Gani Qarri flet për heshtjen studentore në Kosovë

  • 13 December 2018 - 12:47
Gani Qarri flet për heshtjen studentore në Kosovë

Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se përderisa studentët e të gjitha universiteteve të vendit amë, njëjtë si rreth 30 vjet më parë, kur rrëzuan sistemin komunist në Shqipëri, po bëhet më se një javë që janë ngritur në këmbë, si në një revolucion të ri, për ndryshime të mëdha, kundër kastës së kriminalizuar politike, keqpërdorimeve, korrupsionit, mitës, arrogancës, favoreve të turpshme dhe të gjitha të këqijave të mundshme që qeveria e matrapazëve me bashkëpunëtorë tash e sa kohë i kanë futur hundët gjithkund, deri në fakultetet e fundit të secilit universitet, jo vetëm atje. Çuditërisht në Kosovë nuk ka asnjë lëvizje sado të vogël studentore, dhe kohët e fundit, fatkeqësisht, ka humbur çdo gjë ideale, frymëzuese dhe kreative që nënkuptohej me fjalën student! "Në vend se edhe në Kosovën me "një mijë e njëqind halle", studentët të ngriheshin në mënyrë dinjitioze për të vrarë frikën e mbjellë tash e sa vite, kthyer shpresën e humbur dhe sfiduar gjendjen nëpër të cilën po kalojmë si popull dhe shtet, ashtu siç dinin vetëm studentët tanë ta bënin në të kaluarën, dikur dhe një kohë tjetër studentët e sotëm, si njerëz të një shtet të ri, në ndërtim, nuk dinë t'i japin të paktën një leksion edukues kësaj kaste të politikanëve, skajshmërisht të kriminalizuar dhe në vend të saj shihet qartë se ata jo vetëm që janë kapur edhe vetë, por janë bërë një me politikën aktuale të dështuar të vendit. Heshtja e përgjithshme studentore, jo vetëm se po i qet hije të keqe gjithë vendit, por edhe po dëshmon katërçipërisht se politika e korruptuar dhe inkriminuar kosovare, ka kapur dhe neutralizuar tërësisht të gjithë studentët dhe shumicën e rinis nëpër shkolla dhe krejt universitetet e Kosovës. Përndryshe, është absurd i madh të mendohet, apo aq më keq edhe të besohet, se pikërisht protestuesit jelekverdhë në Francë apo studentët vëllezër në Shqipëri paskan kushte më të këqija jetese dhe studimi se sa qytetarët dhe studentët në Kosovë, të cilët assesi të ngrihen në protesta, siç janë ngritur ata në Shqipëri, duke menduar seriozisht për fatin e vendit të tyre nën sundimin e politikanëve të kriminalizuar dhe rrugën e pakrye që u ka dhënë politika mafioze zhvillimeve atje", tha Gani Qarri.

Lexo edhe këtë: Uragani studentor përfshin Shqipërinë, studentët kosovarë durojnë ende


(Kosova Sot)