sekretaren e Shtetit drejt disfatës në garën për Shtëpinë e Bardhë.

 

(Kosova Sot)