Albin Kurti bën thirrje për rrëzimin e Qeverisë së Haradinajt

  • 13 December 2018 - 11:22
Albin Kurti bën thirrje për rrëzimin e Qeverisë së Haradinajt

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, nga Prizreni ka bërë thirrje për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Ai, ka numëruar shumë arsye pse kjo qeveri duhet të bie sa më shpejt.

“Kemi moszhvillim ekonomik e zhvillim të korrupsionit që kanë shkaktuar papunësi të madhe, skamje e rrjedhimisht emigrim të të rinjve”, tha Kurti, në një takim që ka zhvilluar me banorët e fshatit Skorobisht të Prizrenit.

Ai, ka kritikuar Qeverinë edhe për ndarjen e buxhetit.

“Kjo qeveri i jep prioritet rrogave të ministrave, zv. ministrave dhe këshilltarëve të saj të panumërt, gjersa në projektbuxhetin e ri shumë më tepër buxhet për investime kapitale i është alokuar komunave Deçan dhe Skënderaj prej nga vijnë kryeministri e presidenti, sesa Komunës së Prizrenit, si Komuna e dytë në Kosovë për nga madhësia”

Ai tha se ky pushtet duhet të bie dhe siguroi se Lëvizja Vetëvendosje ! do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

“Vetëm këtë vit janë anëtarësuar mbi 5 mijë anëtarë të rinj, duke e sjellë numrin e përgjithshëm në 35 mijë”, tha ai.

Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaçi, në këtë takim, ndërkaq foli për trashëgiminë e problemeve si qeverisje komunale, “mirëpo me aprovimin e buxhetit të ri komunal dhe se mund të financohet projekte të reja, të cilët mund të vendosen së bashku dhe për nevoja të banorëve”.

 

(Kosova Sot)