Sali Berisha për median austriake zbulon skenarin e Thaçit e Ramës: Po tundin flamurin e Serbisë së Madhe

  • 13 December 2018 - 12:13
Sali Berisha për median austriake zbulon skenarin e Thaçit e Ramës: Po tundin flamurin e Serbisë së Madhe

‘Ndarja e Kosovës’, Berisha: Thaçi e Rama po tundin flamurin e Serbisë së Madhe

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për gazetën austriake, Der Standard, ku shprehet se presidenti kosovar, Hashim Thaçi, po tund flamurin e Serbisë së Madhe.

Berisha thotë se Thaçi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, përkrahin idenë e ndarjes së Kosovës.

“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është i rëndësishëm, por kryeministri Edi Rama kërkon që të përdorë Kosovën për të vendosur BE-nën nën presion, kjo është e gabuar dhe e dëmshme. Ai thotë se nëse nuk hapen negociatat me Shqipërinë, do bashkohet Shqipëria me Kosovën. Kjo nuk ndihmon Shqipërinë për hapjen e negociatave,” thotë Berisha.

“Kjo ideja e shkëmbimit të kufijve dhe territoreve nuk është asgjë tjetër veçse një ide e Serbisë së Madhe. Kjo nis nga Mitrovica në Kosovë e shkon deri në Bosnje”.

I pyetur se cili është qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, Berisha thotë se “ka njerëz në BE, që e përkrahin idenë e ndarjes së Kosovës si një zgjidhje e lehtë”.

“Por kjo do ketë pasoja të mëdha. Nëse komuniteti ndërkombëtar mendon se ka ardhur koha për të ndryshuar kufijtë në Ballkan, le të thërrasin një konferencë ndërkombëtare. Por që të mendosh se Thaçi ose Vuçiç mund të ndryshojnë kufijtë, kjo nuk është ide e mirë. Thaçi po tund flamurin e Serbisë së Madhe. Ai nuk ka asnjë mbështetje në Kosovë”.

Berisha thotë se njerëzit në BE, që përkrahin këtë ide, nuk e njohin mirë Ballkanin.

“Edi Rama e mbështet këtë ide. Rryma e vjetër komuniste e ka parë Kosovën si një mjet për të luajtur për interesat e saj. Unë jam rritur me idenë që Kosova duhej të bëhej pjesë e Shqipërisë. Por në vitin 1991 kam parë se në Kosovë është krijuar një realitet tjetër dhe kam mbështetur projektin e tyre- pavarësinë. Rama është shkollë e vjetër. Ai është thjesht i lumtur që po duket i rëndësishëm”.

Berisha thotë se këtë projekt po e sponsorizon George Soros.

“Sorosi i vogël (djali i George Soros) ka fluturuar tre herë nga Prishtina në Tiranë, nga Tirana në Beograd dhe nga Beogradi në Prishtinë,” thotë Berisha.

(Kosova Sot)