Identifikohen 29 fëmijë kërkues

  • 11 December 2018 - 12:38
Identifikohen 29 fëmijë kërkues

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka zbatuar planin operativ “Identifikimi i fëmijëve lëmoshë-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit”, i cili është shtrirë në tërë territorin e Kosovës. Ky plan operativ është realizuar që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në këtë vit.

Në realizim të këtij plani, pos Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë qenë të përfshirë edhe Prokuroritë  e rajoneve përkatëse,  Qendrat për Punë Sociale,  Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së dhe Njësitë policore nga  stacionet policore përkatëse.

“Gjatë zbatimit te këtij plani operativ janë identifikuar 29 fëmijë lëmoshë-kërkues (21 shtetas të Kosovës dhe 8 shtetas të Shqipërisë),13 persona të dyshuar, janë iniciuar 10 raste nga Neni 250 i Kodit Penal ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’, të gjithë fëmijët lëmoshë kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre.   Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar  asnjë viktime e trafikimit. Shtetasit e huaj  janë dorëzuar  Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime  bazuar në  Ligjin për të Huaj. Për shtetasit kosovar, në konsultim me prokurorët përkatëse, janë iniciuar 10 raste ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq bëhet e ditur se Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale, përfshirë keqtrajtimin e fëmijëve dhe trafikimin me njerëz.

(Kosova Sot)